Të mbrojtur së bashku - vaksinat e rregullta për fëmijë funksionojnë

Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i e promovuan fushatën nacionale për imunizimin e rregullt të fëmijëve

26 Prill 2023
Patrizia DiGiovanni, UNICEF Representative.
UNICEF/2023

Shkup, 26 prill 2023: Me vizitën e pikës për imunizim në Poliklinikën “Bukuresht”, zëvendës ministrja e Shëndetësisë, dr. Maja Manoleva, përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani dhe Goran Koçinski, zyrtar nacional për imunizim i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë e filluan fushatën nacionale për imunizimin e rregullt të fëmijëve “Të mbrojtur së bashku - vaksinat rutinë të fëmijërisë kanë efekt”, e cila mbështetet nga UNICEF-i.

Fushata synon ta trajtojë çështjen e hezitimit të prindërve dhe kujdestarëve në procesin e vendimmarrjes për t’i vaksinuar fëmijët e tyre, duke krijuar besim në përparimet shkencore, duke theksuar se mungesa ose vonesa e vaksinimit i vë fëmijët në rrezik të prekjes nga sëmundjet, që mund të parandalohen me një vaksinë.

“Është fakt që pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht në procesin e imunizimit të rregullt të fëmijëve, si në nivel global ashtu edhe këtu. Këtë vit jam i lumtur që shoh ndryshimin e trendit. Megjithëse kemi përmirësuar mbulimin nacional të vaksinimeve të rregullta për fëmijët, dua të theksoj se ende nuk është arritur pragu i rekomanduar për imunitetin kolektiv, i përcaktuar nga programi i detyrueshëm i imunizimit - 95% në nivel nacional dhe 90% në nivel lokal. Prandaj ne vazhdojmë të punojmë intensivisht në këtë temë”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, dr. Manoleva.

Protected together
UNICEF/2023

Të gjitha vaksinat për fëmijët deri në 12 muaj, me përjashtim të vaksinave pneumokokale dhe rota, të përfshira në vitin 2019, kanë arritur një mbulim prej rreth 84%.

Gjithashtu ka një rritje në mbulimin nacional të vaksinës MMR; vitin e kaluar për dozën e parë ka pasur mbulim prej 70.4%, këtë vit ka një rritje të lehtë në 70.7%. Doza e dytë vitin e kaluar ishte 80.4%, ndërsa këtë vit ka rritje të ndjeshme dhe arrin mbi 89% mbulim në nivel nacional.

Këtë vit është vërejtur një rritje e ndjeshme e mbulimit me HPV, e cila në vitin 2021 ishte 35.5%, ndërsa këtë vit është mbi 50%.

“Vaksinat e rregullta të fëmijërisë janë provuar të sigurta dhe efektive dhe shpëtojnë çdo vit 2 deri në 3 milionë fëmijë nga sëmundjet vdekjeprurëse në mbarë botën. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve - mos e vononi vaksinimin. U bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që t’ua ofrojnë fëmijëve të tyre mbrojtjen që prindërit e tyre u kanë ofruar në të kaluarën. Në shekullin e 21-të, ne nuk duhet ta rrezikojmë me vetëdije jetën e fëmijëve dhe t’i vëmë ata në rrezik të sëmundjeve të parandalueshme me vaksina, të cilat janë provuar të jenë të sigurta dhe shumë efektive", tha Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani.  

Protected together
UNICEF/2023

Në fushatën nacionale të mbështetur nga UNICEF, punonjës shëndetësorë, pediatër, punonjës të pikave të vaksinimit dhe gjinekologë do të flasin për rreziqet e vonesës së vaksinimit, si dhe për përfitimet e vaksinave për fëmijët, të cilat janë mënyra më efektive për mbrojtjen e shëndetit të tyre.

“Me rëndësi thelbësore është, që prindërit ta kuptojnë rëndësinë e marrjes së dozave të vonuara ose të huqura të vaksinave për fëmijët e tyre. Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet tona për t'i bërë vaksinat lehtësisht të disponueshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në vitet e kaluara, të gjithë partnerët në vend kanë punuar në identifikimin e personave të pavaksinuar dhe jo të vaksinuar plotësisht dhe në lehtësimin e qasjes në vaksina”, tha Goran Koçinski, përfaqësues i OBSH-së. zyrtar nacional për imunizimin e OBSH-së në Maqedoninë e Veriut.

Përmes fushatës do të promovohet platforma e re digjitale e-shëndeti, e cila përmban një seksion të veçantë kushtuar imunizimit dhe i integron të gjitha informacionet për vaksinat në një vend. Më shumë informacion rreth fushatës mund të gjeni këtu: https://uni.cf/3LckNge

 

Kontakte me mediat

Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.