AstraZeneca është vaksinë e sigurt

Verifikim faktesh

Dunja Djuranovic, Reportere e re e UNICEF-it
fact checking blog visual
UNICEF Mali i Zi
14 Prill 2021

Në kohën e vaksinimit kundër COVID-19, pjesë të ndryshme të informatave të paverifikuara në lidhje me sigurinë e vaksinave dhe ndikimin e tyre në shëndetin e personave të vaksinuar janë publikuar në media dhe në rrjetet sociale. Pas njoftimit se vaksinat nga Bashkimi Evropian do të arrijnë në Malin e Zi në fund të muajit mars, kishte shumë komente në rrjetet sociale duke thënë se “vaksina AstraZeneca nuk është e sigurt sepse shkakton trombozë dhe vdekje tek personat e vaksinuar”. Këto komente u mbështetën nga vendime të mëparshme nga disa vende evropiane për të pezulluar vaksinimin duke përdorur këtë vaksinë derisa të kryheshin teste shtesë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë më pas shpjegoi se rastet e trombozës nuk ishin medoemos të lidhura me vaksinën dhe se është sëmundja e tretë më e zakonshme kardiovaskulare. Prandaj, ata mbështetën vazhdimin e imunizimit, megjithëse vunë në dukje se patjetër duhej të shqyrtohej nëse ato sëmundje kishin lidhje me vaksinën.

AstraZeneca raportoi se mbi 17 milion persona kishin marrë vaksinën në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar, midis të cilëve kishte më pak se 40 raste të trombozës.

"Ne i mbajmë nën vëzhgim efektet e këtyre vaksinave gjatë gjithë kohës dhe e dimë se vaksina Oxford-AstraZeneca po shpëton jetë në këtë kohë në Mbretërinë e Bashkuar, prandaj nëse pranoni thirrjen, merrni vaksinën", tha Ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, raporton BBC.

Prova testuese e SHBA-ve e  vaksinës Oxford-AstraZeneca konfirmon se vaksina është e sigurt dhe shumë efektive. BBC shkruan se më shumë se 32,000 vullnetarë morën pjesë në provën testuese, të cilët ishin kryesisht nga SHBA-të, por kishte edhe nga Kili dhe Peruja.

"Vaksina ishte 79% efektive në ndalimin e sëmundjes simptomatike të COVID-19 dhe 100% efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë me COVID-19. Dhe nuk kishte probleme sigurie në lidhje me mpiksjen e gjakut".

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar shprehën mendimin e tyre, duke pohuar se përfitimet nga vaksina AstraZeneca ende tejkalojnë rreziqet.

"Pas vëzhgimit rigoroz shkencor, agjencitë rregullatore kanë arritur në përfundimin se nuk ka asnjë provë se mpiksjet e gjakut në vena po ndodhin më shumë sesa do të pritej në mungesë të vaksinimit. Provat testuese janë në vazhdim e sipër, dhe nuk është krijuar deri më tani asnjë lidhje shkak-pasojë me vaksinën. Ngjarjet tromboembolike dihet që ndodhin shpesh. Tromboembolia venoze është sëmundja e tretë më e zakonshme kardiovaskulare në nivel global", shpjegoi Marija Bozovic, epidemiologe në Institutin e Shëndetit Publik të Malit të Zi (ISHP), për mediat malazeze.

Ajo shtoi se në fushatat e gjera të vaksinimit, vendet kishin treguar ngjarje të mundshme negative pas imunizimit në baza rutinore. "Kjo nuk nënkupton se medoemos ngjarjet lidhen me vetë vaksinimin, megjithatë është praktikë e mirë t'i hetojmë ato", tha Bozovic.

Reporterët e rinj të UNICEF-it pyetën edhe Senad Begic, epidemiolog në ISHP, lidhur me këto raste. Ai shpjegoi se ishte vërejtur dhe regjistruar një kombinim i trombozës (formimi i mpiksjes) dhe trombocitopenisë (rënie në numrin e trombociteve - plateleteve, që janë elemente përgjegjëse për ndalimin e gjakderdhjes pas dëmtimit të enës së gjakut), pasuar nga gjakderdhja në disa raste, jashtëzakonisht të rralla, pas vaksinimit me vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19.

Rastet përfshinin disa raste të rënda të regjistruara të trombozës venoze në ‘vende të pazakonta’, të tilla si: sistemi nervor qendror - tromboza e sinusit venoz cerebral, barku, si dhe tromboza arteriale e pasuar nga trombocitopenia. Shumica e atyre rasteve ndodhën në shtatë deri në 14 ditët e para pas vaksinimit, kryesisht në gratë nën moshën 55 vjeç", tha Begic.

Ai shpjegoi se, bazuar në ato ngjarje, autoriteti i përhershëm EMA për sigurinë e barnave kishte kryer një hetim të plotë dhe deklaroi se një analizë e plotë kishte vërtetuar pikat në vijim:

  • Përfitimet dhe përparësitë e përdorimit të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 tejkalojnë rreziqet e mundshme dhe shoqërimin e mundshëm me raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut me trombocitet të ulët.
  • Kombinimi i trombozës dhe trombocitopenisë, në disa raste i shoqëruar me gjakderdhje, është vërejtur jashtëzakonisht rrallë pas vaksinimit me vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19. Sidoqoftë, profesionistët e kujdesit shëndetësor këshillohen të jenë vigjilentë dhe të monitorojnë dhe të kërkojnë shenja dhe simptoma të tromboembolizmit dhe/ose të trombocitopenisë.
  • Personat e vaksinuar në BE këshillohen të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma të tilla si: vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, ënjtje të këmbëve dhe dhimbje të përhershme të barkut pas vaksinimit. Përveç kësaj, të gjithë personat me dhimbje koke të vazhdueshme dhe vizion të paqartë pas vaksinimit, ose personat që zhvillojnë mavijosje në lëkurë disa ditë më pas, jo në vendin e injektimit, duhet të kërkojnë ekzaminim mjekësor.
  • Mbi 11 milion doza të vaksinës janë dhënë në Mbretërinë e Bashkuar, një numër i personave të vaksinuar i cili tejkalon çdo studim.

Organi mbikëqyrës dhe rregullator i Mbretërisë së Bashkuar arriti në përfundimin se nuk kishte asnjë dëshmi që sugjeronte se mpiksjet e gjakut në vena ndodhën me një frekuencë më të lartë se sa do të pritej në mungesë të vaksinimit në popullatën e përgjithshme. Kështu, nuk u gjetën dallime kur u krahasua frekuenca e atyre ngjarjeve në popullatat e vaksinuara me vaksinën AstraZeneca me frekuencën e tyre në popullatat e pavaksinuara.

Në përpjekje për të kontribuuar në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave lidhur me koronavirusin dhe për të promovuar burime të besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojmë saktësinë e informacioneve të publikuara në mediat sociale dhe në mediat që kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e platformës për shpalosje publike “Raskrinkavanje” dhe kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj në dispozicion të publikut.