Katër gjërat për ta mbështetur shëndetin mendor të adoleshentit tuaj
Shfaqni adoleshentit tuaj dashuri dhe kujdes, derisa kujdeseni për veten tuaj.

- English
- Македонски
- Shqip
Pavarësisht nëse ju dhe adoleshentët juaj ia kaloni mirë ose keni sfida, është e rëndësishme t’ua bëni me dije se i doni dhe i mbështesni, se mund t'i ndihmoni ata të ecin përpara në kohëra të vështira dhe se jeni gjithmonë pranë tyre.
Këtu janë dhënë katër gjëra që duhet t’i mbani mend kur e bëni bisedën e zakonshme me adoleshentin tuaj të tipit - “si po kalon?” -, me qëllim që t’i tregoni se jeni gjithmonë aty për të.
1. Inkurajoni t’i ndajnë me ju ndjenjat e tyre
- Kërkoni mënyra për ta ruajtur kontrollin me adoleshentët tuaj. Pyetni si e kanë kaluar ditën dhe çfarë kanë bërë. Mund të jetë duke i ftuar ata të bashkohen me ju në një detyrë, siç është përgatitja e darkës, në mënyrë që të mund ta shfrytëzoni kohën të bisedoni si e kanë kaluar ditën e tyre.
- Bëjuani me dije që jeni pranë tyre, pavarësisht nga gjithçka dhe se dëshironi të dëgjoni se si ndihen dhe çfarë mendojnë. Disa fjalë të thjeshta inkurajimi mund t’i ndihmojnë ata të ndihen të rehatshëm, duke i ndarë ndjenjat e tyre me ju.
- Është me rëndësi t’i pranoni dhe kuptoni emocionet, që ata mund t’i përjetojnë, edhe nëse ndiheni jo të rehatshëm. Kur të fillojnë të flasin hapur me ju, mund të përgjigjeni me “unë e kuptoj", “tingëlluaka si një situatë e vështirë” ose “kjo ka kuptim”.
- Mund të jetë e lehtë t’i vëreni gjërat që bën adoleshenti juaj, të cilat nuk të pëlqejnë. Mirëpo gjithashtu përpiquni t'i vini re dhe t'i lavdëroni për diçka që bëjnë mirë - madje edhe diçka të thjeshtë siç është kujdesi për higjienë.
2. Ndani kohë për t’i mbështetur ata
- Punoni së bashku në krijimin e rutinave të reja dhe qëllimeve të arritshme ditore. Ju mund të përshtateni në raport me punët e shtëpisë rreth punës në shkollë ose të vendosni një objektiv si kryerja e detyrave të shtëpisë para darkës.
- Adoleshencë do të thotë pavarësi! Mundohuni t'i jepni adoleshentit tuaj kohën dhe hapësirën e duhur për të qenë më vete. Nevoja për hapësirë është një pjesë normale e rritjes.
- Gjeni disa mënyra se si mund ta mbështesni dhe inkurajoni adoleshentin tuaj të bëjë pushime (nga punët e shkollës, punët e shtëpisë ose aktivitetet tjera, në të cilat mund të punojnë) për të bërë gjëra që u pëlqejnë. Nëse adoleshenti juaj ndihet i irrituar, punoni me ta për të krijuar ide për disa zgjidhje për problemet. Mundohuni të mos merrni përsipër dhe t’u tregoni atyre se çfarë të bëjnë.
3. Punoni së bashku në tejkalimin e konfliktit
- Dëgjoni pikëpamjet e adoleshentit tuaj dhe përpiquni ta zgjidhni konfliktin me qetësi. Mos harroni: të gjithë përjetojnë stres!
- Asnjëherë mos diskutoni për një çështje përderisa jeni të zemëruar. Largohuni, merrni frymë dhe qetësohuni - mund të flisni më vonë për çështjen përkatëse me adoleshentin tuaj.
- Shmangni betejat për të dëshmuar pushtet. Tani në botën që ndihet e paparashikueshme dhe opsionet duken të kufizuara, adoleshentët mund të përpiqen të kenë kontrollin. Sado i vështirë të jetë në këtë moment, krijoni ndjeshmëri për dëshirën e tyre për të vënë kontroll mbi gjërat në një kohë të frikshme, në vend se të përpiqeni ta luftoni ose ta nënshtroni atë.
- Jini të sinqertë dhe transparent me adoleshentin tuaj: mund t’ia bëni me dije se gjithashtu edhe ju po përjetoni stres shtesë. Tregimi i tyre se si i trajtoni ndjenjat tuaja të vështira mund t'i ndihmojë ata të dinë se ndjenjat e tyre janë në rregull.
- Kur ka konflikt, ndani pak kohë për të reflektuar se si ju dhe adoleshenti juaj mund ta zgjidhni atë. Ju mund t’i diskutoni këto reflektime me adoleshentin tuaj, në mënyrë që ata të shohin se si po i përpunoni idetë.
4. Kujdesi për veten tuaj
Nuk është e lehtë të jesh kujdestar. Ju gjithashtu keni nevojë për kujdes dhe mbështetje për veten tuaj. Manifestimi i vetë-kujdesit është gjithashtu një mënyrë e mirë për ta modeluar praktikën te adoleshenti juaj.
- Mos hezitoni të kërkoni ndihmë nga të tjerët, nëse ndiheni të mbingarkuar. Është normale dhe në rregull të ndiheni kështu. Gjeni një anëtar të familjes ose dikë me të cilin mund të flisni.
- Ndani kohë për marrëdhëniet tuaja. Mundohuni të gjeni disa njerëz me të cilët mund t’i ndani ndjenjat dhe përvojat. Çdo ditë ndani ca kohë me ta, për të kontrolluar se si po ndiheni.
- Ndani kohë gjatë ditës tuaj për t’i bërë gjërat që ju ndihmojnë ta përballoni dhe menaxhoni stresin. Pavarësisht nëse dita juaj është e zënë ose e ngadaltë, ne e dimë se gjetja e kohës për t’u kujdesur për veten është thelbësore për mirëqenien tuaj. Bërja e gjërave që ju pëlqen ose thjesht ndarja e disa minutave pushim nga dita juaj mund t’ju ndihmojë të ndiheni të relaksuar dhe të ri-energjizuar.
- Provoni strategji të ndryshme pozitive të përballimit, të cilat funksionojnë për ju. Disa ide përfshijnë: stërvitje, bisedë me miqtë, bërjen e listave të detyrave ose planifikim paraprak, mirëmbajtjen e rutinave dhe strukturave, reflektimin mbi atë për të cilin jeni mirënjohës ose krenar dhe bërjen e gjërave që ju pëlqen si muzika, arti, vallëzimi dhe mbajtja e një ditari.
Mesazhet në këtë udhëzues janë zhvilluara nga Komiteti i përhershëm ndërsektorial dhe Grupi referues i shëndetit mendor dhe mbështetjes psiko-sociale.