UNICEF: 30 vjet me radhë për fëmijët në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të ndalemi asnjëherë

Deklaratë e përfaqësueses së UNICEF-it Patricia Di Xhovani mbi gjendjen e fëmijëve 30 vjet pas ratifikimit të Konventës së të Drejtave të Fëmijës dhe vendosjes së bashkëpunimit me UNICEF-in

31 Korrik 2023
UNICEF 30 e-card
UNICEF North Macedonia

Shkup, 31 korrik 2023 – “Sivjet shënohet një vit i rëndësishëm për fëmijët në vend. Këtë vit vendi feston 30 vjetorin e ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Gjithashtu shënon 30 vjet, që kur zyrtarisht u vendos bashkëpunim me UNICEF-in pasi vendi u bë shtet i pavarur.

“Përderisa është një vit për të reflektuar mbi progresin e bërë për fëmijët, gjithashtu është një mundësi për të reflektuar mbi përgjegjësinë që kemi si shoqëri për të krijuar kushte, në mënyrë që secili fëmijë në vend të ketë një fëmijëri më të mirë, një shans të drejtë, një të ardhme më të mirë, që ta arrijë potencialin e tij të plotë.

“Brenda 30 viteve, vendi ka bërë përparim të dukshëm në avancimin e të drejtave të fëmijës. Po ashtu janë përmirësuar kornizat legjislative dhe ato të politikave për ta lehtësuar qasjen e fëmijëve në të drejtat e tyre. Më pak fëmijë vdesin nga lindja deri në moshën 5 vjeçare. Më shumë fëmijë përfshihen në arsimin fillor dhe të mesëm. Nuk ka fëmijë të strehuar në institucione banimi të përmasave të të mëdha.

“Ndonëse ia vlen të kremtohet progresi, megjithatë nuk mund të shikojmë kah e ardhmja pa mos e pasur në konsideratë prapakthimin pas pandemisë KOVID-19, krizën e energjisë dhe koston e jetesës dhe krizën klimatike. Për më tepër, ne nuk mund të shikojmë përpara pa e pranuar se jetojmë në një botë me ndryshime dhe pasiguri të vazhdueshme. Prandaj ka ende shumë për të bërë.

“Këto kriza të fundit na kanë treguar se sa të brishta mund të jenë gjërat kur nuk janë vendosur themelet për elasticitetin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Pas 30 vitesh, vetë situata na kërkon të jemi gjithnjë e më të përkushtuar në adresimin e çështjeve që prekin fëmijët sot.

“Megjithëse sot vdesin më pak fëmijë sesa 30 vjet më parë, prapëseprapë vendi ka ende nivele të larta të vdekshmërisë perinatale në krahasim me vendet anëtare të BE-së dhe anëtarët e Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore. Fëmijët po e huqin marrjen e vaksinave - që shpëtojnë jetë - për shkak të dezinformatave. Për më tepër, obeziteti i fëmijërisë po bëhet një shqetësim në rritje duke i vënë brezat e rinj në rrezik të problemeve të shëndetit fizik dhe mendor gjatë gjithë jetës në të ardhmen. Ne kemi nevojë për një rritje të investimeve për të përmirësuar cilësinë dhe mbulimin e shërbimeve të specializuara të shëndetit të nënës dhe fëmijës. Ne kemi nevojë për programe të bazuara në prova për ta reduktuar vdekshmërinë nga shkaqe të parandalueshme, për ta rritur ndërgjegjësimin për përfitimet e vaksinave dhe për të ofruar informacion adekuat ndaj lëvizjeve kundër vaksinave. Vendi duhet ta forcojë ushqyerjen me gji dhe të ndërmarrë fushata për ta rritur ndërgjegjësimin për çështjet e të ushqyerit dhe praktikat e duhura të të ushqyerit.

“Përpjekjet që bën një vend për t’i mbrojtur më të cenuarit dhe fëmijët e tij në rrezik janë dëshmi e angazhimeve për t’i përmbushur detyrimet e tij sipas Konventës së të Drejtave të Fëmijës. Pas disa viteve investim në reformën e deinstitucionalizimit, vendi mund të jetë krenar që ka arritur të mos ketë fëmijë të vendosur në institucione banimi në shkallë të gjerë. Ndërkohë derisa nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta parandaluar braktisjen e fëmijëve dhe për t’i zgjeruar shërbimet e kujdestarisë, mundësimi i rritjes së fëmijëve në një mjedis familjar të dashur është thelbësor për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës. Vendi duhet të jetë gjithashtu krenar që ka një kuadër të fortë ligjor për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë qasje në drejtësi. Ka nevojë urgjente për investime në burimet njerëzore, teknike dhe financiare për zbatimin e planeve nacionale të veprimit përkatës dhe zgjerimin e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve. Me një numër kaq të lartë të fëmijëve që vazhdojnë të përjetojnë metoda të disiplinës së dhunshme në shtëpi, ekziston gjithashtu një nevojë urgjente për forcimin e programeve të trajnimit të prindërve dhe për promovim të strategjisë së edukimit jo të dhunshëm.

“Qysh para KOVID-19, vendi përballej me krizë mësimi, pasi më shumë se gjysma e të gjithë pesëmbëdhjetëvjeçarëve nuk arrinin t’i përmbushnin nivelet bazë të aftësisë në lexim dhe matematikë. Ndikimi i programeve për rikuperim nga humbjet e mësimit ende nuk dihet. Madje nuk është e njohur sa kanë qenë të suksesshme shkollat për të depërtuar te fëmijët, që e kanë braktisur mësimin gjatë KOVID-19. Ne po ashtu, kemi vërejtur një numër në rritje të fëmijëve që përjetojnë ankth dhe frikë dhe kanë nevojë për mbështetje të shëndetit mendor në shkolla. Për më tepër, ndryshimet demografike pa rregullime të mëdha në rrjetin e shkollave fillore, kanë rezultuar në joefikasitet dhe pabarazi në ndarjen e burimeve të kufizuara. Rritja e financimit publik dhe investimit në arsim është një parakusht për rritjen e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes së arsimit për të gjithë fëmijët., Janë të nevojshme reforma të programit mësimor, të cilat sigurojnë që fëmijët t’i fitojnë njohuritë, shkathtësitë dhe aftësitë e nevojshme për të lulëzuar në një shoqëri moderne, prandaj sistem arsimor duhet të merr më shumë investime Fëmijët, të cilët kanë ngelë prapa në lexim dhe matematikë përpara pandemisë KOVID-19, tani janë të rinj të rritur, që kalojnë në arsimin sipëror ose përfshihen në fuqinë punëtore. Kështu do të ngjajë me të gjitha veprimtaritë derisa të gjendet zgjidhje për këtë çështje. Pra kjo është çështje urgjente dhe mjaft e rëndësishme, e cila do të ketë pasoja serioze për këtë dhe për gjeneratat e ardhshme.

“Është e mundur të arrihet që çdo fëmijë të lulëzojë, të mësojë, të mbrohet dhe të marrë pjesë, megjithatë fëmijët romë, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që jetojnë në varfëri kanë më shumë gjasa të ngelin pas. Pandemia e KOVID-19 dhe rritja e inflacionit kanë çuar fëmijë tjerë drejt rrezikut të varfërisë. Për më tepër, fëmijët e përjetojnë varfërinë ndryshe nga të rriturit, andaj mirëqenia e fëmijëve përcaktohet nga faktorë të shumtë, përtej të ardhurave familjare. Privimet nga zhvillimi i mirëfilltë gjatë fëmijërisë së hershme, të ushqyerit, edukimi, siguria, dashuria dhe kujdesi janë ndër 5 kontribuuesit kryesorë të varfërisë shumëdimensionale të fëmijëve. Fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me barriera për përfshirje në arsimin e rregullt, gjegjësisht fëmijët romë vazhdojnë të përballen me barriera për avancim në arsim. Këto pabarazi vazhdojnë t’i mbajnë ata të përjashtuar dhe të privuar nga mundësia për t’u rritur dhe lulëzuar sikur moshatarët e tyre. Përderisa shikojmë nga e ardhmja, ne nuk mund ta bëjmë këtë pa e adresuar barazinë, madje kjo duhet të fillojë duke e trajtuar diskriminimin e shumëfishtë dhe ndërsektorial ndaj fëmijëve të cenueshëm.

“Meqenëse jetojmë në një epokë të krizave të shumta, nuk mund të shikojmë kah e ardhmja pa mos e pasur parasysh krizën klimatike dhe ndikimin e saj tek fëmijët sot dhe nesër në botë. Fëmijët janë më të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit sesa të rriturit. Shkupi dhe qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut janë përmendur shpesh si më të ndoturit në botë. Ne duhet të punojmë për dhe me fëmijët dhe të rinjtë me qëllim të nxitjes së përpjekjeve për përmirësimin e arsimit mbi mjedisin jetësor dhe mbështetjen e nismave të udhëhequra nga të rinjtë për adresimin e degradimit mjedisor dhe ndryshimeve klimatike.

“Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve, në vëzhgimet më të fundit përfundimtare mbi progresin e vendit drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve në përputhje me Konventën dhe protokollet e saj opsionale, i ka shtruar disa nga këto çështje si tema që kërkojnë veprim urgjent dhe ka dhënë rekomandime të qarta dhe specifike.   

“Krijimi i një të ardhme më të mirë për çdo fëmijë, kërkon energji dhe përkushtim nga secili në shoqëri. Aspiratat e Maqedonisë së Veriut për ta përmirësuar konkurrencën ekonomike dhe për ta përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian janë kyçe për të arritur një të ardhme më të sigurt, më elastike, të qëndrueshme dhe të begatë për qytetarët e saj. Përmbushja e këtyre qëllimeve varen shumë nga ndërtimi i një fuqie punëtore të shëndetshme, shumë të kualifikuar dhe nga zhvillimi i kapitalit njerëzor. Sot përparimi i të drejtave të çdo fëmije është i rëndësishëm për fëmijët, por është gjithashtu mënyra më e mirë për të ndërtuar një botë më paqësore, më të begatë dhe të drejtë për të gjithë.

“Duke festuar 30 vjetorin tonë në Maqedoninë e Veriut, ne jemi krenarë për angazhimin tonë të vazhdueshëm ndaj fëmijëve, grave dhe familjeve në vend. Qoftë në kohë krize apo zhvillimi, UNICEF-i ka punuar me partnerë për të siguruar që çdo fëmijë ta ketë fillimin më të mirë në jetë, të mbrohet nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina, të ndihet i dashur dhe i mbrojtur në një mjedis mbështetës të ngjashëm me familjen. Njashtu secili fëmijë të mund të përgatitet për shkollë dhe për të ndjekur arsim cilësor në një mjedis shkollor pa dhunë, gjithëpërfshirës dhe mbështetës – kudo dhe pavarësisht nga situata. Po ashtu, secili të zhvillojë aftësi, kuriozitet, ta ndërtojë vetëbesim, ta shpreh mendimin e tij/saj për çështje që ndikojnë në jetën e tyre dhe të zhvillohet në qytetar të lumtur dhe rezistent.

“Për UNICEF-in nuk kishte kurrë rëndësi se kush ishin ata fëmijë apo nga ishin. Ajo që ka qenë gjithmonë me rëndësi është qasje te fëmijët në rrezik dhe nevojë më të mëdha. Tani, së bashku me partnerët tanë, UNICEF-i mbetet edhe më i përkushtuar për ta vazhduar punën për secilin fëmijë.

“Kudo që janë. Kushdo qofshin ata. Sa herë që kanë nevojë për ne. Dhe tani, më shumë se kurrë, nuk do të ndalemi asnjëherë.”

Kontakte me mediat

Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.