Mbrojtja Sociale

Përkujdesja dhe Mbrojtja

little toddler posing and smiling
UNICEF Albania/2026/Prifti

Vizioni

Deri në vitin 2031, në Shqipëri do të ketë më pak fëmijë që jetojnë në rrezik varfërie dhe përjashtimi. Fëmijët në situata të vështira, fëmijët në konflikt me ligjin dhe ata në kontakt me sistemin e drejtësisë do të jenë më të mbrojtur nga dhuna, do të kenë mundësi të kërkojnë drejtësi dhe do të gëzojnë shëndet të mirë, ushqyerje të përshtatshme dhe zhvillim të mbarë.

Në Shqipëri, shumë fëmijë kanë nevojë për pak më shumë mbështetje që të rriten të lumtur dhe të shëndetshëm. Disa prej tyre nuk kanë të njëjtat mundësi si fëmijët e tjerë dhe përballen me vështirësi që e bëjnë jetën më të vështirë. Vizioni i UNICEF-it për vitin 2031 synon që të gjithë fëmijët, veçanërisht ata që jetojnë në varfëri ose janë në situata vulnerabël, të kenë akses në gjithçka që u nevojitet për të qenë të sigurt, të shëndetshëm dhe të lumtur. Synimi është të sigurohet që çdo fëmijë të mund të ndjekë shkollën, të marrë kujdes mjekësor kur sëmuret dhe të jetojë në një mjedis të sigurt dhe të dashur.

Për ta bërë këtë vizion realitet, UNICEF-i po punon ngushtë me ministritë e linjës, si Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit. Së bashku, ato po hartojnë një plan të quajtur Plani i Garancisë për Fëmijët, i cili zbatohet për periudhën 2024–2030.

Plani Kombëtar i Veprimit për Garancinë për Fëmijët synon të sigurojë që fëmijët në rrezik varfërie ose përjashtimi social të kenë akses në shërbime thelbësore, si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe ushqyerja e përshtatshme. Objektivat kryesore të tij janë ofrimi i këtyre shërbimeve jetike, ulja e varfërisë dhe përjashtimit social të fëmijëve, ofrimi i mbështetjes së synuar për grupet vulnerabël, si pakicat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për mirëqenien e fëmijëve, në mënyrë që ato t’u përgjigjen më mirë nevojave të të gjithë fëmijëve.

Këto objektiva janë pjesë e një nisme më të gjerë evropiane për të trajtuar varfërinë dhe pabarazitë që prekin fëmijët, duke synuar që çdo fëmijë të ketë mundësi të zhvillohet, të përmbushë potencialin e tij dhe të bëjë një jetë të plotë dhe dinjitoze.

Sfidat

Çfarë përfshin ky plan:

  • Të sigurohemi që njerëzit që kujdesen për fëmijët të jenë të përgatitur dhe trajnuar sa mirë: si për shembull punonjësit socialë, të jenë të trajnuar mirë dhe të dinë saktësisht se si të ndihmojnë. Ata po e mbështesin qeverinë për të siguruar që fëmijët të marrin përfitimet dhe shërbimet e veçanta kur kanë nevojë për to.
  • Mbajtja e familjeve së bashku: Po nxitet kalimi i fëmijëve nga institucionet e mëdha në familje të ngrohta dhe të dashura, me mbështetjen e komunitetit.
  • Ta bëjmë ligjin të funksionojë: UNICEF-i po ndihmon në krijimin e ligjeve të reja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për të siguruar që ata të jenë gjithmonë të sigurt.
  • Vende të sigurta: Që fëmijët të mund të gjejnë të gjithë mbështetjen e duhur në një vend, si për shembull të vizitohen nga një mjek, të flasin me një këshillues ose të marrin mbështetje për familjen e tyre.
  • Përkujdesje për të gjithë: Po sigurohen gjithashtu shërbime për fëmijët që kanë kaluar periudha të vështira, duke i ndihmuar të rimëkëmben dhe të ndihen më mirë.

Zgjidhja

UNICEF Albania dhe partnerët:

  • Mbështesin zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë për Fëmijët 2026–2030, si kuadri kryesor për të luftuar varfërinë dhe përjashtimin e fëmijëve.
  • Mbështesin forcimin e kapaciteteve të institucioneve kryesore përkatëse, në nivel vendor dhe kombëtar, që janë përgjegjëse për mbrojtjen sociale, mbrojtjen e fëmijëve, sistemin shëndetësor dhe sistemin e drejtësisë.
  • Përdorin të dhënat, monitorimin dhe provat për të orientuar politikat, vendimet për buxhetin dhe llogaridhënien.

Falë përpjekjeve të UNICEF-it dhe partnerëve të tij, fëmijët e Shqipërisë po rriten në një botë ku ndihen të sigurt, të dashur dhe të aftë për të zhvilluar potencialin e tyre.