UNICEF iu uron të gjithë nxënësve, mësuesve dhe stafit të shkollës një vit të sigurt dhe të suksesshëm shkollor
Deklarata e Patricia DiXhovanit, Përfaqësueses së UNICEF-it, që bën thirrje për një përpjekje të të gjithë shoqërisë për t'i mbajtur shkollat të sigurta dhe të hapura.
- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
SHKUP 1 Shtator 2021 “Dita e parë e shkollës për nxënësit është një ditë plot ngazëllim. Emocionet e këtilla vijnë nga fillimi i një faze të re në jetën e tyre, duke hyrë në një fushë të panjohur, por edhe mundësi të pafundme.
Këtë vit shkollor, dita e parë e shkollës për fëmijë dhe të rinj në Maqedoninë e Veriut është ndoshta një nga ditët e para më të rëndësishme sepse për shumicën do të jetë hera e parë që ata do të jenë në gjendje të ulen me bashkëmoshatarët e tyre dhe ballë për ballë me mësuesit e tyre në klasë, pasi kanë kaluar 54 javë mësim prapa ekranit digjital. Kjo është periudhë shumë më e gjatë sesa mesatarja për Evropë dhe Azi Qendrore me 25 javë.
Në fakt shkolla është më shumë se një ndërtesë. Ajo është një vend për të mësuar, që iu ndihmon fëmijëve të fitojnë pavarësi, të përshtaten me rutinat e reja dhe të zhvillojnë marrëdhënie kuptimplota me mësuesit dhe nxënësit.
Kjo është arsyeja pse rihapja e shkollave për mësim me prezencë është një hap kritik për të siguruar që çdo fëmijë të ketë qasje në arsim cilësor, i cili i ndërton dhe akrediton aftësitë që iu nevojiten në jetë fëmijëve dhe adoleshentëve.
Mësimi me prezencë fizike gjithashtu iu mundëson mësuesve t’i identifikojnë dhe adresojnë ngecjet në mësime, çështjet e shëndetit mendor dhe abuzimet që mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien e fëmijëve.
Ne e kuptojmë se është e mundur që në pandemi të duhet të kalojmë në modele të ndryshme të mësimit, mirëpo ky vend ka dëshmuar se ka aftësi ta bëjë këtë shpejt dhe me sukses.
Me pasiguritë në fillimin e hershëm të pandemisë, kalimi në mësimin në distancë ishte një masë e nevojshme, megjithatë ai kurrë nuk ishte menduar të ishte një zgjidhje afatgjate dhe asnjëherë me synim për ta zëvendësuar mësimin me prezencë fizike.
Roli që e kanë luajtur mësuesit gjatë kësaj kohe ishte një pasqyrim i entuziazmit, këmbënguljes, kreativitetit, profesionalizmit dhe kualitetit që e posedojnë mësuesit në këtë vend.
Për këtë, ne të gjithë duhet ta dëshmojmë vlerësimin e mësuesve për rolin e rëndësishëm që ata e luajnë në ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe formësimin e së ardhmes së arsimit dhe përmirësimin e rezultateve të të mësuarit të nxënësve.
Po ashtu mësuesit dhe stafi i shkollës udhëheqin dhe shërbejnë si modele në komunitet, në lidhje me mënyrën si t’i mbajnë shkollat të sigurta, që ato të ngelin të hapura.
Ata gjithashtu shërbejnë si modele kur bëhet fjalë për vaksinimin kundër KOVID-19 me rreth 70% punonjës arsimorë të vaksinuar para fillimit të vitit shkollor.
Respektimi i masave dhe protokolleve preventive, mbajtja e maskës, praktikimi i higjienës së duarve, distanca fizik dhe vaksinimi kur të na vijë radha, është ajo që ne të gjithë mund ta bëjmë për ta zvogëluar përcjelljen e virusit në komunitet dhe për t’i mbajtur shkollat të sigurta dhe të hapura.
Në ditën e parë të shkollës do të doja t’u uroja të gjithë nxënësve, mësuesve dhe stafit të shkollës një vit të sigurt dhe të suksesshëm shkollor.
Fëmijët dhe të rinjtë nuk mund të rrezikojnë të kenë një vit tjetër të mësimit me ndërprerje. Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë tani më shumë se kurrë më parë.
Ne duhet të kemi një qasje të të gjithë shoqërisë për t’i mbajtur shkollat të sigurta dhe të hapura. Mbyllja e shkollave për mësimin personal duhet të merret parasysh vetëm kur nuk ka alternativa tjera. Pra, shkollat duhet të jenë të fundit që do të mbyllen dhe të parët që do të rihapen kur të jetë e sigurt për ta bërë këtë.”
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.