Reporterët e rinj të UNICEF-it bëjnë thirrje për një qëndrim më të kujdesshëm ndaj natyrës

Asnjë fëmijë nuk meriton ajër, ujë dhe ushqim të ndotur

UNICEF Mali i Zi
Mladi reporteri u Kotoru
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022
21 Prill 2022

PODGORICË, KOTOR, 21 prill 2022– Fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë më të informuar për speciet e gjalla që na rrethojnë dhe të rriturit duhet të jenë model për ruajtjen e natyrës, thanë reporterët e rinj të UNICEF-it gjatë një vizite në Akuariumin Boka në Kotor.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Tokës (22 Prill), reporterët e rinj, me ndihmën e bashkëpunëtorëve ekspertë të Institutit për Biologji Detare, mësuan se mikroplastika është kërcënimi më i madh për ekosistemin e pasur detar në Adriatik.

Reporterja e re e UNICEF-it, Dunja Gjuranoviq, ishte e shqetësuar nga historia e rreziqeve që fshihet për breshkat e detit.

“Mësova se guaska e tyre shpeshherë dëmtohet nga skafet e shpejta që kalojnë mbi to, dhe se ato gëlltisin plastikë dhe mbyten në qese. Do të doja shumë që bashkëmoshatarët e mi, njësoj si unë, të ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit,” tha Dunja.

Kolegu i saj, reporteri Simon Peroviq, ishte i magjepsur nga oktapodët.

Simon u Akvarijumu
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022

“Mendoj se të rinjtë në Mal të Zi përgjithësisht nuk kanë shumë njohuri për botën detare, veçanërisht atë të detit Adriatik. Unë mendoj se ne duhet të zbulojmë sa më shumë që të jetë e mundur, dhe shumë specie të rrezikuara varen nga ne.”

Simon Peroviq, Reporter i ri i UNICEF-it

Reporterja e re, Helena Ivanoviq, beson se të rriturit duhet të jenë model i sjelljes dhe qëndrimit ndaj natyrës, të cilët të rinjtë do t’i imitojnë.

“Mendoj se në këtë lloj aktiviteti mësimor duhet të përfshihen sa më shumë të rinj. Ne nuk jemi mjaftueshëm të informuar për mundësi të tilla,” tha Helena.

Andrej Shljivançanin ishte i mahnitur nga kuajt e detit, rrezet dhe peshqit e ndryshëm.

“U zhgënjeva kur mësova se njerëzit nuk janë të interesuar për speciet që kemi në akuarium, por po kërkojnë për disa specie ekzotike, si peshkaqenët, "tha reporteri i ri.

Tamara Mitroviq nga Instituti i Biologjisë Detare informoi reporterët e rinj se, sipas të dhënave më të fundit, në detin Adriatik jetojnë 456 specie peshqish, nga të cilët 46 janë të rinj dhe invaziv. Ajo tha se Mesdheu është një pikë e nxehtë për shkak të faktorëve ekstremë që po ndikojnë në ndryshimin e biodiversitetit, duke zvogëluar popullatën ose duke çuar në zhdukjen e specieve.

Mladi reporteri u Akvarijumu
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022

“Do të marr shembullin e peshkut blu, Deri më tani dihej se nuk jeton në ujëra me temperatura nën 14 gradë Celsius, por sot mund ta gjejmë në Adriatikun qendror dhe verior, gjë që flet qartë për ndryshimet klimatike, që sigurisht është një nga shkaqet kryesore të rrezikimit të biodiversitetit,” tha Mitroviq.

Ajo apelojë që peshkatarët të kontaktojnë institucionet kompetente nëse vërejnë një specie të re.

Mitroviq beson se të rinjtë mund të bëjnë shumë për të mirën e natyrës dhe botës së gjallë.

“Përshtypja ime e përgjithshme është se po shkojmë në drejtimin e duhur sepse historia e ngrohjes globale dhe ndotjes detare po postohet gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale, si TikTok, Instagram ose në Netflix-in e famshëm, gjë që mendoj se është tepër e rëndësishme për popullatën e re, sepse ata janë të fokusuar kryesisht në ato kanale."

Tamara Mitroviq, Instituti i Biologjisë Detare
Tamara Mitrović
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi Juan Santander potencoi një  anketë të opinionit publik të kryer në tetor 2021 nga Ipsos me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe të UNICEF-it. Sipas këtij hulumtimi, tre të katërtat e qytetarëve malazezë pajtohen me deklaratën se ndryshimi i klimës është një kërcënim për të ardhmen e njerëzimit. Nga ana tjetër, vetëm një në 10 persona nuk pajtohet plotësisht me këtë deklaratë.

“Ka prova të bollshme që ndotja dhe ndryshimet e klimës janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për aftësinë e një fëmije për të mbijetuar, për tu rritur dhe për të lulëzuar. Asnjë fëmijë nuk meriton ajër, ujë dhe ushqim të ndotur. Çdo fëmijë meriton një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Kjo është arsyeja pse ndryshimi i klimës është një problem për të gjithë ne. Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, UNICEF u bën thirrje të gjitha palëve që të mbrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ndërmarrin veprime sot për të parandaluar ndryshimin e mëtejshëm të klimës dhe degradimin e mjedisit,” tha Santander.

Ai shtoi se, në nivel global, UNICEF vlerësoi se kërkesat për veprim klimatik janë bërë gjithnjë e më shumë të lidhura me fëmijët dhe janë lidhur me nocionet universale të drejtësisë ekonomike dhe sociale.

Akvarijum Boka
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022

“Drejtësia mjedisore dhe klimatike po ndiqet gjithnjë e më shumë përmes mjeteve formale nëpërmjet proceseve gjyqësore për klimën. Në nivel global, numri kumulativ i lëndëve të lidhura me ndryshimet e klimës është më shumë se dyfishuar që nga viti 2015. Pak më shumë se 800 raste janë deponuar midis viteve 1986 dhe 2014, ndërsa mbi 1000 raste janë ngritur në gjashtë vitet e fundit,” thuhet në Perspektivat për Fëmijët e UNICEF-it në 2022.

UNICEF Crna Gora