Dita Botërore e Fëmijëve 2024: Thirrje për të "Dëgjuar të Ardhmen" dhe Mbështetur të Drejtat e Fëmijëve

20 Nëntor 2024
English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Prishtinë, 20 nëntor 2024 – Sot, po shënojmë Ditën Botërore të Fëmijëve, ditë kjo që na rikujton faktin e miratimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (CRC). Kjo konventë historike është fanar i garantimit të të drejtave të çdo fëmije për jetë, shëndet, arsim dhe mbrojtje.

Tema e këtij viti, "Dëgjo të ardhmen!", thekson nevojën për dialog midis brezave, duke i inkurajuar fëmijët të ndajnë vizionet e tyre për të ardhmen, teksa i nxit të rriturit të dëgjojnë dhe t'i përfshijnë këto perspektiva në vendimet që do të formësojnë botën që brezi i ardhshëm do ta trashëgojë.

“Teksa shënojm këtë ditë, duhet të kujtojmë se të drejtat e fëmijëve janë të panegociueshme. E ardhmja e fëmijëve varet nga aftësia jonë për t'i dëgjuar ata dhe për t'i dhënë prioritet mirëqenies së tyre në çdo vendim që marrim,” – tha Shefja e UNICEF-it në Kosovë znj. Veronika Vashchenko

"Fëmijët janë fillimi, mesi dhe fundi i kësaj historie. Investimet, partneritetet dhe politikat tona ekzistojnë për shkak të tyre dhe zërat e tyre do të formësojnë shoqërinë përfshirëse që ne përpiqemi të ndërtojmë", tha Aivo Orav, Ambasador i BE-së në Kosovë.

Në Kosovë, Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit ka mbajtur Komitetin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, i cili ka rol kritik në koordinimin e politikave dhe iniciativave që synojnë avancimin e të drejtave të fëmijëve. Puna e këtij komiteti siguron që fëmijët të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në shoqëri dhe që zëri i tyre të dëgjohet në proceset e politikë-bërjes.

Avokuesit e rinj Esra, Bekimi dhe Adriatiku patën mundësinë të paraqesin pikëpamjet e tyre për fushatën “Zgjidhe lomshin”, lëvizje për përfshirje më të madhe të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. Komiteti u kryesua nga Kryeministri i Kosovës me pjesëmarrjen e ministrive të linjës, UNICEF-it, KOMF-it dhe fëmijëve. Këta liderë të rinj paraqitën një sërë kërkesash për të ndihmuar në realizimin e plotë të të drejtave të fëmijëve dhe promovimin e përfshirjes sociale.

Gjithashtu, në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, UNICEF-i, së bashku me Bashkimin Evropian në Kosovë, mblodhën avokues të rinj dhe fëmijë, zyrtarë qeveritarë, partnerë ndërkombëtarë dhe aktivistë të shoqërisë civile në “Dëgjo të ardhmen!”. Kjo ngjarje theksoi rëndësinë e përqendrimit të zërit të fëmijëve në formësimin e një të ardhmeje që respekton dhe mbron të drejtat e tyre.

Të rinjtë dhe fëmijët patën mundësinë të ndajnë historitë e tyre personale  dhe të diskutojnë vizionin e tyre për të ardhmen me Ambasadorin e BE-së në Kosovë z. Aivo Orav, Ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci, Shefin e Zyrës për Qeverisje të Mirë z. Habit Hajredini, Koordinatoren e OKB-së për Zhvillim në Kosovë znj. Arnhild Spence, Shefen e Zyrës së UNICEF-it znj. Veronika Vashchenko, si dhe ambasadorët e Japonisë dhe Republikës Çeke në Kosovë dhe drejtues nga shoqëria civile.

Moment kyç i ngjarjes së sotme ishte njohja e iniciativës së financuar nga BE-ja “Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë”, e cila ka pasur ndikim transformues në jetën e disa prej fëmijëve më të cenueshëm të Kosovës – atyre që jetojnë në gjendje rruge, fëmijëve me aftësi të kufizuara, ata që janë në konflikt me ligjin dhe ata që janë në rrezik dhune.

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, UNICEF-i në Kosovë me partnerët, gjithashtu festoi progresin e konsiderueshëm të arritur në themelimin e ekipeve për të drejtat e fëmijëve në 34 komuna, siç kërkohet me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. Pika të tjera të rëndësishme përfshijnë miratimin e Ligjit të ri për Arsimin në Fëmijërinë e Hershme, Ligjin e ri për Shërbimet Sociale dhe Familjare dhe futjen e përfitimeve universale të fëmijëve për fëmijët e moshës 0-16 vjeç. Përveç kësaj, miratimi i Strategjisë Kombëtare për Rininë 2024-2032 do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve dhe të rinjve në mbarë Kosovën.

Pavarësisht këtyre përparimeve, mbeten sfida të konsiderueshme. Aktualisht, vetëm 15 për qind e fëmijëve të moshës 3 vjeç ndjekin programe të arsimit të hershëm, e që paraqet shkallën më të ulët në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Për më tepër, rreth 1 në 7 nëna të fëmijëve të moshës 1-14 vjeç raportojnë se ndëshkimi fizik është mjet i domosdoshëm për rritjen e fëmijëve. Një studim i fundit zbuloi gjithashtu se vetëm 1 në 4 fëmijë në gjendje rruge ka qasje në arsim, duke theksuar nevojën urgjente për mbështetje gjithëpërfshirëse sociale dhe burime arsimore. Më tej, fëmijët e Kosovës përballen me rreziqe nga faktorët e mjedisit si ekspozimi ndaj ndotjes PM2.5, që shpesh është mbi 25 herë më shumë se kufiri i sigurt, duke paraqitur kësisoj rrezik të konsiderueshëm për shëndetin, veçanërisht për shëndetin respirator të fëmijëve.

Në përputhje me Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, UNICEF-i dhe BE-ja përsërisin thirrjen e tyre drejtuar udhëheqësve të qeverisë, shoqërisë civile dhe komuniteteve që të sigurojnë përkushtimin për avancimin e të drejtave të të gjithë fëmijëve, sigurimin e qasjes për shërbimet bazë për fëmijët e cenueshëm si dhe për të ndërmarrë veprime për të mbrojtur më mirë të gjithë fëmijët dhe për t'i vendosur ata në qendër të politikave dhe vendimmarrjes. 

Dita Botërore e Fëmijëve 2024 shërben si rikujtim se themeli i një të ardhmeje të drejtë dhe të qëndrueshme ndërtohet duke siguruar që të drejtat e çdo fëmije mbrohen, respektohen dhe mbështeten.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme