UNICEF iu bën thirrje prindërve: Mbroni fëmijët ashtu siç ju kanë juve mbrojtur prindërit tuaj në të kaluarën

09 Shkurt 2024
Doctor performing medical exam to a baby before administering a vaccine
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022

Shkup, 9 shkurt 2024: UNICEF është i shqetësuar nga numri në rritje i rasteve të kollës së keqe në vend dhe lajmet për rastet e fruthit në rajon dhe i bashkohet thirrjes së ekspertëve shëndetësorë drejtuar prindërve dhe kujdestarëve që t’i vaksinojnë fëmijët që e kanë huqur marrjen e vaksinave.

Falë shkallës së lartë të vaksinimit në të kaluarën, prindërit e sotëm e kanë fatin të rriten pa e përjetuar kurrë vdekjen e një anëtari të familjes ose shokut, gjegjësisht pa i vuajtur pasojat e përjetshme të sëmundjeve të tilla, si fruthi ose poliomieliti. Epidemia aktuale e kollës së keqe na e kujton rëndësinë e ruajtjes së mbulimit të rregullt të vaksinimit të fëmijëve në mbi 90-95%, me qëllim të arritjes së imunitetit kolektiv.   

Vetëm duke e arritur imunitetin kolektiv mund t’i mbrojmë ata që nuk mund të vaksinohen, si foshnjat e vogla ose njerëzit me imunitet të dobët. Për t’i mbrojtur fëmijët dhe komunitetet, është e rëndësishme që të gjithë fëmijët, të cilët për çfarëdo arsye e kanë huqur marrjen e vaksinës - sipas orarit nacional të imunizimit - të marrin atë vaksinë.

Vaksinimi është një nga masat më efektive për t’i mbrojtur fëmijët dhe bashkësitë nga sëmundjet e rënda. Vaksinat janë vërtetuar se janë të sigurta dhe për çdo vit në nivel global ato e shpëtojnë jetën e 2 deri në 3 milionë fëmijëve, duke i mbrojtur nga sëmundjet e rënda.

Vaksinimi i fëmijëve është përgjegjësi kolektive. Ne u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve: t’ua siguroni fëmijëve tuaj mbrojtjen, të cilën ua kanë ofruar prindërit tuaj në të kaluarën. Ju keni fuqi ta mbroni fëmijën tuaj, fëmijët e tjerë dhe bashkësinë nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina, të cilat janë provuar të sigurta dhe shumë efektive.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.