5G – Dezinformata e cila po qarkullon ende

Reporterët e rinj të UNICEF-it na kujtojnë pohimet e ekspertëve se gjenerata e pestë e internetit mobil nuk e shkatërron botën e gjallë, e as nuk është duke

Lana Jovanović dhe Lara Bulatović
Verifikim faktesh
UNICEF Crna Gora
16 Tetor 2020

Megjithëse publiku ekspert ka paralajmëruar vazhdimisht se gjenerata e pestë e internetit mobil nuk është duke e shkatërruar botën e gjallë e as nuk është duke e përhapur virusin, dezinformatat rreth 5G vazhdojnë të publikohen në media dhe të përhapen në rrjetet sociale. Reporterët e rinj të UNICEF-it së fundmi kanë gjetur një artikull në portalin online alo.rs rreth një shkencëtari të ri serb i cili pohoi se, me futjen e rrjetit 5G, ne do të bëheshim diabetikë, se zogjtë do të fillonin të ngordhnin dhe se e gjithë bota do të ndryshonte. Duke përdorur Crowdtangle, kemi vërejtur se gjysmë milioni përdorues e kanë parë këtë artikull në rrjetin social Facebook, që do të thotë se ekziston një tendencë që artikujt që nuk bazohen në fakte shkencore të ndahen shumë shpejt me të tjerët.

Fact checking visual
UNICEF Crna Gora

Në këtë artikull, një shkencëtar i ri nga Serbia thotë se rrjeti 5G mund të ketë pasoja negative në shëndetin tonë dhe se gjatë hulumtimit të tij ai nuk gjeti një veçori të vetme pozitive të këtij rrjeti, një teknologji që në të vërtetë është e dobishme dhe e padëmshme. Ai gjithashtu beson se arsyeja e ngordhjes së zogjve në Holandë është e lidhur me rrjetin 5G.

Është e vërtetë se qindra zogj dhe harabela ngordhën në Hagë në mes 19 tetorit dhe 3 nëntorit 2018. Megjithatë, hulumtimi i detajuar i kryer nga Qendra Holandeze e Shëndetit të Botës së Egër (ang. "Dutch Wildlife Health Centre"), Universiteti Erasmus, dhe Universiteti Ghent konstatoi se ngordhja e zogjve nuk ishte shkaktuar nga rrjeti 5G, por me shumë gjasë nga helmimi.

Pas pretendimeve të pasakta për ndikimin e 5G tek zogjtë, u shfaq një teori e re konspiracioni – se rrjeti 5G është duke e përhapur koronavirusin.

Sidoqoftë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), viruset nuk mund të transmetohen me anë të valëve të radios që transmetohen nga pajisjet e telekomunikimit. Kjo është konfirmuar nga fakti që koronavirusi është i pranishëm edhe në vendet që nuk e kanë rrjetin 5G. Organizata Botërore e Shëndetësisë na përkujton se koronavirusi transmetohet me anë të spërklave të frymëmarrjes, kur një person flet, kollitet ose teshtin. Një person mund ta marrë virusin nëse bie në kontakt me një sipërfaqe të infektuar dhe pastaj prek sytë, hundën ose gojën.

Uebfaqe dhe tabloide të ndryshme kanë shkruar për këtë temë, por pyetjet kryesore janë: a është i sigurt rrjeti 5G?; a mund të ndikojë në shëndetin tonë?; dhe a do ta ndryshojë botën?

Rrjeti 5G (gjenerata e pestë e internetit mobil) u lansua në disa pjesë të botës qysh në vitin 2018. Ky rrjet mundëson shpejtësi shumë më të lartë të internetit, që nënkupton ngarkim dhe dërgim më të shpejtë të të dhënave. Mundëson që më shumë njerëz të përdorin të njëjtin rrjet, pa shkëputje, vonesa ose probleme të ngjashme.

 Ekspertët pohojnë se 5G është rrjet i sigurt dhe se nuk duhet të fajësohet për ngordhjet e zogjve dhe përhapjen e koronavirusit.

Ky rrjet nuk është i dëmshëm për shëndetin tonë. Sidoqoftë, përdorimi i tepruar i teknologjisë dhe leximi i informacionit që nuk është i saktë janë të dëmshëm për shëndetin tonë! Pra, le të zgjedhim atë që shikojmë, dëgjojmë dhe lexojmë!

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë qenë duke e verifikuar saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.