Mendo para se me shpërnda

Ngacmimi online dhemb! Ai lë një ndikim afatgjatë tek fëmijët.

English
UNICEF/2024

Fëmijët dhe të rinjtë tani po kalojnë më shumë kohë në internet, gjë që ofron shumë mundësi për të mësuar, për t'u shprehur dhe për t'u lidhur me të tjerët. Interneti mund t'i zgjerojë horizontet dhe të shpalosë përvoja të reja, por sjell edhe rreziqe. Ngacmimi (bullizmi) online dhe gjuha e urrejtjes janë kërcënime të zakonshme që mund të prekin të rinjtë në rrjetet sociale dhe platformat për dërgimin e mesazheve, duke çuar kështu në shqetësime emocionale.

Studimet kanë treguar se fëmijët që përjetojnë ngacmim online kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ankthi, depresioni, vetëvlerësimi i ulët dhe tërheqja sociale. Në raste ekstreme, ngacmimi online është lidhur me vetëlëndim dhe vetëvrasje në mesin e fëmijëve të cenueshëm. Globalisht, afërsisht 20 deri në 30 përqind e fëmijëve kanë raportuar se kanë qenë viktima të ngacmimit online në një moment të caktuar në jetën e tyre, ndërsa normat (përqindjet) janë të ndryshme nëpër rajone të ndryshme.

Në Kosovë, ku mbi 90% e të rinjve kanë qasje në internet, kjo çështje është veçanërisht shqetësuese pasi fëmijët gjithnjë e më shumë angazhohen në hapësirat online për arsimim, argëtim dhe ndërveprim social. Sipas UNICEF-it, 1 në 3 të rinj në 30 shtete dhe territore, përfshirë Kosovën, thanë se kishin qenë viktimë e ngacmimit online dhe gati 50% raportuan se ndonjëherë nuk kanë shkuar në shkollë si rezultat i incidenteve të ngacmimit online. Plagët psikologjike të ngacmimit online mund të mbeten edhe në moshë madhore, duke ndikuar në marrëdhëniet e ardhshme, mundësitë e karrierës dhe cilësinë e përgjithshme të jetës.

Për ta trajtuar këtë çështje urgjente, UNICEF-i në Kosovë lansoi një fushatë online në tetor 2024 që synon luftimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus të veçantë në ngacmimin online, në partneritet me Bashkimin Evropian në Kosovë dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Fëmijët në shkolla luajtën rol të rëndësishëm dhe aktiv në fushatë duke zhvilluar përmbajtjen e videove të përdorura për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën për ta trajtuar ngacmimin online. Që nga fillimi i fushatës, videot janë shikuar më shumë se 350,000 herë. Për më tepër, u mbajtën diskutime në shkollat ​​anembanë Kosovës për t'u dhënë fëmijëve mundësinë për të diskutuar mbi ngacmimin online dhe mënyrat për të qëndruar të sigurt në ndërveprimet online.

Përmes videove tërheqëse që ngjallnin ndërveprim, seancave të drejtpërdrejta me psikologë dhe diskutimeve në nivel shkolle me fëmijët, kjo nismë avokon për një mjedis digjital më të sigurt duke promovuar ndërveprime pozitive online.

Për më shumë, ju lutemi shikoni videot më poshtë.

Resurset

Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows