Internet më i sigurt për çdo fëmijë

UNICEF-i bën thirrje për zgjerimin e shkollave prindërore, programin e aftësive digjitale për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë dhe trajnimet e mësuesve mbi sigurinë digjitale për të siguruar përvoja të sigurta në internet për çdo fëmijë

UNICEF Mali i Zi
Ilustracija, internet
UNICEF Mali i Zi/Dusko Miljanic
11 Shkurt 2025

PODGORICË, 11 shkurt 2025 – Në Ditën e Internetit të Sigurt, UNICEF-i risjell në mendje se 1 në 3 qytetarë të Malit të Zi nuk i kontrollojnë informatat të cilat tingëllojnë të dyshimta (Ipsos, dhjetor 2024) dhe se vetëm 1 në 2 prindër e kufizojnë kohën që fëmijët e tyre e kalojnë para ekranit, përmbajtjen që e ndjekin në internet dhe flasin me ta në lidhje me këtë. 

UNICEF-i bën thirrje për bashkimin e përpjekjeve të politikëbërësve, akademisë, organizatave të shoqërisë civile, kompanive teknologjike, institucioneve arsimore, mediave, prindërve, fëmijëve dhe të rinjve për të siguruar përvoja të sigurta në internet për çdo fëmijë.

“UNICEF-i është i gatshëm të mbështesë tri prioritete për përvoja më të sigurta në internet për të gjithë fëmijët. Së pari, Mali i Zi duhet t'i zgjerojë programet e aftësive digjitale dhe ta integrojë edukimin mediatik në kurrikulë. Së dyti, programet prindërore që lidhen gjithashtu me sigurinë digjitale të familjes duhet të bëhen të disponueshme për të gjithë prindërit. Së treti, trajnimet e mësuesve janë të nevojshme për ta promovuar më mirë sigurinë dhe edukimin digjital te nxënësit. Duhen investime më të mëdha për t'i realizuar këto ndryshime në periudhën e ardhshme”, tha Michele Servadei, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.

 

Dječak i tablet
UNICEF Mali i Zi/Dusko Miljanic

2 nga 5 prindër në Mal të Zi shpesh ose herë pas here i lejojnë fëmijët e tyre të shikojnë video në mënyrë që ata t'i kryejnë punët e tyre. (Ipsos, dhjetor 2024) Këto të dhëna tregojnë se prindërit kanë nevojë për më shumë mbështetje për ta balancuar punën dhe jetën familjare dhe për të siguruar përvoja më të sigurta në internet për fëmijët e tyre. Kushtet fleksibile të punës, shërbimet më të qasshme të kujdesit për fëmijët dhe mbështetja e komunitetit mund të sjellin ndryshim.

Programet e prindërimit mund t'i pajisin prindërit me aftësi për t'i forcuar marrëdhëniet me fëmijët e tyre dhe për të rënë dakord mbi rregullat bazë, duke përfshirë përdorimin e internetit nga ana e fëmijëve. Aplikacioni Bebbo, i cili është i disponueshëm për të gjithë prindërit në Mal të Zi, falë mbështetjes së UNICEF-it, përmban këshilla të dobishme për prindërit e fëmijëve 0-6 vjeç që mund t'i ndihmojnë ata të gjejnë zgjidhje më të mira në mënyrë që ekranet të shërbejnë si ¨dado¨.

UNICEF-i rekomandon që politikëbërësit të hartojnë rregullore për t'i mbrojtur fëmijët nga keqinformimi/dezinformimi i dëmshëm, ndërkohë që u mundëson fëmijëve të kenë qasje në përmbajtje të ndryshme në mënyrë të sigurt. Rregullorja duhet të fokusohet në përcaktimin e procedurave për klasifikimin e përmbajtjes dhe sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies. Gjetja e ekuilibrit midis mbrojtjes në internet të bazuar në të drejta dhe lirisë së shprehjes është një sfidë e rëndësishme e politikave që duhet të adresohet përmes përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë akterëve.