Politika miqësore ndaj familjes për mirëqenien e prindërve që punojnë
Këshilli i Biznesit për të Drejtat e Fëmijëve prezantoi rezultatet e anketës së parë mbi praktikat miqësore ndaj familjes në kompanitë malazeze

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Podgoricë, 19 prill 2022 – Këshilli i Biznesit i UNICEF-it për të Drejtat e Fëmijëve prezantoi sot një anketë mbi praktikat dhe politikat miqësore ndaj familjes, i cili tregon se kompanitë malazeze po i pranojnë përfitimet e politikave miqësore ndaj familjes për biznes.
Më shumë se 60 për qind e të anketuarve nga më shumë se 130 kompani në Mal të Zi pranojnë se politikat miqësore ndaj familjes çojnë në rritjen e besnikërisë dhe kënaqshmërisë së punonjësve dhe 40 për qind besojnë se ato kontribuojnë në rritjen e niveleve të produktivitetit.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, theksoi rëndësinë e mbështetjes për prindërit që punojnë për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
“UNICEF po mbështet bizneset në mbarë botën për të çuar përpara veprimet e tyre në politikat miqësore ndaj familjes, sepse ka prova të bollshme që dëshmojnë se si përfitojnë fëmijët dhe gratë, bizneset dhe ekonomitë nga politika të tilla ", tha Santander.
Kjo anketë është hapi i parë në promovimin e praktikave të mira të biznesit, duke filluar nga anëtarët e Këshillit të Biznesit për të Drejtat e Fëmijëve. Kjo anketë do të mbështesë gjithashtu përpjekjet tona të ardhshme të përbashkëta avokuese për të përmirësuar legjislacionin mbi politikat miqësore ndaj familjes dhe do të orientojnë përpjekjet tona të vazhdueshme për promovimin e përfitimeve të politikave miqësore ndaj familjes për mirëqenien dhe shëndetin e familjes.

Anketa konstatoi se praktikat ekzistuese miqësore ndaj familjes në kompanitë malazeze përfshijnë: orar fleksibël pune, punën nga shtëpia, ditë pushimi në ditën e parë të shkollës, ditë pushimi në ditëlindjen e një fëmije, ditë të familjes së kompanisë, dhurata financiare dhe jo financiare të Vitit të Ri për fëmijë, dhurata për fëmijë të porsalindur dhe përfitime të veçanta për prindërit vetushqyes.
Mitar Bajçeta nga Oda Ekonomike e Malit të Zi theksoi rëndësinë e kësaj ankete në promovimin e politikave miqësore ndaj familjes brenda komunitetit të biznesit.

Jam optimist që gjetjet e kësaj ankete do të ndikojnë në zvogëlimin e hendekut midis politikave aktuale miqësore ndaj familjes dhe nevojave të prindërve që punojnë.
Anketa gjithashtu konstatoi se 71 për qind e baballarëve nuk aplikojnë për pushim të atësisë, kryesisht për arsye kulturore që përfshijnë rolin tradicional të baballarëve, paragjykimet dhe stigmën sociale, arsyet organizative, njohurit e pamjaftueshme për opsionet e pushimit të atësisë dhe barrierat sistematike, pasi që burrat kanë paga më të larta se gratë.
Karen Maddocks, ambasadorja britanike në Mal të Zi, tha se hulumtimi i UNICEF-it mbështet atë që ajo ka besuar prej kohësh: se inkurajimi i më shumë burrave për të marrë pushim prindëror jo vetëm që do të çonte në përfitime për familjen, por gjithashtu promovon barazinë gjinore në vendin e punës. “Nëse burrat dhe gratë do të ndiheshin njësoj komod për të marrë pushim prindëror ose për të ekuilibruar më mirë punën dhe shtëpinë, kjo do të ndikonte në më pak gjasa që punonjësit të favorizonin rekrutimin e burrave. Pushimi i lehonisë është një nga faktorët më të mëdhenj që çon në diskriminimin e grave në fuqinë punëtore. Duhet të ketë fokus në mbështetjen e burrave për të bërë këtë zgjedhje, pavarësisht nga pritshmëritë që shoqëria vendos mbi ta,” tha Ambasadorja Maddocks.
Anketa poashtu konstatoi se vetëm 17 për qind e kompanive përfshijnë politika miqësore ndaj familjes në biznesin e tyre si dhe në strategjitë dhe politikat e burimeve njerëzore, dhe se vetëm një në katër kompani vlerësojnë nevojat e punonjësve të tyre për ekuilibrin e tyre punë-jetë.

Reporterët e Rinj të UNICEF-it, Aleksandra Vujoviq dhe Simon Peroviq, komentuan gjithashtu politikat ekzistuese miqësore ndaj familjes dhe ndikimet që ato kanë tek prindërit, duke kërkuar një ekuilibër më të mirë punë-jetë, të cilin ata e shohin si një nga prioritetet që duhet të adresohen nga bizneset.
“Kjo temë është e rëndësishme për të rinjtë për dy arsye: së pari - ne duam t'i shohim prindërit tanë më të lumtur dhe më të relaksuar, dhe jo aq të stresuar për sasinë e kohës që kalojnë duke punuar. Dhe së dyti – nesër, kur unë dhe bashkëmoshatarët e mi të fillojmë të punojmë, do të donim të punonim në një kompani që kujdeset për mirëqenien tonë,” tha reporteri i ri, Simon Peroviq.
“Bashkëmoshatarët tanë na thanë se ishin dëshmitarë që prindërit e tyre punonin pas orarit të punës për të kryer të gjitha obligimet që kanë. Kjo do të thotë më pak kohë me ta dhe, padyshim, më pak gëzim. Një nga sugjerimet është që punëdhënësit të kenë më shumë mirëkuptim për jetën private të punonjësve të tyre, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të marrin pushim pa pagesë për të qenë me familjet e tyre,” tha reporterja e re, Aleksandra Vujović.
Aktualisht, shtatë shoqata biznesi (Oda Ekonomike, Këshilli Malazez për Investitorë të Huaj, Shoqata e Menaxherëve, Shoqata e Bankave, AmCham, ICT Cortex dhe Rotary Clubs të Malit të Zi) dhe tetë kompani (Crnogorska komercijalna banka, Crnogorski Telekom, One, Mtel, Mercator-CG, NLB Bank, Airports of Montenegro dhe Lovcen Bank) nga industritë që konsiderohen strategjike për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve, kanë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Biznesit për të Drejtat e Fëmijëve të UNICEF-it.