Fëmijët nuk mund të përballojnë ndërprerje të gjata të mësimit

Deklaratë nga Patricia Di Xhovanit, Përfaqësueses së UNICEF-it, e cila bën thirrje për një konsensus shumë të nevojshëm për t’i shmangur ndërprerjet shtesë të zgjatura në mësimin e fëmijëve

13 Prill 2022
Boy wearing green blouse sitting in classroom with his hands on his mouth and observing carefully
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2020

Shkup, 13 prill 2022 - “UNICEF-i po e ndjek dialogun aktual ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, andaj u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të arrijnë më shpejt në një zgjidhje të ndërsjellë, e cila do të jetë në favor të fëmijëve dhe do t’i shmangë ndërprerjet shtesë të zgjatura në mësimin e fëmijëve.

“Si të gjithë punëtorët, edhe profesionistët e arsimit kanë të drejtë t’i mbrojnë të drejtat e tyre të punës, duke përfshirë edhe grevat. Mirëpo në të njëjtën kohë, fëmijët në Maqedoninë e Veriut nuk mund ta përballojnë ndonjë ndërprerje shtesë në mësim. Prandaj duhet gjetur një zgjidhje të shpejtë, nga e cila përfitojnë të gjitha palët, përfshirë edhe fëmijët.

“Maqedonia e Veriut veç më është përballur me një krizë mësimi, ku më shumë se gjysma e të gjithë pesëmbëdhjetëvjeçarëve në vend nuk mund t’i përmbushnin nivelet bazë të aftësisë në lexim dhe matematikë. Përveç mbylljes së shkollave për mësim me prezencë fizike për 54 javë, për shkak të pandemisë, këtë vit fëmijët veç më kanë humbur dy javë shkollimin me fillimin e vonuar të vitit shkollor. Me këto ndërprerje, kriza e mësimit veç më është përshkallëzuar më tej.

“Tani më shumë se kurdoherë kemi nevojë për ta përshpejtuar reformën në arsim, andaj interesat më të mira të fëmijëve duhet të kenë përparësi, në mënyrë që çdo fëmijë të mbështetet dhe të jetë në gjendje t’i kompensojë humbjet në mësime. Këto humbje jo vetëm që kanë një ndikim negativ te fëmijët sot, por do të ndikojnë edhe në rezultatet e jetës së fëmijëve dhe do të kenë ndikim në zhvillimin e ardhshëm ekonomik.

“Dialogu mbi rolin e rëndësishëm që e luajnë profesionistët e arsimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duhet të zhvillohet në një kontekst më të gjerë të reformës arsimore, e cila synon të sigurojë që burimet njerëzore, financiare dhe të tjera të përdoren dhe të ndahen në mënyrë adekuate për të siguruar arsim cilësor për të gjithë fëmijët, pa marrë parasysh se ku jetojnë ata.

“UNICEF-i u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në negociata që ta gjejnë shpejt konsensusin shumë të nevojshëm, në mënyrë që vendi t’i shmangë ndërprerjet shtesë të zgjatura në mësimin e fëmijëve. Zgjidhja duhet të jetë në frymën e reformave të vazhdueshme arsimore dhe duhet t’i shqyrtojnë ndryshimet më të gjera strukturore, që do t'u lejojnë profesionistëve të arsimit të ofrojnë arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, që iu takon fëmijëve.”

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.