Mbrojtja e Fëmijëve nga Varfëria dhe Dhuna

UNICEF-i në Kosovë siguron që sistemet qendrore dhe lokale të mbrojtjes së fëmijëve janë të fuqishme dhe të integruara si dhe mund të ofrojnë shërbime parandaluese dhe të përgjegjshme për adresimin e abuzimit, lënies pas dore dhe shfrytëzimit të fëmijëve.

Children during DokuKids workshop at DokuFest 2022
UNICEF/2022/S.Karahoda

Sfidat

Shumë fëmijë në Kosovë janë të privuar nga qasja në mjedis të sigurt shtëpiak, shërbime thelbësore dhe mundësi të barabarta për ta arritur potencialin e tyre të plotë. Derisa UNICEF-i ka punuar në adresimin e shumicës së këtyre çështjeve, dhunës ndaj fëmijëve, mungesës së infrastrukturës për t’i mbështetur fëmijët me aftësi të kufizuara, zhvillimin e një sistemi për kujdesin alternativ të fëmijëve që nuk mund të jetojnë me prindërit e tyre dhe një sistemi të ri të drejtësisë për të miturit vazhdojnë të shkaktojnë dhimbje që vazhdimisht janë në rritje.

Përderisa institucionet në Kosovë kanë punuar për ta adresuar dhunën ndaj fëmijëve përmes legjislacionit dhe politikave, disiplinën e dhunshme dhe format tjera të abuzimit që vazhdojnë të jenë të pranuara nga shoqëria, pavarësisht ndikimeve të njohura afatgjata zhvillimore tek fëmijët dhe shoqëria më gjerë. Rastet e dhunës ndaj fëmijëve në Kosovë shpesh nuk raportohen, dhe mbi 60 për qind e fëmijëve (70 për qind e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë) të moshës 1-14 është raportuar se kanë përjetuar ndëshkim fizik ose agresion psikologjik. Vazhdojnë reagime të dobëta institucionale ndaj dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë mungesën e shërbimeve të duhura për parandalim, mbrojtje ose ri-integrim të viktimave dhe dëshmitarëve të dhunës. Mungon edhe trajnimi sistematik i ndjeshëm ndaj fëmijëve për profesionistët që reagojnë në këto situata, përfshirë zyrtarët policorë, prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe punëtorët socialë.

Iniciativat që synojnë adresimin e dhunës dhe bullizmit në shkolla në Kosovë janë të pakta dhe qasjet e bazuara në evidenca mungojnë pasi ato nuk konsiderohen si prioritet nga politikëbërësit, drejtorët e shkollave dhe mësuesit. Shkollave u mungojnë gjithashtu psikologët që mund të nxisin zbatimin e programeve kundër dhunës në shkollë dhe parandalimit të ngacmimeve.

Numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk dihet, por gjendja e tyre mbetet shumë shqetësuese. Sipas Anketave të Grupeve me Tregues të Shumëfishtë (Multiple Indicator Cluster Surveys- MICS) të kryera nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në partneritet me UNICEF-in në vitin 2020, ku 8 për qind e fëmijëve të moshës 2-17 vjeç janë raportuar që kanë vështirësi funksionale të paktën në njërën fushë. Aftësitë e kufizuara dhe vështirësitë funksionale më së shpeshti identifikohen pasi fëmija fillon shkollën dhe shumë prej këtyre nxënësve nuk kanë plane individuale për t’i adresuar aftësitë e tyre të kufizuara. Shërbimet e koordinuara dhe legjislacioni ende janë të papërshtatshme për shkak të kuptimit të kufizuar profesional për aftësitë e kufizuara dhe burimeve të tensionuara njerëzore dhe financiare.

Vetëm 1 në 4 fëmijë në situatë rruge është aktualisht duke vijuar shkollimin.

Fëmijët në situatë rruge janë ndër fëmijët më të margjinalizuar. Ata përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të tyre para dhe gjatë qëndrimit në rrugë. Këta fëmijë përballen me privime të shumta, duke përfshirë mungesën e qasjes në shërbimet bazë, dhunën, abuzimin, neglizhimin dhe shfrytëzimin, si dhe abuzimin me alkool dhe substanca.

Për shumicën e fëmijëve, 88% është varfëria, arsyeja kryesore për përfshirjen e tyre në rrugë dhe 20% kanë qenë në rrugë për më pak se 6 muaj. Ndërsa më shumë se gjysma e fëmijëve kanë vijuar shkollimin në një moment të jetës së tyre. Aktualisht rreth 75% raportojnë se nuk shkojnë në shkollë, dhe kjo ishte njësoj si tek djemtë dhe vajzat.

Sigurimi i një diapazoni të gjerë opsionesh alternative të kujdesit alternativ është kritike për një sistem efektiv për mbrojtjen e fëmijëve. Shërbimet alternative të kujdesit si përkujdesja farefisnore, përkujdesja familjare dhe kujdestaria, vazhdojnë të zhvillohen në Kosovë. Prapëseprapë, shumë sfida në sistemin e kujdesit alternativ duhet të adresohen përpara se ta arrijë potencialin e tij të plotë. Aktualisht, 47 fëmijë janë në përkujdesje familjare, 20 për qind e të cilëve janë me aftësi të kufizuara dhe 425 fëmijë janë nën kujdesin farefisnor. Vazhdon të ketë mungesë të familjeve kujdestare profesionale—vetëm 17 nga 38 komunat e Kosovës kanë familje të licencuara për përkujdesje. Është bërë përparim në ofrimin e kujdesit për foshnjat e braktisura, por përkujdesja familjare ka dështuar të zbatohet në praktikë për fëmijët e abuzuar, trafikuar ose që i janë ekspozuar dhunës. Ndryshe nga shumica e fqinjëve të vet, Kosova nuk i strehon fëmijët nëpër institucione me numër të madh të fëmijëve. Sidoqoftë, disa fëmijë vazhdojnë të banojnë në shtëpi banimi për fëmijë në periudha më të gjata. Sapo fëmija kalon moshën për kujdes alternativ, ka pak programe për ta siguruar kalimin e suksesshëm të tij në moshën e rritur. Edhe fëmijët me aftësi të kufizuara apo pa përkujdesje prindërore nuk marrin kurrfarë mbështetje financiare nga shteti apo shërbime të veçanta sociale për ta mbështetur jetën e pavarur të tyre. Veprimi legjislativ, zhvillimi i politikave, zhvillimi i kapaciteteve të punëtorëve në vijën e parë dhe shërbimeve të reja mbështetëse janë vendimtare për përmirësimin e situatës së këtyre fëmijëve.

Kosova ka punuar në zhvillimin e një sistemi solid të drejtësisë për të miturit për t'u shërbyer më mirë fëmijëve të moshës 14-18 vjeç që kanë probleme me ligjin. Ligjet, procedurat, institucionet dhe kapacitetet e kërkuara kryesisht janë të vendosura dhe paraburgimi përdoret vetëm si mjet i fundit. Mbetet sfiduese për fëmijët nën përgjegjësi penale të kenë qasje në shërbime të specializuara si këshillimi, programet për parandalimin e delikuencës, arsimimi, programet profesionale dhe ato për aftësi jetësore si dhe programet e rehabilitimit për shkelësit e mitur. Sfida tjera përfshijnë kapacitetin e kufizuar dhe mungesën e koordinimit mes shërbimeve korrektuese dhe sprovuese si dhe qendrave për punë sociale, gjë që pengon ri-integrimin efektiv social dhe parandalimin e recidivizmit.

Zgjidhjet

UNICEF-i në Kosovë punon me partnerë për t’i modeluar dhe rritur mundësitë për zgjidhje dhe ndërhyrje premtuese në mbrojtjen e fëmijëve. Ne mbështesim zhvillimin e strategjive të komunikimit dhe mobilizojmë komunitetet dhe ofruesit e shërbimeve për t’i ndryshuar normat sociale dhe për ta parandaluar dhunën ndaj fëmijëve. Ofrojmë asistencë teknike dhe këshilla ekspertësh për institucionet vendore dhe qendrore për ta zhvilluar një sistem të fortë dhe të koordinuar mirë për mbrojtjen e fëmijëve.

UNICEF-i në Kosovë mbështet zhvillimin e legjislacionit dytësor kritik për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve ka vazhduar me miratimin e 13 Udhëzimeve Administrative. Është zhvilluar një program trajnimi për zbatimin e Ligjit për profesionistët e mbrojtjes së fëmijëve dhe punëtorët e tjerë të vijës së parë.

Ne vazhdojmë t’i mbështesim institucionet vendore dhe qendrore për të krijuar mekanizma efektivë të koordinimit dhe monitorimit të mbrojtjes së fëmijëve për të siguruar zbatim, monitorim dhe ofrim më të mirë të shërbimeve të integruara të mbrojtjes së fëmijëve.

UNICEF-i në Kosovë punon me autoritetet lokale dhe institucionet përkatëse për avokimin e burimeve të duhura financiare dhe njerëzore për zbatimin e programeve dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve. Mbështesim edhe zhvillimin e trajnimit para shërbimit dhe gjatë shërbimit për punëtorët socialë si dhe për ofruesit tjerë të shërbimeve në vijën e parë për ta përmirësuar menaxhimin e rasteve për mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë rastet me rrezik të lartë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ne vazhdojmë të mbështesim institucionet në avancimin e agjendës për të drejtat e fëmijëve në Kosovë. Miratimi i ligjit të ri për Shërbimet Sociale dhe Familjare do të sjellë reforma të rëndësishme në shërbimet sociale. Ai synon të përmirësojë jetën e fëmijëve, familjeve dhe atyre në nevojë duke ofruar një gamë më të gjerë shërbimesh sociale, duke përfshirë disa alternativa si ato  parandaluese, mbrojtëse dhe rehabilituese.

Ne i mbështesim Qendrat për Punë Sociale dhe hisedarët tjerë në komunat anembanë Kosovës për të siguruar që modelet e rehabilitimit të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara, të bazuara në qasje bio-psiko-sociale të jenë funksionale dhe të zbatohen. E mbështesim edhe rishikimin e “projektligjit për vlerësimin, njohjen e statusit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara” për tu ndihmuar që ai t'u përmbahet standardeve rajonale dhe globale dhe praktikave më të mira për shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ne po punojmë me partnerë për të ndihmuar fëmijët e cenueshëm në situatë rruge dhe për t'u ofruar atyre mbështetjen dhe shërbimet e nevojshme për integrimin e tyre të plotë në shoqëri. Është thelbësore që të gjitha përgjigjet për adresimin e nevojave të fëmijëve në situatë rruge të vendosen formalisht brenda një qasjeje të bazuar në të drejtat e fëmijëve në përputhje me Komitetin për të Drejtat e Fëmijës Komenti i Përgjithshëm nr. 21 mbi Fëmijët në Situata Rruge (2017).

Asistenca jonë teknike përmirëson edhe kapacitetet e punëtoreve socialë për ofrimin e shërbimeve psiko-sociale për fëmijët pa përkudesje prindërore. Koordinimi me ministritë dhe partnerët përkatës do ta rrisë numrin dhe mbështetjen e familjeve përkujdesëse, përmirësojë shërbimet e specializuara të kujdesit alternativ me bazë në familje dhe zhvillojë kapacitetin për t’i monitoruar shërbimet alternative të kujdesit.

Në fund, UNICEF-i i këshillon institucionet e Kosovës për zbatimin e programeve të drejtësisë për të miturit për ta adresuar më mirë parandalimin, alternativat e paraburgimit, përmirësimin e trajnimit profesional dhe të aftësive jetësore si dhe riintegrimin e të rinjve në kontakt me ligjin në komunitetet e tyre.