Shëndeti mendor është çështja e gjithsecilit

Konferenca e UNICEF-it për shëndetin mendor bën thirrje për një përgjigje ndërsektoriale për të forcuar përkrahjen për shëndetin mendor për adoleshentët dhe familjet e tyre

03 Maj 2023
Patrizia DiGiovanni, UNICEF Representative.
UNICEF/2023/Georgiev

Shkup, 3 maj 2023: Në konferencën kombëtare “Shëndeti mendor është çështja e gjithsecilit”, UNICEF-i dhe partnerët hapën diskutim mbi përforcimin sistematik për mbështetjen e shëndetit mendor për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë investime më të mëdha në shëndetin mendor dhe shërbimet për mbështetje psikosociale, përgjigja në shkollat dhe bashkësitë dhe ndryshimi në bisedën publike për të zvogëluar stigmën që lidhet me shëndetin mendor në të gjitha mjediset.

“Gjatë viteve të kaluara janë ndërmarrë hapa në kuadër të ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe thyerjes së stigmës që lidhet me të. Gjithnjë e më shumë njerëz po flasin hapur për betejat e tyre me shëndetin mendor; korrelacioni ndërmjet shëndetit mendor dhe fizik po diskutohet gjithnjë e më shpesh. Por padyshim që kemi ende shumë punë për të bërë. Edhe si individë edhe si kolektiv”, tha Elizabeta Gjorgievska, bashkëshortja e Presidentit të Maqedonisë së Veriut në fjalën e saj hapëse.

Elizabeta Gjorgievska
UNICEF/2023/Georgiev

Gjatë gjithë jetës së tyre, fëmijët dhe të rinjtë përjetojnë nivele të ndryshme të shëndetit pozitiv mendor dhe të mirëqenies. Sipas hulumtimeve globale, 1 në 10 prej tyre gjithashtu do të përjetojnë një gjendje shëndetësore mendore.

“Kur flasim për shëndetin mendor, shpesh vëmë theksin në trajtimin mjekësor, në kushtet që duhet të diagnostikohen dhe mjekohen. Në vend të kësaj, shëndeti mendor duhet të kuptohet si një vazhdimësi. Në cilëndo fazë të jetës sonë, cili do prej nesh mund të përjetojë shëndetin pozitiv mendor – aftësinë për të shijuar jetën dhe për të përballuar ditët e mira dhe të këqija - por mund të hasim edhe në periudha të shqetësimit serioz. Kjo është arsyeja pse, duhet të kemi shërbime për shëndetin mendor, por gjithashtu duhet të promovojmë një mjedis të shëndetshëm dhe përkrahës që inkurajon mirëqenien e përgjithshme të fëmijëve, përkujdesësve dhe shoqërisë në tërësi,” tha Patrizia DiGiovanni, Përfaqësuese e UNICEF-it.

UNICEF-i prezantoi rezultatet kryesore të programeve të UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut për shëndetin mendor për fëmijët dhe adoleshentët, duke përfshirë gjetjet kryesore nga dy studime mbi shëndetin mendor – të parat e këtij lloji në vend – të financuara nga USAID dhe të kryera në partneritet me Klinikën Universitare të Psikiatrisë gjatë vitit të tretë të COVID-19 në mes të vitit 2022.

Artur Ayvazov
UNICEF/2023/Georgiev

Synimi i “Studimi i ndikimit të COVID-19 në shëndetin mendor tek adoleshentët dhe familjet dhe përkujdesësit e tyre në Maqedoninë e Veriut” dhe “Studimi i ndikimit të COVID-19 në shëndetin mendor tek gratë në periudhën perinatale në Maqedoninë e Veriut” ishte të përdoren të dhënat për të siguruar udhëzime të bazuara në prova për ndërtimin e politikave dhe aktiviteteve shëndetësore, sociale, arsimore dhe ekonomike për forcimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies tek fëmijët dhe familjet e tyre.

Gjatë pandemisë, adoleshentët përjetuan sfida shumë më të mëdha të shëndetit mendor, më shumë se të rriturit, duke u përballur me ndërprerje dramatike në jetën e tyre të përditshme. Studimet konfirmuan se izolimi i zgjatur shoqëror, mbyllja e shkollave, ndërprerja e rutinave të përditshme, pasiguria, shqetësimi për shëndetin dhe mirëqenien e familjes dhe të dashurve, ndikoi në shëndetin mendor të vajzave dhe djemve adoleshentë. Kjo çoi në rritjen e depresionit dhe ankthit.

Një në tre adoleshentë raportuan se përjetonin simptoma të depresionit, ku vajzat kishin gjashtë herë më shumë gjasa të raportonin simptoma të depresionit sesa djemtë. Deri në 42% e adoleshentëve përjetuan simptoma të moderuara deri të rënda të ankthit. Ata gjithashtu kishin një intensitet më të lartë të mendimeve vetëvrasëse dhe mosfunksionimit për shkak të depresionit dhe frikës nga virusi COVID-19 në krahasim me përkujdesësit e tyre. Megjithatë, më shumë se gjysma e adoleshentëve që raportuan një nevojë për shërbime të shëndetit mendor nuk kërkuan një ndihmë të tillë.

Gabrielle Fontana
UNICEF/2023/Georgiev

Shumë fëmijë dhe adoleshentë luftojnë në heshtje, për shkak të stigmës ose mungesës së iniciativave që promovojnë dhe mbrojnë shëndetin mendor dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Kostoja e kësaj heshtjeje mund të llogaritet në kapitalin e humbur njerëzor, i cili ndërhyn në harmoninë dhe prosperitetin e familjeve, bashkësive dhe kombeve,” tha Patrizia DiGiovanni, përfaqësuese e UNICEF-it.

Studimi mbi shëndetin mendor të grave në periudhën perinatale tregon se më shumë se 54% e nënave që raportuan simptoma të rënda të depresionit, përjetuan dëmtime serioze në lidhjen nënë-fëmijë që është faktor vendimtar për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës, por edhe për shëndetin mendor dhe mirëqenien e nënave.

Një aspekt i rëndësishëm i mbështetjes së UNICEF-it për shëndetin mendor është sigurimi që të gjithë fëmijët dhe adoleshentët të mësojnë dhe bashkëveprojnë në mjedise të sigurta dhe të lira nga dhuna. Në këtë kontekst, UNICEF-i me mbështetjen e USAID-it ka punuar me Byronë për Zhvillimin e Arsimit për t'u ofruar shkollave mundësinë për të promovuar shëndetin pozitiv mendor dhe mirëqenien, për të ndërtuar qëndrueshmërinë dhe aftësitë jetësore të nxënësve, për të luftuar stigmën dhe për të rritur qasjen deri tek kujdesi për shëndetin mendor.

Conference
UNICEF/2023/Georgiev

Si rezultat, 60% e personelit ndihmës në shkolla duke përfshirë psikologë, pedagogë dhe edukatorë special u trajnuan në një Program themelor për mbështetje psikologjike dhe sociale për shëndetin mendor. Rreth 3000 mësues të shkollave fillore që japin mësim në klasën 1-5 u trajnuan në një modul për shëndetin mendor në kuadër të Konceptit të ri nacional për arsimin fillor.

Me mbështetjen financiare nga USAID dhe Bashkimi Evropian, UNICEF ka mbështetur edhe shërbimet e shëndetit mendor dhe mjetet për praktikuesit që merren me fëmijët dhe familjet më të rrezikuara. Përveç kësaj, më shumë se njëqind punëtor të vijës së parë të sektorit social u pajisën me mjete për të përmirësuar rezistencën personale dhe me këtë të sigurojnë reagim më të mirë të sistemit në situata krize. U krijua një linjë telefonike për ndihmë për shëndetin mendor dhe mbështetje psikosociale për fëmijët dhe familjet në nevojë

Conference
UNICEF/2023/Georgiev

Në përpjekjet e saj të ardhshme dhe si një vazhdim i konferencës kombëtare, UNICEF do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e një strategjie nacionale për shëndetin mendor për të cilën u identifikuan katër fusha kryesore që kërkojnë një përgjigje ndërsektoriale:

ndryshuarit e bisedës publike dhe zvogëlimi i stigmës që lidhet me shëndetin mendor në të gjitha mjediset: Ndryshimi i bisedës dhe perceptimit nga publiku për shëndetin mendor dhe sëmundjet mendore dhe çështjet e lidhura me abuzimin dhe neglizhencën.

Investim për të gjithë: Investim më i madh dhe më i mirë në shërbimet e shëndetit mendor dhe mbështetjes psiko-sociale për të gjithë fëmijët, adoleshentët dhe familjet.

Promovimi dhe parandalimi në familje: Përkrahje për familjet përmes programeve që promovojnë prindërimin pozitiv dhe që ushqejnë kujdesin dhe mbështetjen e mirëqenies së përkujdesësit dhe shëndetit mendor.

Përgjigjja në shkollë dhe bashkësi: Sigurimi që të gjithë fëmijët dhe adoleshentët të mësojnë dhe bashkëveprojnë në mjedise të sigurta dhe të lira nga dhuna me raporte përkrahëse dhe qasje në shërbime të shëndetit mendor për të gjithë ata që kanë nevojë për to.

_______________________________________________________________________

Studimi mbi ndikimin e COVID-19 në shëndetin mendor tek adoleshentët dhe familjet e përkujdesësve të tyre në Maqedoninë e Veriut u realizua midis adoleshentëve të moshës 12-18 vjeç dhe përkujdesësve të tyre të moshës mbi 18 vjeç, që jetojnë në të njëjtën familje të cilët u rekrutuan përmes postës elektronike nëpër shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë vendin.

Studimi mbi ndikimin e COVID-19 në shëndetin mendor tek gratë në periudhën perinatale në Maqedoninë e Veriut përfshiu gratë shtatzëna dhe nënat e fëmijëve nën 1 vjeç të moshës 18-45 të zgjedhura rastësisht në shtatë klinika kombëtare të shëndetit.

_______________________________________________________________________

Nëse ju ose dikush që njihni ka nevojë për ndihmë mendore dhe mbështetje psikosociale, ju lutemi telefononi 072 912 676

Kontakte me mediat

Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.