Fëmijët dhe të rinjtë filluan të zhvillojnë zgjidhje për përmirësimin e qasjes në drejtësi

Fëmijët dhe të rinjtë eksplorojnë mënyra novatore për të bërë ndryshime domethënëse në jetën e fëmijëve dhe të rinjve në kontakt me ligjin

UNICEF
Group of adolescents on a stage presenting their project at a design thinking workshop J4C UNICEF MK
Youth Educational Forum
21 Shkurt 2022

Krushevë, 11 shkurt 2022:  Si pjesë e nismës së UNICEF-it dhe Bashkimit Evropian “Të rinjtë mbështetës të drejtësisë për fëmijët”, rreth gjashtëdhjetë fëmijë dhe të rinj, duke e përdorë një proces të projektimit, ku në qendër të fokusit është njeriu, filluan të zhvillojnë zgjidhje për ta përmirësuar qasjen në drejtësi për fëmijët në kontakt me ligjin.

Nisma përfshin fëmijë dhe të rinj që vijnë nga sfonde të ndryshme sociale dhe ekonomike nga i gjithë vendi. Ajo përfshin gjithashtu fëmijë dhe të rinj të institucioneve edukuese korrektuese dhe të shtëpive të grupeve të vogla, duke krijuar kështu një mundësi që ata, të udhëhequr nga përvojat e tyre me sistemin e drejtësisë, të jenë pjesë e zgjidhjeve dhe të mund që të dëgjohet zëri i tyre.

Në fillim të vitit të kaluar i njëjti grup fëmijësh dhe të rinjsh u takua për herë të parë me pesë mentorët e tyre – ekspertë të drejtësisë për fëmijëve dhe të drejtat e tyre – dhe e nisën iniciativën me punëtorinë fillestare, duke u fokusuar në parimet bazë të të drejtave të fëmijëve.

Për shumicën prej tyre diskutimi i gjithë konceptit të drejtësisë për fëmijët ishte një përvojë e re dhe një proces mësimor. Tre ditët e kaluara së bashku në një punëtori të të menduarit rreth projektimit e thelluan të kuptuarit e tyre për sfidat me të cilat përballen fëmijët, kur bien në kontakt me sistemin gjyqësor dhe efektet që kjo përvojë mund të ketë në jetën e tyre, pavarësisht nëse janë autorë, dëshmitarë apo viktima të krimit, ose janë fëmijë të cenueshëm në rrezik për të rënë në kontakt me ligjin.

Fëmijët i identifikuan dy fusha kryesore, të cilat nëse përmirësohen, atëherë mund të zbuten këto efekte: 1. qasja në informacione mbi të drejtat e fëmijëve, siç është informacioni për ekzistencën e shërbimeve të ndihmës juridike falas ose e drejta për arsim; dhe 2. parandalimi i të gjitha formave të dhunës për t’i zvogëluar në radhë të parë mundësitë e kontaktit të fëmijëve me ligjin. Në këtë kontekst, ata diskutuan se si të krijohen mekanizma parandalues inovative dhe e eksploruan idenë e parandalimit të dhunës në shkolla përmes ndërmjetësimit të bashkëmoshatarëve dhe përdorimit të artit si mjet për rikuperimin nga traumat.

Group photo J4C Design Thinking Workshop UNICEF MK
Youth Educational Forum
Foto grupore e ekipit entuziast, që punon në zgjidhjet për përmirësimin e qasjes në drejtësi për fëmijët.

Në tre muajt e ardhshëm, Të rinjtë mbështetës të drejtësisë për fëmijët, do t’i zhvillojnë më tej zgjidhjet dhe do të përgatiten t’i paraqesin idetë e tyre për mbështetje të drejtpërdrejtë, avokim ose shkallëzim të mundshëm në një forum me përfaqësuesve të qeverisë, botës akademike, sektorit qytetar dhe partnerëve të tjerë.

Iniciativa është pjesë e një programi dy-vjeçar “Drejt(ësi) për fëmijët – “BE-ja për të miturit dhe fëmijët – drejtësi adekuate”, të financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancuar nga UNICEF, që i mbështet përpjekjet e Qeverisë për reforma, për të mundësuar që sistemi i drejtësisë t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve, që bien në kontakt me ligjin.