UNICEF e mirëpret vendimin për rihapje të shkollave në muajin shtator

Deklaratë e Patricia DiXhovanit, përfaqësuese e UNICEF-it, e cila bën thirrje për përpjekje që shkollat të ngelin të sigurt dhe të hapura

19 Gusht 2021

SHKUP, 19 gusht 2021: “UNICEF-i e mirëpret vendimin e qeverisë për rihapje të shkollave në shtator për të gjithë fëmijët.

“Kjo është veçanërisht inkurajuese pasi që Maqedonia e Veriut e ka regjistruar mbylljen më të gjatë të shkollave nga mësimi me prezencë fizike, me çka shumica e nxënësve e kanë ndjekur mësimin nga distancë për gjithsej 54 javë, gjë që paraqet një numër shumë më të lartë se mesatarja e rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore me 25 javë.

“Ne e pranojmë që vendimet për rihapjen e shkollave shqyrtohen në kontekstin e situatës epidemiologjike me KOVID-19 dhe të kuptuarit tonë në zhvillim e sipër mbi rreziqet e paraqitura nga variantet e reja të virusit, megjithatë shkollat duhet të jenë gjithmonë të fundit që mbyllen dhe të para që rihapen, kur të jetë e sigurt për ta bërë një veprim të tillë.

“Me pasiguritë në fillimin të pandemisë, kalimi në mësimin në distancë ishte një masë e nevojshme, megjithatë ai gjithmonë synohej të ishte afatshkurtër dhe kurrë të mos e zëvendësonte mësimin me prezencë fizike. Qeveritë në të gjithë botën shumë shpesh i kanë mbajtur shkollat të mbyllura për mësim me prezencë fizike për periudha më të gjata. Shpeshherë mbyllja e shkollave konsiderohej si mjet i parë dhe jo si masë e fundit. Në shumë raste, shkollat u mbyllën ndërsa baret dhe restorantet mbetën të hapura.

"Ne e dimë nga hulumtimi ynë me drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe prindërit në Maqedoninë e Veriut se ndonëse arsimi në distancë ndihmoi në mbajtjen e fëmijëve në mësim, më shumë se gjysma e të gjithë arsimtarëve vërejtën një rritje të numrit të nxënësve që mezi ia dilnin ose nuk arrinin ta nxinin atë që duhej të mësohet, si rezultat i mësimit në distancë. Ne gjithashtu pamë që shumica e mësuesve raportuan se në një moment gjatë mësimit në distancë ata nuk mund të kontaktonin me disa nga nxënësit e tyre.

“Për më tepër, para pandemisë KOVID-19, Maqedonia e Veriut veç më përballej me një krizë në arsim. Përderisa vendi tregoi përmirësime premtuese gjatë rezultateve të fundit të PISA-s, akoma më shumë se gjysma e të gjithë pesëmbëdhjetë vjeçarëve në vend nuk arrinin t’i përmbushnin nivelet bazë të aftësive në lexim dhe matematikë. Çdo ndërprerje e vazhdueshme në arsim mund t'i zmbraps këto arritje.

“Me masat përkatëse parandaluese të përcaktuara në shkolla dhe zbulimin me kohë, gjegjësisht izolimin e rasteve dhe kontaktet e tyre, do të jetë i menaxhueshëm rreziku i transmetimit të KOVID-19 në shkolla.

“Shkollat që u hapën në vend në vitin shkollor 2020/2021 kanë dëshmuar se kanë kapacitet për t’i ndjekur protokollet e sigurisë për mbrojtje nga KOVID-19. Për më tepër, pjesa e stafit të vaksinuar të shkollave është premtuese - rreth 62 për qind - dhe po rritet me përmasa optimiste.

"Kjo është arsyeja pse komuniteti duhet ta mbështesë rihapjen e sigurt të shkollave, ndërsa nëse situata evoluon, mbyllja e shkollave duhet të konsiderohet vetëm si mjeti i fundit kur nuk ka alternativa tjera.

“Rihapja dhe mbajtja e shkollave të hapura kërkon një përpjekje kolektive për të siguruar që ato të mbeten një mjedis i sigurt për të mësuar. Tani më shumë se kurrë shkollat kanë nevojë për burime dhe kapacitete për ta kompensuar atë që e kanë humbur nga mësimi dhe mirëqenia mendore. Ne duhet ta bëjmë arsimin një përparësi dhe ta ndërtojmë solidaritetin kombëtar rreth reformave kryesore në mënyrë që çdo fëmijë të jetë në shkollë dhe të mësojë.”

###

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.