UNICEF bën thirrje për mbështetje të menjëhershme të shëndetit mendor në shkolla

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 10 maj 2023: Të shqetësuar nga raportet rreth numrit në rritje të fëmijëve që përjetojnë ankth dhe frikë, UNICEF së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, sot u takua me një ekip profesionistësh dhe ekspertësh të shëndetit mendor për të diskutuar mbi veprimet e menjëhershme dhe për të ofruar mbështetje shtesë për fëmijët në gjashtë javët e fundit të këtij viti shkollor.
Sipas studimeve të UNICEF-it ka pasur rritje të numrit të fëmijëve që përjetojnë ankth. Profesionistët dhe ekspertët në takim konfirmuan se gjithnjë ankthi dhe stresi te fëmijët po bëhet shqetësim më serioz, veçanërisht pas valës së fundit të kërcënimeve me bombë në shkolla në vend dhe pas ekspozimit ndaj lajmeve për ngjarjen tragjike në shkollën në Serbinë fqinje.
Përveç njohjes së nevojës për një qasje të gjithë shoqërisë për të siguruar që shkollat të jenë dhe të ngelin vend i sigurt për të gjithë fëmijët dhe për të ofruar këshillim dhe mbështetje për fëmijët në të gjitha mjediset, partnerët ranë dakord se në javët në vijim nevojitet veprim i menjëhershëm.
Sipas UNICEF-it, nuk mund të injorohen nevojat e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve tanë. Nevojitet një mbështetje e menjëhershme shtesë për shëndetin mendor për fëmijët dhe të rinjtë në shkolla. Për ta lehtësuar këtë, UNICEF-i iu bën thirrje drejtorive të shkollave që të sigurojë që stafi mbështetës i shkollës, duke përfshirë psikologët, pedagogët dhe edukatorët special, të fuqizohen dhe të jenë plotësisht të përkushtuar për t’i mbështetur fëmijët dhe kolegët në gjashtë javët e fundit të këtij viti shkollor.
Për më tepër, kur kemi të bëjmë me çështje që i prekin fëmijët, interesi më i mirë i të gjithë fëmijëve duhet të jetë thelbësor për çdo vendimmarrje nga komuniteti dhe qeveria. Kjo përfshin sigurimin që përgjegjësia për identifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve që po luftojnë me probleme të shëndetit mendor duhet t’u mbetet profesionistëve që veprojnë në sistem, ndërsa barra nuk duhet t’u lihet fëmijëve për t’i identifikuar dhe raportuar ato.
Gjithashtu UNICEF-i iu bën thirrje anëtarëve të publikut dhe mediave që ta promovojnë qasjen parandaluese dhe restauruese për trajtimin e çështjeve të dhunës midis fëmijëve në vend se të kërkojnë masa dhe politika ndëshkuese si dhe të përmbahen nga përdorimi i terminologjisë stigmatizuese, kur u referohen fëmijëve. Parandalimi i të gjitha formave të dhunës dhe sfidave të shëndetit mendor kërkon qasje të gjithë shoqërisë të fokusuar në parandalimin, ndërtimin e qëndrueshmërisë, promovimin e mirëqenies mendore pozitive dhe ofrimin e mbështetjes së specializuar, kur është e nevojshme. Kjo përfshin sigurimin që prindërit të kenë qasje në programet e prindërimit; shkollat të jenë të pajisura për të ofruar një mjedis mësimi të sigurt dhe edukues, kurse fëmijët të kenë qasje në shërbimet dhe mbështetjen e shëndetit mendor; gjegjësisht shërbimet e përgjigjes së synuar të jenë të disponueshme për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për mbështetje të specializuar.
UNICEF-i është i gatshëm ta mbështesë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë partnerët e tjerë relevant në përpjekjet e tyre për t’i adresuar të gjitha format e dhunës dhe sfidat e shëndetit mendor, me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.