Partneriteti me sektorin privat
Ndryshimi transformues për fëmijët mund të ndodhë vetëm përmes partneritetit
Partneriteti me një gamë të gjerë palësh të interesit sjell përfitime afatgjata për brezat e ardhshëm dhe krijon vlerë të përbashkët për të gjithë të përfshirët. UNICEF-i synon të forcojë partneritetet strategjike me sektorin privat, sektorin publik, organizatat e shoqërisë civile dhe agjencitë e tjera të OKB-së.
Ekziston një potencial në rritje që partneritetet me sektorin privat të ndikojnë pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve, të kontribuojnë në krijimin e një fuqie punëtore të shëndetshme dhe të arsimuar, si dhe të përshpejtojnë arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Bizneset janë partnerë të rëndësishëm në agjendën e UNICEF-it për fëmijët. Ato avancojnë të drejtat e fëmijëve përmes praktikave të përgjegjshme të biznesit, mbështetjes së avokimit dhe shfrytëzimit të ekspertizës, burimeve dhe inovacionit për të zhvilluar zgjidhje që përmirësojnë jetën e fëmijëve.
Për të përshpejtuar rezultatet për fëmijët në Kosovë, UNICEF-i bashkëpunon me sektorin privat.
Në vitin 2023, UNICEF-i nënshkroi partneritetin e tij të parë financiar me sektorin privat, me Devolli Corporation, një kompani vendore, për të mbështetur zhvillimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë përmes krijimit të dy qendrave komunitare për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme në komunën e Dragashit.
Po ashtu, UNICEF-i ka krijuar partneritet jo-financiar me Raiffeisen Bank Kosova (RBKO). Përmes këtij bashkëpunimi, UNICEF-i po shfrytëzon rrjetin dhe ekspertizën e sektorit privat për të forcuar mbështetjen për prindërimin, për të promovuar përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe për të përmirësuar aftësitë dhe punësueshmërinë e të rinjve në Kosovë.
Mbështetja e RBKO-së për Foleja, aplikacionin falas gjithëpërfshirës për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve nga lindja deri në moshën gjashtëvjeçare, shtrihet tek mbi 800 punonjësit e bankës, si dhe tek klientët e saj.
Për të përmirësuar më tej jetën e fëmijëve të vegjël, RBKO po mbështet zgjerimin e Programit të Vizitave në Shtëpi, përmes të cilit foshnjat dhe fëmijët e vegjël marrin shërbime të integruara shëndetësore, ushqyese dhe të zhvillimit të hershëm gjatë 1,000 ditëve të para të jetës. Në kuadër të kësaj mbështetjeje, banka ka dhuruar automjete për qendrat e përzgjedhura të mjekësisë familjare për realizimin e vizitave në shtëpi.
Zgjerimi i Programit të Praktikës të Kosovo Generation Unlimited (K-GenU) është një tjetër shembull se si UNICEF-i dhe sektori privat mund të bashkëpunojnë për të përshpejtuar rezultatet në shkallë të gjerë. Programi udhëhiqet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe zbatohet në partneritet me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, duke ofruar praktikë me pagesë, mentorim dhe zhvillim të aftësive për të rinjtë e moshës 16–24 vjeç. Deri më tani, rreth 3,000 praktikantë janë sistemuar në mbi 320 kompani, ndërsa 30 për qind e praktikave kanë rezultuar në punësim. Synimi është që këto mundësi t'u ofrohen 10,000 të rinjve, me fokus të veçantë tek ata që nuk janë në punësim, arsim apo trajnim (NEET), të rinjtë nga komunitetet joshumicë, ata me aftësi të kufizuara ose vështirësi funksionale, si dhe ata nga zonat rurale dhe familjet me të ardhura të ulëta.