Raporti Vjetor 2023
UNICEF Programi në Kosovë
Highlights
Në vitin 2023, UNICEF-i vazhdoi punën me partnerët në Kosovë1 për t’u siguruar që çdo fëmijë të ketë qasje në shërbime shëndetësore cilësore dhe edukim,si dhe të gjithë fëmijët të kenë qasje në mësim cilësor nga arsimi parafillor deri në atë të mesëm, që të gjithë fëmijët – por veçanërisht ata më të cenuarit – të jenë të mbrojtur nga dhuna, abuzimi, neglizhenca dhe shfrytëzimi, dhe që adoleshentët dhe të rinjtë të fitojnë shkathtësitë e duhura për pjesëmarrje aktive në punë dhe jetë.
Rimëkëmbja e Kosovës nga efektet e pandemisë COVID-19 është ndikuar nga lufta në Ukrainë, e cila rriti koston e jetesës dhe çmimet e energjisë. Kosova gjithashtu përjetoi vërrshimet më të rënda në dekadat e fundit, në fillim të vitit 2023, ku janë prekur rreth 22,000 njerëz në mbarë vendin. Ndryshimet klimatike dhe degradimi i mjedisit, përfshirë ndotjen e ajrit, po i bëjnë fatkeqësitë si kjo më të shpeshta në Kosovë, dhe vazhdojnë të ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.
Shkalla e vdekshmërisë neonatale, foshnjeve dhe fëmijëve në Kosovë është trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian, dhe mbetet më e larta në rajon – me një shkallë të vdekshmërisë së fëmijëve prej 16 për 1000 sipas të dhënave të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) dhe gati dy herë më e lartë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptiane (27 fëmijë për 1000).
Imunizimi i fëmijëve ka filluar të rikuperohet pas pengesave gjatë COVID-19, por vaksinimi në mesin e grupeve të margjinalizuara mbetet shqetësuese.
Përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe përafrimi i tij me nevojat e tregut të punës mbetet një sfidë kryesore. Shpenzimet publike për arsimin ishin 4.7 për qind të bruto produktit vendor (BPV) në vitin 2020. Kosova ra pothuajse në fund të rezultateve të testit të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve 2022 (PISA), duke u renditur e 76-ta nga 80 vendet pjesëmarrëse për lexim, e 77-ta për shkencë dhe e 74-ta për matematikë.
Gati një e treta (33.7%) e atyre të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk janë në arsim, punësim apo trajnim (NEET). Kjo shifër është 34,9% për femrat e reja, krahasuar me 32,7% për meshkujt e rinj. Hendeku gjinor në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore në Kosovë është dukshëm më i lartë se në vendet fqinje dhe në mesin e anëtarëve të Bashkimit Evropian, me vetëm 17.1 për qind të grave të punësuara, krahasuar me 50.8 për qind të burrave, sipas të dhënave të vitit 2022.
Fëmijëve me aftësi të kufizuara u mungon qasja e duhur në arsim, si dhe në shërbime të tjera. Nevojitet më tepër mbështetje financiare për të rritur shërbimet arsimore si dhe sociale dhe shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara.
UNICEF-i ka vazhduar të mbështesë institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile në përpjekjet e tyre për të adresuar këto sfida të rëndësishme me të cilat përballen fëmijët gjatë vitit 2023, siç përshkruhet në raport.