Maqedonia e Veriut bën zotim global për mbështetje të prioriteteve klimatike të identifikuara nga fëmijët dhe të rinjtë
Presidenti Pendarovski e nënshkroi Deklaratën ndërqeveritare për fëmijët, të rinjtë dhe veprimin ndaj ndryshimeve klimatike

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 23 dhjetor 2021: Sot në kuadër të aktivitetit të Kabinetit të hapur Presidenti Stevo Pendarovski e nënshkroi Deklaratën ndërqeveritare për fëmijët, të rinjtë dhe veprimin ndaj ndryshimeve klimatike. Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga vendet e programit të UNICEF-it në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore që e nënshkruan këtë Deklaratë. Me nënshkrimin e saj, Maqedonia e Veriut është zotuar t‘iu përmbahet prioriteteve të identifikuara nga fëmijët dhe të rinjtë në lidhje me veprimin ndaj ndryshimeve klimatike.
Në nënshkrimin e Deklaratës ishin prezentë aktivistët e rinj, të cilët morën pjesë në Samitin e të rinjve mbi klimën, që u zhvillua në Shkup, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, si dhe përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Xhovani.
Për ta shënuar këtë rast u zhvillua një diskutim tematik, duke përfshirë përshtypjet nga Samiti i sivjetshëm i Ndryshimeve Klimatike (COP26) të mbajtur në Glasgou, aktivitetet që tani po ndërmerren nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, hapat e ardhshëm në nivel nacional, si dhe për kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të Presidentit në fushën e ndryshimeve klimatike.
Gjatë diskutimit aktivistët e rinj shprehën interes për masat që po ndërmerren për mbrojtjen e pyjeve, reduktimin dhe parandalimin e mbeturinave, si dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Njashtu diskutuan për mundësitë e zgjerimit të përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse dhe të hartimit të politikave në lidhje me ndryshimet klimatike.
Presidenti Pendarovski e përshëndeti entuziazmin e të rinjve dhe theksoi se kjo Deklaratë na kujton se një nga motivet kryesore për ballafaqim me ndryshimet klimatike janë fëmijët dhe të rinjtë, përkatësisht e drejta e tyre për klimë të sigurt dhe mjedis të shëndetshëm. “Ne duhet të krijojmë hapësirë që të rinjtë si brezi më i informuar dhe më i digjitalizuar të përfshihen në trajtimin e çështjeve mjedisore dhe t’i shprehin pikëpamjet e tyre mbi politikat klimatike,” tha ai, duke shtuar se rritja e ndërgjegjësimit publik dhe edukimi i të rinjve është veçanërisht i rëndësishëm në integrimin e nevojshëm të aspekteve klimatike dhe ekologjike në Strategjinë nacionale të arsimit, gjegjësisht në programet mësimore.
Ministri Nuredini i shpalosi ambiciet nacionale të klimës dhe i inkurajoi të rinjtë që të marrin pjesë aktive në miratimin e Ligjit të parë mbi veprimin klimatik, i cili ligjërisht do t’i hapë rrugën neutralitetit të karbonit në vendin tonë. Gjithashtu ministri iu bëri thirrje të rinjve, që të jenë aktivë dhe të zëshëm, duke i njohur ata si një forcë shtytëse dhe motivuese për ndërtimin e një shteti rezistues ndaj ndryshimeve të klimës.
Përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Xhovani e përshëndeti nënshkrimin e Deklaratës dhe vuri në dukje se ky dokument i demonstron angazhimet e vendeve për t’i marrë parasysh nevojat, të drejtat dhe perspektivat e fëmijëve dhe të rinjve kur bëhet fjalë për politikat e ndryshimeve klimatike në të gjitha nivelet.
“Nënshkrimi i Deklaratës është një moment historik dhe i rëndësishëm nga Samiti Rinor i Klimës, ku ne i dëgjuam të rinjtë, shqetësimet e tyre dhe thirrjet për veprim me qëllim të mbrojtjes së mjedisit jetësor. Në të njëjtën kohë, Samiti e demonstron kapacitetin e madh të fëmijëve dhe të rinjve për të qenë shtytës të fuqishëm të ndryshimit”, deklaroi Di Xhovani dhe shtoi se kriza klimatike është gjithashtu një krizë e të drejtave të fëmijëve.
Maqedonia e Veriut iu bashkua rreth tridhjetë vendeve nga e gjithë bota për ta nënshkruar Deklaratën Ndërqeveritare për Fëmijët, Rininë dhe Veprimin ndaj Ndryshimit të Klimës, të miratuar në Samitin e Ndryshimeve Klimatike në Madrid në vitin 2019.
Një nga qëllimet e Deklaratës është ta zgjerojë pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike përmes rritje së edukimit rreth ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, si dhe përvetësimit të njohurive dhe aftësive të nevojshme për ta mbrojtur veten dhe për të kontribuar për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.