Ndikimi në Politika dhe Buxhetim për Fëmijët
UNICEF-i në Kosovë punon për t’i ndërtuar kapacitetet e institucioneve qendrore dhe lokale për t'i ligjësuar, planifikuar dhe investuar në politikat, programet dhe shërbimet e mbrojtjes sociale që kanë synim fëmijët dhe familjet më të margjinalizuara.
Sfidat
Të metat e mëdha vazhdojnë ta kufizojnë efektivitetin e programeve që synojnë uljen e varfërisë dhe ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet më të cenueshme në Kosovë. Qasja e pabarabartë në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe mbrojtëse, ndihma e pamjaftueshme në para dhe kriteret kufizuese e kualifikueshmërisë për familjet ndikojnë në mënyrë të shpërpjesëtuar tek grupet më të varfra dhe më të margjinalizuara të Kosovës.
Shërbimet sociale që janë decentralizuar dhe tani administrohen në nivel komunal, kryesisht pak financohen, kanë mungesë të personelit dhe janë të integruara dobët me sektorët tjerë.
Buxheti për mbrojtje sociale është në nivelin më të lartë tani dhe po ecën me ritmin e rritjes së përgjithshme të buxhetit të qeverisë. Megjithatë, Kosova shpenzon dukshëm më pak se sa homologët e saj rajonalë në mbrojtjen sociale.
Zgjidhjet
UNICEF-i në Kosovë kryen kërkime dhe promovon politika dhe ndërhyrje bazuar në dëshmi për t’i fuqizuar sistemet ashtu që sa më shumë fëmijë të përfitojnë nga shërbimet e integruara sociale dhe atyre për mbrojtjen e fëmijëve.
Ne ofrojmë mbështetje teknike për t’i përmirësuar kornizat ligjore dhe ato të politikave si dhe për të siguruar që politikat sociale të jenë të ndjeshme dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të fëmijëve.
Në vitin 2023 kemi mbështetur Ligjin për Shërbimet Sociale dhe Familjare, i cili do të zgjerojë fushën e shërbimeve, do të krijojë shërbime të reja, modele dhe do të ndihmojë në sigurimin e të drejtës për shërbime sociale për të gjithë individët në nevojë, pavarësisht nga urgjenca apo rreziku.
UNICEF-i në Kosovë punon edhe në shndërrimin e politikave në rezultate në terren duke zhvilluar dhe pilotuar modele që shfaqin efektivitet të shërbimeve të integruara dhe cilësore për mbrojtjen e fëmijëve. Këtë e bëjmë duke ofruar mbështetje teknike për planifikimin, buxhetimin e programeve që ndërlidhen me fëmijët anembanë Kosovës, e kombinuar me mbështetjen e drejtpërdrejtë për zbatimin e programit në komunat e synuara për të siguruar që fëmijët më të margjinalizuar të marrin shërbimet e domosdoshme.