Vetëm 1 në 4 fëmijë në situatë rruge aktualisht ndjek shkollën, thuhet në studimin e ri të publikuar nga UNICEF dhe BE në Kosovë

28 Shkurt 2024
English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Prishtinë, 28 shkurt 2024 – UNICEF në Kosovë në partneritet me Bashkimin Evropian në Kosovë ka lansuar “Studimi për Fëmijët në Situatë Rruge në Kosovë” si pjesë e partneritetit trevjeçar “Mbrojtja e Fëmijëve të cenueshëm Kosovë”.

Folësit kryesorë në ngjarjen lansuese ishin ambasadori i BE-së në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili njëkohësisht është edhe Koordinatori Kombëtar kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, që u pasua nga një diskutim i hapur me pjesëmarrësit.

Fëmijët në situatë rruge janë ndër fëmijët më të margjinalizuar. Ata përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të tyre para dhe gjatë kohës së tyre në rrugë. Këta fëmijë përballen me privime të shumta, duke përfshirë mungesën e qasjes në shërbimet bazë, dhunën, abuzimin, neglizhimin dhe shfrytëzimin, si dhe cenueshmëritë  si rezultat i abuzimit me alkoolin dhe substancat.

Ky studim, i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, ofron një profil bazë të fëmijëve në situatë rruge në Kosovë, për sa i përket asaj se çfarë i ka shtyrë ata në rrugë, situatat e tyre familjare, profilin e tyre arsimor si dhe jetën dhe punën e tyre në rrugë, si dhe shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

Në tetë rajone të Kosovës, janë intervistuar gjithsej 130 fëmijë në situatë rruge të moshës 6 deri në 17 vjeç. Studimi u fokusua në qytetet me numrin më të madh të fëmijëve në situatë rruge: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Prizren, Fushë Kosovë, Dragash dhe Klinë. Më shumë se gjysma (58%) e fëmijëve ishin djem dhe 42% ishin vajza. Pak fëmijë raportuan se kishin vëllezër e motra më të vegjël se 5 vjeç në rrugë (5%), por 36% raportuan se kishin vëllezër e motra në situatë rruge që ishin në moshën 5 deri në 10 vjeç.

Për shumicën e fëmijëve, 88%, varfëria ishte arsyeja kryesore e përfshirjes së tyre në rrugë, diçka që u përsërit edhe nga prindërit gjatë intervistave me prindërit dhe nga ekspertët gjatë konsultimeve. Nga të gjithë fëmijët e intervistuar, vetëm 20% kanë qenë në rrugë për më pak se 6 muaj. Megjithëse më shumë se gjysma e fëmijëve kanë ndjekur shkollën në një moment të jetës së tyre, aktualisht rreth 75% raportojnë se nuk shkojnë në shkollë, dhe kjo është njësoj si për djemtë ashtu edhe për vajzat.

Rreth gjysma e fëmijëve (46%) deklaruan se angazhohen në aktivitete që gjenerojnë të ardhura në rrugë, ku shumica (74%) këtë e bëjnë çdo ditë. Kur u pyetën për burimet e të ardhurave, për fëmijët në situatë rruge dhe familjet e tyre shprehën që ndihma e qeverisë (66%) është burimi më i shpeshtë i të ardhurave, e ndjekur nga kërkimi i lëmoshës (61%) dhe ofrimi i shërbimeve (32%). Një numër i madh i fëmijëve që përfshihen në aktivitete të gjenerimit të të ardhurave (83%) ua japin të ardhurat prindërve ose blejnë ushqim me to. Ky konstatim është në përputhje me gjetjen se varfëria është arsyeja kryesore që fëmijët janë në situatë rruge.

Gjetjet dhe rekomandimet e studimit janë shumë të rëndësishme për të siguruar që fëmijët në situatë rruge dhe familjet e tyre të kenë qasje në shërbimet e duhura, që të drejtat e tyre respektohen, dhe që politikëbërësit të kenë qasje në informatat e nevojshme për të zhvilluar strategji dhe për të vendimmarrje që arrijnë dhe ndihmojnë fëmijët e cenueshëm, duke u ofruar atyre edhe mbështetjen e nevojshme për integrim të plotë në shoqëri. Është shumë e rëndësishme që të gjitha zgjidhjet për adresimin e nevojave të fëmijëve në situatë rruge janë vendosur fuqishëm brenda një qasje të bazuar në të drejtat e fëmijëve, në përputhje me Komentin e Përgjithshëm nr. 21 për fëmijët në situatë rruge të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve (2017).

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme