Fëmijët mësojnë mbi ndryshimet klimatike dhe ndërtojnë kureshtje shkencore përmes eksperimenteve

Aktivitetet eksperimentale të shkollës i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi të tilla si zgjidhja e problemeve, këmbëngulja dhe bashkëpunimi

UNICEF
Dy nxënëse të klasës së katërt i krahasojnë rezultatet e tyre pas një eksperimenti me sodë buke dhe uthull të përziera së bashku, duke lëshuar dyoksid karboni.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
22 Maj 2022

Të gjithë njerëzit lindin me kureshtje, por si të gjitha tiparet tjera, ajo duhet të stimulohet, sepse përndryshe mund të zhduket. Fëmijët, veçanërisht në klasat e para të shkollës, kanë nevojë për aktivitete që e nxisin kureshtjen, kuriozitetin dhe ndërveprimin. Në fakt, qasjet aktive të të mësuarit të bazuara në lojë mund t’i transformojnë përvojat arsimore të fëmijëve dhe ta forcojnë motivimin dhe rezultatet e të nxënit. Mësimi i koncepteve komplekse shkencore përmes eksperimenteve mund ta nxisë kureshtjen te fëmijët dhe ta mbështesë ndërtimin e personave, që mësojnë gjatë gjithë jetës.

“A e vërejtët? Pse ndodhi kjo? A ka ndodh kjo në jetë?” Mësuesja Biljana Arsovska i parashtron këto pyetje, ndërsa fëmijët kërcejnë nga vendet e tyre dhe përgjigjen të gjithë njëzëri. Kështu duket ora e shkencës të klasës së katërt në shkollën fillore “Vera Joçiç” në Shkup, kur fëmijët mësojnë mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike përmes eksperimenteve, aktiviteteve praktike dhe reflektimit kritik mbi përvojën e tyre.

“Fëmijët në këtë moshë mësojnë në veprim, ata mësojnë përmes shqisave të tyre. Shikimi dhe prekja e objekteve i ndihmon ata ta gjejnë vetë një zgjidhje. Të mësuarit përmes përvojës është mënyra më e mirë e të mësuarit, sepse në atë mënyrë fëmijët i ruajnë njohuritë”, thotë mësuesja e tyre.

Mësuesja tregon se si reagojnë llojet e ndryshme të dheut, kur përzihen me ujë, me çka hap diskutim mes fëmijëve mbi rrjedhën e ujit, absorbimin e tij në çdo lloj toke, dhe si ndikon degradimi i mjedisit në tokë.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
Mësuesja tregon se si reagojnë llojet e ndryshme të dheut, kur përzihen me ujë, me çka hap diskutim mes fëmijëve mbi rrjedhën e ujit, absorbimin e tij në çdo lloj toke, dhe si ndikon degradimi i mjedisit në tokë.

Biljana Arsovska është një nga 115 mësueset dhe edukatoret, që iu bashkuan punëtorive të mbështetura nga UNICEF-i mbi ndërtimin e kapaciteteve për mësimdhënien rreth ndryshimeve klimatike përmes eksperimenteve. Punëtoritë i ndihmojnë mësuesit dhe edukatorët të fitojnë njohuri se si të aplikojnë eksperimente të reja me kosto efektive në klasat e tyre. Qasja i ndihmon fëmijët t’i mësojnë bazat e shkencës dhe efektet e fenomeneve mjedisore dhe të ndryshimeve klimatike, siç është degradimi në ujë, tokë, ajër, nxehtësi dhe ciklet e ngrohjes.  

Nxënësit e klasës së katërt e shikojnë eksperimentin e raketës me qese çaji.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
Nxënësit e klasës së katërt e shikojnë eksperimentin e raketës me qese çaji.

Biljana aktualisht po i ndan njohuritë e mësuara edhe me kolegët e saj. Deri më tani ajo i ka transferuar njohuritë e saj te 13 mësues tjerë brenda shkollës së saj dhe ka zhvilluar një program shkollor për aktivitete jashtëshkollore, me qëllim të angazhimit të mësuesve dhe nxënësve në përvoja praktike dhe reflektime mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

“Më parë, ne në shkollë kishim bërë një sërë aktivitetesh të orientuara kah mjedisi, kryesisht në mbështetje të sjelljeve të nevojshme për mbrojtjen e mjedisit. Ajo që mungonte ishin aktivitetet eksperimentale për ta mbështetur ndërtimin e një kuptimi të parimeve dhe proceseve të mjedisit dhe klimës,” tha ajo.

Efekti “uau” i eksperimentit të thjeshtë të raketës me qese çaji, që i mëson fëmijët se si funksionon energjia e nxehtësisë.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
Efekti “uau” i eksperimentit të thjeshtë të raketës me qese çaji, që i mëson fëmijët se si funksionon energjia e nxehtësisë.

Gjatë aktiviteteve eksperimentale, ajo vuri re trende interesante në sjelljen e nxënësve. Nga njëra anë, ekzistonte një sasi e madhe bashkëpunimi dhe fëmijët po mësonin nga njëri-tjetri. E nga ana tjetër, falë përfshirjes së menjëhershme të nxënësve në aktivitetin e zgjidhjes së problemeve, niveli i zotërimit të rezultatit ishte i lartë.

Fëmijët përfshihen me padurim në ofrimin e zgjidhjeve për çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike gjatë një ore të shkencës me fokus në ndryshimet klimatike dhe mjedisin në shkollën "Vera Joçiç" në Shkup.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
Fëmijët përfshihen me padurim në ofrimin e zgjidhjeve për çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike gjatë një ore të shkencës me fokus në ndryshimet klimatike dhe mjedisin në shkollën "Vera Joçiç" në Shkup.

“Ata ndihen krenarë kur e shohin rezultatin e përpjekjeve të tyre”, thotë Biljana. “Të gjithë nxënësit janë të angazhuar në të njëjtën mënyrë dhe asnjëri prej tyre nuk bie në sy siç ndodh shpesh kur kërkohet “përgjigja e duhur”.

Për dallim nga “qasja tradicionale e përgjigjes së duhur”, gjatë eksperimenteve janë të mundshme të gjitha llojet e përgjigjeve. Për shembull, pasi mësuesja e tregoi eksperimentin me sodë buke dhe me tullumbace, një fëmijë e bëri një lidhje dhe kujtoi se si i kishte ardhur buka gjyshes së tij, kur ajo kishte shtuar agjentë tharmi siç është soda e bukës.

“Zgjidhjet e tyre lidhur me degradimin e mjedisit mund të jenë radikale – siç është zëvendësimi i makinave me karroca si përgjigje ndaj ndotjes së ajrit – por megjithatë unë i lashë që vetë të mendojnë”, shpjegon Biljana.

Bukuria e mësimit nga përvoja qëndron në faktin se secili merr pjesë me ritmin e vet, por me një gëzim po aq të madh kur arrihet rezultati pas përpjekjeve të vazhdueshme.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
Bukuria e mësimit nga përvoja qëndron në faktin se secili merr pjesë me ritmin e vet, por me një gëzim po aq të madh kur arrihet rezultati pas përpjekjeve të vazhdueshme.

Mësimi nga përvoja tregoi gjithashtu rezultate në fusha që mësuesja nuk i priste. Përveç që ua dha të gjithë fëmijëve mundësinë për të eksploruar koncepte të ndryshme shkencore përmes shqisave të tyre, përvoja ndihmoi në zhvillimin e aftësive të tjera të dobishme, duke përfshirë zgjidhjen e problemeve, këmbënguljen dhe vetëbesimin.

Përfitimi më i papritur që vuri re mësuesja ishte rritja e angazhimit të nxënësve të turpshëm dhe nxënësve me nevoja të veçanta arsimore, të cilët ndonjëherë mbizotërohen nga fëmijët e tjerë.

“Të gjithë fëmijët, pa marrë parasysh se nga vijnë dhe nga cilat familje vijnë, takohen këtu në shkollë,” shpjegon mësuesja. “Ata pranojnë nivele të ndryshme të stimulimit dhe mbështetjes në shtëpitë e tyre dhe kjo është arsyeja pse ne si mësues kemi një rol dhe përgjegjësi të rëndësishme për ta siguruar pikënisjen e përbashkët për të gjithë ata.”

Fëmijët që marrin pjesë në një nga eksperimentet mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022
Fëmijët që marrin pjesë në një nga eksperimentet mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Mësimi mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike përmes eksperimenteve dhe aktiviteteve praktike është pjesë e programit “Fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve për të vepruar si agjentë të ndryshimit, me qëllim të zvogëlimit të cenueshmërisë së ndryshimeve klimatike ndaj komuniteteve”, të financuar nga Suedia dhe të zbatuar nga Zyra e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut në partneritet me shoqatën Eko Logic.