Studimi i ri i UNICEF bën thirrje për shërbime ndërsekotorale mbi ndërhyrjet në fëmijëri të hershme
Duke u fokusuar te fëmijët e moshës 0-6 vjeçare me ngecje në zhvillim dhe paaftësi, raporti e thekson nevojën për mbështetje më të madhe ndërsektoriale për familjet dhe fëmijët

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 31 tetor 2022 - Sot, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe partnerët tjerë u mblodhën për të diskutuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e studimit të ri, i cili i shqyrton shërbimet e ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme për fëmijët me vonesa në zhvillim dhe paaftësi.
Analiza e situatës mbi ndërhyrjet në fëmijërinë e hershme në Maqedoninë e Veriut ofron njohuri për programet dhe shërbimet e disponueshme në vend. Mes tjerash studimi thekson se pamjaftueshmëria dhe mungesa e ekzaminimeve të zhvillimit në fëmijëri të hershme dhe të shërbimeve të ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme në nivel nacional, rezulton në një përqindje të lartë të fëmijëve në gjendje të rrezikuara, në vonesa zhvillimore dhe/ose paaftësi që mbeten të panjohura dhe të patrajtuara.
“Vitet e para të jetës ofrojnë mundësi unike për formim të aftësisë së një fëmije për të mësuar, për t’u rritur dhe për të kontribuar plotësisht në shoqëri, duke i parandaluar vonesat e mundshme në zhvillim dhe aftësi të kufizuara,” tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Vonesat në zhvillim mund të shkaktohen nga rezultate të dobëta nga lindja, stimulimi joadekuat, kequshqyerja, sëmundja kronike, gjendja psikologjike dhe familjare ose faktorët tjerë mjedisorë. Kjo është arsyeja pse ekzaminimi dhe mbështetja e integruar ndërsektoriale - shëndetësore, parashkollore dhe sociale - për familjet dhe fëmijët - është me rëndësi jetike për t’i ndihmuar fëmijët ta përmbushin potencialin e tyre.”
Analiza e situatës thekson se në rastet kur fëmijët kanë pasur depistime (kontrolle) zhvillimore, zakonisht prindërit kanë qenë ata që e kanë kërkuar shërbimin dhe më së shpeshti identifikimi i vonesave/aftësive zhvillimore është bërë me vonesë. Vetëm 44 për qind e fëmijëve fillojnë të kenë depistime zhvillimor para moshës tre vjeçare. Gjetjet kërkojnë një sistem të shqyrtimit zhvillimor universal, vlerësimeve dhe referimeve në mënyrë që fëmijët dhe familjet të marrin mbështetje në kohë adekuate.
“Identifikimi i hershëm dhe depistimi zhvillimor i fëmijëve në masë të madhe varet nga profesionistët e shëndetësisë duke përfshirë mjekët obstetër, neonatologë, pediatër, mjekë amë, psikiatër, infermierë patronazhi etj. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ofron mbështetje të vazhdueshme për forcimin e mëtejshëm të të gjithë sektorëve, duke e vënë si prioritet kujdesin shëndetësor primar”, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Përderisa ndërhyrjet në fëmijërinë e hershme ofrohen kryesisht përmes sektorit shëndetësor, analiza e situatës e potencon nevojën për njohjen e shërbime që e kanë në qendër familjen dhe fëmijën, si dhe bën thirrje për një bashkëpunim të ngushtë ndërsektorial të mirëqenies sociale të sektorit shëndetësor, arsimit parashkollor, mbrojtjes së fëmijëve, si dhe të disa disiplinave tjera, që iu përkasin këtyre sektorëve, siç është puna sociale, psikologjia dhe arsimi special.
“Reformat në mbrojtjen sociale ofrojnë pikë hyrëse për të gjithë profesionistët që punojnë në fushën e aftësisë së kufizuar, në mënyrë që ta japin kontributin e tyre në zhvillimin e potencialeve të fëmijëve, gjegjësisht të kapaciteteve dhe aftësive të familjes. Përmes investimeve në shërbimet sociale, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e ndërton rrjetin e shërbimeve dhe siguron mbulimin adekuat”, tha Jovana Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Analiza e situatës mbi ndërhyrjet në fëmijërinë e hershme në Maqedoninë e Veriut e mbështetur nga UNICEF-i u krye me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si pjesë e iniciativës dyvjeçare rajonale të UNICEF-it dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR). Nisma në fjalë synon t’i forcojë sistemet nacionale të shëndetit, arsimit, zhvillimit në fëmijëri të hershme dhe mbrojtjes së fëmijëve për të siguruar vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve bazë për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre në përgjigjen e menjëhershme dhe afatgjatë të rimëkëmbjes ndaj KOVID-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.