Kompania Piece of Cake dhuron 300,000 dollarë për qendrën e parë të kujdesit familjar në Mal të Zi
Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 6 maj 2026 – Piece of Cake, kompani me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e udhëhequr nga shtetasi malazez Vojin Popović, ka dhuruar 300,000 dollarë për UNICEF-in për të mbështetur Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë në themelimin e Qendrës së parë për Kujdes Familjare në Mal të Zi, me synimin për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis të sigurt familjar.
Damir Gutić, Ministër i Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë i Malit të Zi, tha se kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të reformës së sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.
“Qendra e Kujdesit Familjar, e paraparë me Strategjinë e Deinstitucionalizimit 2025–2028, do të luajë rol kyç në forcimin e kujdesit familjar në Mal të Zi. Duke zgjeruar mbështetjen profesionale për familjet kujdestare, ne do të kontribuojmë në parandalimin e vendosjes së panevojshme të fëmijëve në institucione dhe në përmirësimin e cilësisë dhe qasshmërisë së shërbimeve sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë vendin”, tha Ministri Gutić.
Rreth 80 fëmijë aktualisht jetojnë në institucione rezidenciale në Mal të Zi, duke përfshirë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe fëmijë që jetojnë në rrethana të pafavorshme.
“Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar”, tha Michele Servadei, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi. “Themelimi i Qendrës së Kujdesit Familjar do të ndihmojë për të siguruar që fëmijët pa kujdes të duhur prindëror të rriten në një mjedis të sigurt familjar, me dashurinë dhe stabilitetin që u nevojitet për t’u zhvilluar.”
Sipas një analize rajonale të sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve në Evropë dhe Azi Qendrore, të publikuar nga UNICEF në vitin 2024, kujdesi institucional në shkallë të gjerë mund të kushtojë tri deri në pesë herë më shumë për çdo fëmijë sesa kujdesi familjar. Prandaj, forcimi i kujdesit familjar konsiderohet një zgjidhje më e qëndrueshme dhe më ekonomike sesa mbështetja afatgjatë në kujdesin institucional, duke sjellë njëkohësisht rezultate më të mira për fëmijët.
Vojin Popović, Kryeshef Ekzekutiv i Piece of Cake, tha se kompania e sheh angazhimin e sektorit privat si një mënyrë të rëndësishme për arritjen e përmirësimeve afatgjata në mbrojtjen e fëmijëve.
“Duke kontribuar në themelimin e Qendrës së Kujdesit Familjar, ne po investojmë në zgjidhje që forcojnë kujdesin e bazuar në familje për fëmijët në Mal të Zi. Ne besojmë se sektori privat mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e reformave që sjellin rezultate të qëndrueshme për fëmijët”, tha Popović.
Ky partneritet 18 mujor do të mundësojë themelimin e një Qendre Kombëtare të Kujdesit Familjar me njësi rajonale në të gjithë vendin, e cila do të identifikojë, trajnojë dhe mbështesë familjet kujdestare. Qendra do të kontribuojë në forcimin e standardeve profesionale në kujdesin familjar dhe do të mbështesë vazhdimin e tranzicionit nga kujdesi institucional në kujdesin e bazuar në familje për fëmijët.
Partneriteti me Piece of Cake konfirmon bashkëpunimin në rritje ndërmjet institucioneve publike, UNICEF-it dhe sektorit privat në zbatimin e reformave kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.