Të ardhurat familjare nuk janë i vetmi faktor që i bën fëmijët të varfër

UNICEF dhe Finance Think nisin një studim të ri mbi varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut

09 Dhjetor 2021
Roma boy wearing red jacket standing on a street
UNICEF

Shkup, 9 dhjetor 2021:  Studim i ri mbi Varfërinë Shumëdimensionale të Fëmijëve në Maqedoninë e Veriut  iu bën thirrje politikëbërësve ta rimendojnë mënyrën se si vendi e matë dhe e trajton varfërinë e fëmijëve. Studimi bazohet në një metodologji të re, që pranon se fëmijët e përjetojnë varfërinë ndryshe nga të rriturit dhe se mirëqenia e fëmijëve përcaktohet nga faktorë të shumtë, përtej të ardhurave familjare. Studimi në fjalë thekson se privimet në arsim, zhvillimin e fëmijërisë së hershme, ushqimin, sigurinë dhe dashurinë dhe kujdesin janë ndër 5 kontribuuesit kryesorë në varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve.

Studimi i ri u prezantua në Forumin e Politikave “Varfëria e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut - Të ardhurat nuk janë faktori i vetëm”, organizuar nga UNICEF-i dhe Finance Think. Forumi i politikave u hap zyrtarisht nga Presidenti Pendarovski dhe Përfaqësuesi i UNICEF-it, ndërsa në të u mblodhën së bashku përfaqësues të Qeverisë, politikëbërësit, dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar mbi implikimet e politikave të raportit të ri.

“Ne nuk mund të themi se jetojmë në një shoqëri të lirë dhe të drejtë përderisa ka fëmijë që jetojnë në varfëri. Prandaj, çështja e varfërisë së fëmijëve është kryesisht një çështje morale dhe etike. Ne kemi nevojë për hapa dhe politika praktike që shpijnë në ndryshime sistematike dhe strukturore, që do të krijojnë kushtet për nxjerrjen e fëmijëve nga varfëria dhe përfshirjen e tyre të barabartë në shoqëri. Solidariteti me të pambrojturit është shumë më tepër se një akt bujarie. “Solidaritet do të thotë të luftosh shkaqet strukturore të varfërisë dhe pabarazisë”, tha Sh.T. Stevo Pendarovski, President i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Ne duhet ta rimendojmë qasjen tonë të përgjithshme n përballjen me varfërinë e fëmijëve. Ne duhet të largohemi nga fokusi vetëm në të ardhurat familjare. Investimet për përmirësimin e arsimit cilësor, zgjerimin e qasjes në mësimin parashkollor shërbimet bazë sociale, dhe prezantimin e shërbimeve dhe programeve të reja për t’i mbështetur prindërit në mënyrë që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar të dashur, duhet të shihen si investime për ta trajtuar varfërinë e fëmijëve dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarëve të vendit”, tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it.

Studimi e prezanton një indeks të ri shumëdimensional të varfërisë së fëmijëve për Maqedoninë e Veriut, që përfshin dymbëdhjetë dimensione: të ushqyerit, qasjen në ujë dhe kanalizime, shëndetin, strehimin, arsimin, informacionet, shërbimet tjera sociale, kujdesin dhe dashurinë, sigurinë, lirinë nga shfrytëzimi, zhvillimin në fëmijëri të hershme dhe mirëqenien materiale. Ky studim është përgatitur për t’i ndihmuar politikëbërësit të planifikojnë politika të synuara mirëfilli, që janë efektive dhe efikase për ta reduktuar dhe eliminuar varfërinë e fëmijëve.

Rezultatet theksojnë se:

  • 12% e fëmijëve të moshës 5 deri në 17 vjeç dhe 9% e fëmijëve nën 5 vjeç përjetojnë varfëri shumëdimensionale.
  • Fëmijët romë, pavarësisht nga mosha, janë dukshëm më të prekshëm. Të paktën një në tre fëmijë romë përjetojnë varfëri shumëdimensionale, krahasuar me një në dhjetë fëmijë në popullatën e përgjithshme.
  • Mbi 40% e fëmijëve nën moshën 5 vjeçare që përballen me varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve, përjetojnë privime nga zhvillimin në fëmijëri të hershme, siguria dhe mirëqenia materiale.
  • Çdo i dyti fëmijë i moshës 5 deri në 17 vjeç, që përballet me varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve, përjeton privime në arsim, siguri, kujdes dhe dashuri.
  • Dy rajone, ai lindor dhe ai juglindor, kanë një prevalencë të lartë të varfërisë shumëdimensionale, ndonëse rajoni i Pollogut dhe i Shkupit gjithashtu shfaqin cenueshmëri të lartë.
  • Varfëria e fëmijëve në zonat urbane mund të reduktohet ndjeshëm me masa për përmirësimin e arsimit dhe mirëqenies materiale, ndërsa në zonat rurale nevojitet një qasje më e gjerë që kërkon ndërhyrje në dimensione të shumëfishta.
  • Arsimi i fëmijëve dhe prindërve është një faktor i rëndësishëm për nxjerrjen e fëmijëve nga varfëria.

Bazuar në këto gjetje, studimi i ri rekomandon që Qeveria: ta masë rregullisht varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve dhe t’i përfshijë qëllimet dhe indikatorët, që ndërlidhen me varfërinë e fëmijëve në strategjitë përkatëse; t’iu jep përparësi politikave dhe planeve qe e reduktojnë pabarazinë dhe fokusohen tek fëmijët më të cenueshëm, si fëmijët romë dhe fëmijët që jetojnë në komunitetet rurale; të përfshijë shërbime të reja për t’i mbështetur prindërit dhe t’i vazhdojë investimet për reformimin e sistemit arsimor dhe përpjekjet për ta zgjeruar arsimin gjithëpërfshirës parashkollor dhe shkollor, në mënyrë që çdo fëmijë t’i fitojë njohuri dhe aftësitë, që iu nevojiten për t’u zhvilluar dhe prosperuar.  

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.