Investimet tek fëmijët janë kyçe për rritjen e ardhshme të Malit të Zi dhe reformat drejt BE-së
Kryeministri Milojko Spajić dhe Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Regina De Dominicis, u takuan në Podgoricë
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, Mali i Zi, 14 maj 2026 – Ndërsa Mali i Zi po avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, investimet më të mëdha tek fëmijët do të jenë vendimtare për uljen e varfërisë, mbrojtjen më të mirë të vajzave dhe djemve të cenueshëm nga dhuna dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e ardhshëm të punës, thanë Kryeministri Milojko Spajić dhe Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Regina De Dominicis, pas një takimi në Podgoricë.
Spajić dhe De Dominicis diskutuan rëndësinë e financimit të Planit të Veprimit të Malit të Zi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, një nismë e Bashkimit Evropian që synon uljen e varfërisë së fëmijëve dhe përmirësimin e qasjes në shërbime cilësore për fëmijët që kanë më së shumti nevojë për to. Ata diskutuan gjithashtu forcimin e koordinimit të reformave në arsim, shëndetësi, mbrojtje të fëmijëve dhe mbrojtje sociale.
“Investimet tek fëmijët sot do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e ardhshme ekonomike të vendit, stabilitetin social dhe kapitalin njerëzor”, tha Kryeministri Milojko Spajić. “Garancia Evropiane për Fëmijët është një mundësi për të përshpejtuar uljen e varfërisë së fëmijëve, për të forcuar mbështetjen për vajzat dhe djemtë më të cenueshëm dhe për t’i vendosur fëmijët në qendër të zhvillimit afatgjatë social dhe ekonomik të Malit të Zi.”
De Dominicis përshëndeti progresin e Malit të Zi në uljen e varfërisë së fëmijëve, duke përfshirë përmes shtesës universale për fëmijë, duke theksuar se në vendet e OBZHE-së, disavantazhi gjatë fëmijërisë mund të çojë në humbje vjetore të BPV-së deri në 3.4 përqind.
“Ndërsa Mali i Zi avancon drejt anëtarësimit në BE, UNICEF mbetet i përkushtuar të punojë ngushtë me Qeverinë dhe BE-në për ta funksionalizuar Garancinë Evropiane për Fëmijët, një mjet i fuqishëm për të siguruar që çdo fëmijë në rrezik nga varfëria ose përjashtimi social të ketë qasje në shërbime që janë kyçe për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre”, tha Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore.
Ata diskutuan gjithashtu mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, në shtëpi, në shkolla dhe në internet; forcimin e mbështetjes për shëndetin mendor; si dhe ndihmën për të rinjtë në zhvillimin e aftësive digjitale dhe sipërmarrëse të nevojshme në një ekonomi në ndryshim.
Spajić dhe De Dominicis theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe sektorit privat për të ndihmuar që reformat e ndërlidhura me rrugën e Malit të Zi drejt BE-së të sjellin përmirësime konkrete në jetën e fëmijëve.