Varfëria e fëmijëve në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore është rritur për 19 për qind, përderisa lufta në Ukrainë dhe inflacioni në rritje shtyn katër milionë fëmijë drejt varfërisë – UNICEF

Me rastin e Ditës ndërkombëtare për çrrënjosjen e varfërisë, UNICEF paralajmëron se efektet e valëzuara të rritjes së varfërisë së fëmijëve mund të rezultojnë në një rritje të madhe të braktisjes së shkollës dhe vdekshmërisë së foshnjave

17 Tetor 2022

GJENEVË/NJU JORK, 17 tetor 2022 – Lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit kanë shtyrë katër milionë fëmijë të tjerë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore drejt varfërisë, një rritje prej 19 për qind që nga viti 2021, konstaton studimi më i ri i UNICEF-it i publikuar sot.

Ndikimi i luftës në Ukrainë dhe rënia ekonomike e pasuar me varfërinë e fëmijëve në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore – me të dhëna nga 22 vende* anekënd rajonit – tregon se fëmijët e pësojnë barrën më të rëndë të krizës ekonomike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Meqenëse fëmijët përbëjnë 25 për qind të popullsisë, ata në fakt përbëjnë gati 40 për qind të 10.4 milionë njerëzve shtesë që përjetojnë varfëri këtë vit.

Hulumtimi në fjalë thekson që Federata Ruse përfshin gati tre të katërtat e rritjes totale të numrit të fëmijëve, që jetojnë në varfëri, për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizës së kostos së jetesës në të gjithë rajonin, me 2.8 milionë fëmijë të tjerë që tani jetojnë në familje nën pragun e varfërisë. Ukraina është strofull e gjysmë milioni fëmijëve tjerë që jetojnë në varfëri, gjegjësisht shteti i dytë me radhë për nga numri i fëmijëve në varfëri, e ndjekur nga Rumania me 110.000 fëmijë tjerë që jetojnë në varfëri.

“Përpos tmerreve të dukshme të luftës – vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve, zhvendosja masive – pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë kanë ndikim shkatërrues mbi fëmijët në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, tha drejtori Rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore. Afshan Khan. “Fëmijët në të gjithë rajonin po përfshihen në vazhdën e tmerrshme të kësaj lufte. Nëse tani nuk i mbështesim këta fëmijë dhe familje, rritja e madhe e varfërisë së fëmijëve pothuajse me siguri do të rezultojë në jetë të humbura, humbje të mësimit dhe të ardhme të humbura.”  

Pasojat e varfërisë së fëmijëve shtrihen përtej familjeve që jetojnë në vështirësi financiare. Rritja e këtillë e lartë mund të rezultojë në 4,500 fëmijë tjerë që do të vdesin para ditëlindjeve të tyre të para, ndërsa humbjet në mësim mund të jenë ekuivalente me 117.000 fëmijë të tjerë që e braktisin shkollën vetëm këtë vit, vëren studimi.

Më tej studimi thekson se sa më e varfër që është familja, aq më e madhe është përqindja e të ardhurave të tyre të përkushtuara për nevojat si ushqimi dhe karburantet. Kur kostoja e mallrave bazë rritet, zvogëlohen paratë e disponueshme për t’i përmbushur nevojat tjera, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Kriza e këtillë e kostos së jetesës do të thotë se fëmijët më të varfër kanë edhe më pak gjasa të kenë qasje në shërbimet thelbësore dhe janë më të rrezikuar nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi.

Për shumë njerëz, varfëria e fëmijërisë zgjat gjithë jetën. Një në tre fëmijë të lindur dhe të rritur në varfëri do ta jetojnë jetën në varfëri edhe jetën e tyre në moshë të pjekurisë, duke çuar në një cikël vështirësish dhe privimesh nga gjenerata në gjeneratë, vëren studimi.

Sfidat me të cilat përballen familjet që jetojnë në varfëri ose në prag të varfërisë thellohen kur qeveritë i ulin shpenzimet publike, rrisin taksat e konsumit ose vendosin masa shtrënguese në një përpjekje kufizuese për t’i nxitur ekonomitë e tyre në afat të shkurtër, pasi kjo e zvogëlon shtrirjen dhe cilësinë e shërbimeve mbështetëse nga të cilat varen familjet.

Studimi përcakton kornizën për të ndihmuar në uljen e numrit të fëmijëve që jetojnë në varfëri dhe për të parandaluar që më shumë familje të bien në vështirësi financiare:

  • Të sigurohen përfitime universale në para për fëmijët dhe të përcaktohet siguria minimale e të ardhurave.
  • Të zgjerohen përfitimet e asistencës sociale për të gjitha familjet me fëmijë në nevojë, përfshirë refugjatët.
  • Të mbrohen shpenzimet sociale, veçanërisht për fëmijët dhe familjet më të cenueshme.
  • Të mbrohet dhe mbështetet ofrimi i shërbimeve shëndetësore, ushqyerjes dhe të kujdesit social për nënat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e moshës parashkollore.
  • Të vendosen rregullore të çmimeve për artikujt ushqimorë bazë për familjet.

UNICEF-i ka bashkëpunuar së fundmi me Komisionin e BE-së dhe disa vende të BE-së për pilotimin e Iniciativës së BE-së për Garancinë e Fëmijëve, me qëllim të zbutjes së ndikimit të varfërisë te fëmijët dhe për t’ua ofruar atyre mundësi për të lulëzuar në moshë madhore. Tani kur më shumë fëmijë dhe familje po shtyhen tani drejt varfërisë, kërkohet një përgjigje e fuqishme në të gjithë rajonin.

UNICEF bën thirrje për mbështetje të vazhdueshme dhe të zgjeruar për t’i forcuar sistemet e mbrojtjes sociale në vendet me të ardhura të larta dhe të mesme në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore; dhe për prioritizim të financimit për programet e mbrojtjes sociale, duke përfshirë programet e asistencës në para për fëmijët dhe familjet në nevojë.

“Masat shtrënguese do t’i dëmtojnë më së shumti fëmijët – duke zhytur edhe më shumë fëmijë në varfëri dhe duke e bërë më të vështirë për familjet që tashmë janë duke u përballur me të”, tha Kan. “Ne duhet ta mbrojmë dhe zgjerojmë mbështetjen sociale për familjet në nevojë përpara se situata të përkeqësohet.”

### 

* duke përfshirë Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së

 

Rreth UNICEF-it 

UNICEF punon në disa nga vendet më të vështira të botës, për të arritur qasje te fëmijët më të pafavorizuar në botë. Ne punojmë në më shumë se 190 vende dhe territore për të gjithë fëmijët gjithandej, me qëllim që të ndërtojmë një botë më të mirë për të gjithë. 

Ndiqeni UNICEF-in në Tuiter dhe Fejsbuk 

Shënime për redaktorin

Në Maqedoninë e Veriut, kriza pritet të zhysë në varfëri 5500 të rritur dhe 1600 fëmijë të tjerë. Kriza gjithashtu mund t’i shtyjë rreth 500 fëmijë ta braktisin shkollën.

Për më shumë informacione ju lutemi kontaktoni: 


Iryna Mazur, UNICEF për Evropë dhe Azi Qendrore, imazur@unicef.org

Georgina Diallo, UNICEF Nju Jork, +1 917 238 1559 / gdiallo@unicef.org  

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.