“Në kohën kur është nxjerrë kjo fotografi, tashmë ishin bërë pesë vite që po abuzohesha seksualisht"
Një fëmijë i mbijetuar i dhunës shpjegon rëndësinë e modelit “Barnahus” në mbështetjen e fëmijëve të mbijetuar të dhunës
- Crnogorski
- English
- Shqip
“Ky jam unë,” shpjegon Matthew, duke treguar me gisht në fotografinë e shkollës një djalë njëmbëdhjetë vjeçar. “Në kohën kur është nxjerrë kjo fotografi, tashmë ishin bërë pesë vite që po abuzohesha seksualisht nga xhaxhai im,” thotë Matthew McVarish, bashkëthemelues i Lëvizjes “Brave”, aktivist dhe i mbijetuar i abuzimit seksual në fëmijëri.
“Nëse ky djalë do të ishte në klasën tuaj, a do ta vërenit se po abuzohej seksualisht vazhdimisht? Nëse do të shikonit nga afër, do të vërenit se kam një çarje të vogël në hundë që e kam nga e kruara. Fakti që kurrë nuk e kam lënë të shërohet tregon për një çrregullim ankthi dhe është një përgjigje e zakonshme ndaj traumës. Shenjë e qartë se diçka nuk ishte në rregull.”
Pavarësisht ndikimit shkatërrues që ka dhuna te fëmijët, shumica e fëmijëve të mbijetuar të dhunës nuk kërkojnë ndihmë apo marrin ndihmë për t’u rikuperuar. Shërbimet joefikase apo joadekuate dhe të fragmentuara që u jepen fëmijëve gjatë procedurave ligjore shpesh i bëjnë edhe më të mëdha vuajtjet e tyre, duke i detyruar ta rijetojnë traumën vazhdimisht.
Në moshën 17 vjeçare Matthew u largua nga shkolla dhe shtëpia e tij. Ai u zhvendos në një tjetër qytet në vendlindjen e tij në Skoci dhe u përpoq të bënte një fillim të ri, por ja që abuzimi e ndoqi prapë. Ai filloi studimet në kolegj dhe jeta dukej se po bëhej më e mirë. Një mëngjes, Matthew u zgjua në dyshemenë e shtëpisë së një burri. Ai zbuloi që ishte droguar dhe përdhunuar. Ai arriti të ikte. Rrugës për në shtëpi, ai humbi ndjenjat. I hutuar dhe çorientuar, ai njoftoi policinë. Pasi u shpalosi se çka kishte përjetuar, dy zyrtarë policorë e detyruan Matthew ta jetonte përsëri çdo detaj të traumës së tij. Ata pastaj e dërguan me furgon të policisë, si kriminel, në një repart të vrazhdë dhe të izoluar të spitalit, ku dy mjek të mjekësisë ligjore kryen ekzaminime invazive mjekësore derisa dy zyrtarët policorë qëndruan në dhomë.
“Nuk më besohej,” kujton Matthew derisa përshkruan se si zyrtarët policorë sugjeruan që ai pa vetëdije kishte pranuar një gjë të tillë.
Matthew mori një mesazh në telefon – një kërkimfalje nga personi që e kishte përdhunuar dhe ky mesazh më vonë do të shërbente si dëshmi. Duke ia treguar policisë, Matthew i pyeti se kur do ta arrestonin. Përgjigja ishte “nuk është tamam urgjente.” Matthew vizitoi çdo ditë stacionin policor për dy javë rresht deri sa ata më në fund ndërmorën veprime. Ata e sollën kryesin për ta marrë në pyetje. Para se të bëhej diçka më tej, burri iku nga vendi. “Ky ishte fundi i drejtësisë sime,” thotë Matthew.
Nuk mund të vazhdoj praktika e detyrimit të fëmijëve nëpërmjet sistemeve të fragmentuara dhe të izoluara që nuk janë të krijuara për t’i mbështetur fëmijët e vegjël apo adoleshentët të mbijetuar të abuzimit, shfrytëzimit dhe dhunës, përfshirë dhunën seksuale.
“Sallat e gjykatave janë për avokatët. Stacionet policore janë për kriminelët. Dhe spitalet janë për të sëmurët,” thotë Matthew. “Nuk janë vende për fëmijët që janë traumatizuar seksualisht.”
Para më shumë se dy dekadave kjo u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, duke quar në krijimin e modelit “Barnahus”. Përkthyer si “shtëpi për fëmijët”, “Barnhaus” është përgjigje për fëmijët të mbijetuar të dhunës, duke përfshirë fëmijët dëshmitarë të dhunës, duke pasur fëmijën në qendër. Në këtë model bëhen bashkë katër shtylla të mbështetjes: drejtësia penale, shërbimet mbrojtëse për fëmijët, mirëqenia fizike dhe mirëqenia mendore. Katër shtyllat funksionojnë së bashku për të vlerësuar situatën individuale të fëmijës, për të mbështetur rikuperimin e tyre dhe për të siguruar qasje në drejtësi në një mjedis që është i përshtatshëm dhe i sigurt për fëmijë. Fëmijët marrin mbështetje në një mjedis të përshtatshëm për fëmijët nëpërmjet një punëtori social me trajnim të veçantë, i cili shërben si person ndërlidhës ndërmjet fëmijëve dhe policisë, avokatëve, mjekëve dhe profesionistëve të tjerë të përfshirë në procedura ligjore.
I zbatuar për herë të parë në vitin 1998 në Islandë, modeli “Barnahus” dhe modelet tjera si ai tani janë në dispozicion në vende të Evropës dhe Azisë Qendrore. Në konferencën rajonale të organizuar këtë javë në Podgoricë, Mal të Zi, Qeveria e Malit të Zi njoftoi për fillimin e zbatimit të modelit “Barnahus” në vend. Me këtë Mali i Zi zotohet për respektimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, duke përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (KDF), Konventën Lanzarote dhe strategjitë e Këshillit të Evropës dhe UNICEF-it dhe instrumentet e “ligjeve të buta” për mbrojtjen e fëmijëve.
“Bashkimi i të gjitha shërbimeve relevante në një vend siguron përgjigje të koordinuar, efektive dhe të dhembshur kur fëmijët kanë përjetuar apo kanë qenë dëshmitarë të dhunës, abuzimit apo shfrytëzimit,” thotë Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, duke folur në konferencën “Ngritja e përsosmërisë: të bashkohemi për mbrojtje efektive të fëmijëve me modelin ‘Barnahus’ (Elevating Excellence: Uniting for Effective Child Protection with the Barnahus Model” të organizuar në Podgoricë nga Qeveria e Malit të Zi, UNICEF-i dhe Këshilli i Evropës, me mbështetjen e BE-së.
“Nëse zbatohet mirë, është shpresë për fëmijët e mbijetuar dhe dëshmitarë të dhunës dhe është në harmoni me parimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, duke përfshirë interesin më të mirë të fëmijës, të drejtën e fëmijëve për t’u dëgjuar në procedura gjyqësore dhe tjera që i prekin ata, të drejtën për të jetuar, mbijetuar dhe zhvilluar dhe të drejtën për t’u mbrojtur nga të gjitha format e dhunës,” shpjegon Regina.
Kur ishte 25 vjeç, Matthew e dërgoi xhaxhain e tij në gjykatë. Ai u ndoq penalisht dhe u dënua dhe iu ndalua më në fund kontakti më fëmijë të tjerë. Matthew kërkoi terapi, me vetëfinancim, të cilat i ka vazhduar për dekada. Terapia dhe qeni i tij miqësor Staffie i ofrojnë hapësirën e sigurt për të cilën ka nevojë për t’u shëruar dhe rikuperuar. Si avokues për modelin “Barnahus,” Mathew përshkruan modelin si “gjëja e zhvilluar më së miri nga njerëzimi për të siguruar atë që fëmijët viktima në të vërtetë kanë nevojë. Iu ndihmon të ndihen se të tjerët iu besojnë, e cila është mirësia më thelbësore që mund t’i japim një fëmije i cili është sulmuar seksualisht.” Duke folur në konferencën rajonale, Matthew shpjegon “Dhe nëse shteti juaj ende është duke i zvarritur fëmijët e përdhunuar nëpër sallat e gjykatave dhe duke i marrë në pyetje, atëherë ai me vetëdije dhe me dashje nuk është duke i përmbushur zotimet që i ka bërë në KDF.”