Kosovo Generation Unlimited
Mundësi për punë praktikë për të rinjtë
Popullsia e Kosovës është një nga popullatat më të reja në Evropë. Ekziston një mundësi e madhe për shfrytëzimin e fuqisë së të rinjve për inovacion dhe krijimtari. Megjithatë, realiteti sot për të rinjtë në Kosovë është shumë ndryshe.
Edhe pse për një fëmijë që fillon shkollën në moshën katër vjeçare pritshmëritë janë që t'i përfundojë pothuajse 13 vjet shkollë deri në ditëlindjen e tij të 18-të, kur merret parasysh ajo çka fëmijët mësojnë në të vërtetë, mësimi i fëmijës është i barabartë me vetëm 7.7 vjet shkollë, i cili tregon për një hendek mësimor prej më shumë se pesë vjet. Shkalla e papunësisë te moshat ndërmjet 15-24 vjeçare është në 21.4 për qind. Në të njëjtën grupmoshë, thuajse 33 për qind janë “As në arsim, punësim apo trajnim” që do të thotë se një nga tre të rinj e gjen veten pa mundësi për të studiuar apo punuar.
Për tejkalimin e këtyre sfidave nevojiten mënyra të reja dhe inovative të punës së përbashkët për t'i rritur investimet dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe me të rinjtë. Kosovo Generation Unlimited është koalicion shumë-sektorial për bashkëpunim, i cili bashkon institucionet qeveritare, partnerët zhvillimorë, aktorët e sektorit privat, organizatat e shoqërisë civile dhe të rinjtë. K-GenU do t'i fuqizojë dhe do të angazhohet me të rinjtë duke i lidhur ata me mundësitë për ta përmirësuar kalimin e tyre nga shkolla në punë përmes zhvillimit të aftësive, mentorimit, punës ose përvojës së parë të punës.
Skema e Praktikës është model që është zhvilluar nga UNICEF-i dhe partnerët nën ombrellën e Kosovo Generation Unlimited (K-GenU). Kjo skemë do t'i rrisë aftësitë dhe gatishmërinë profesionale të 10,000 të rinjve të shekullit 21 duke ofruar mundësi për përvojë pune përmes praktikave me pagesë (të shoqëruara me trajnime për aftësitë dhe një program të gjerë dhe të strukturuar mentorimi). Në këtë model kombinohen qasje të testuara, fleksibilitet dhe inovacion, me lidhje dhe pronësi të fortë institucionale brenda Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFLT).