Përmirësimi i mbulimit me vaksina kërkon riorganizim të kujdesit shëndetësor preventiv për fëmijët

25 Janar 2024
Event: Preventive Child Health Care Fit for Purpose and Resilient
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2024

Shkup, 25 janar 2024:  Në evenimentin e sotëm u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet preliminare të politikave të analizës funksionale dhe financiare lidhur me shërbimet e vaksinimit, si dhe studimi mbi investimet e nevojshme në shërbimet e vizitave në shtëpi. Hartuesit e politikave, ekspertët shëndetësorë dhe partnerët arritën në përfundimin se duhet të vazhdohet të punohet në fuqizimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor preventiv për fëmijët.  

Të gjithë palët e interesuara ranë dakord se shërbimet rutinë të imunizimit dhe shërbimet e vizitave në shtëpi kanë nevojë për investime të shtuara dhe përdorim më efikas të burimeve, në mënyrë që të mund ta rikthejnë mbulimin rutinë të vaksinave në shkallë 90-95% në të gjithë vendin.   

“Kujdesi shëndetësor preventiv është një nga shtyllat kryesore të sistemit të kujdesit shëndetësor. Më vjen mirë që sot kemi një mundësi të shkëlqyer për shkëmbimin e njohurive dhe përvojës, me qëllim të përmirësimit të shërbimit të patronazhit, imunizimit dhe sistemit preventiv të kujdesit shëndetësor”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Gjatë evenimentit, politikëbërësit, praktikuesit e kujdesit shëndetësor dhe ekspertët diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e ofrimit të shërbimit të imunizimit dhe për qasje në komunitetet më të cenueshme. Diskutimi u bazua në gjetjet dhe rekomandimet nga analiza funksionale dhe financiare e shërbimeve të vaksinimit, e cila i identifikoi boshllëqet dhe sfidat në sistemin aktual për sa i përket strukturës organizative, shpërndarjes së burimeve dhe kapaciteteve të fuqisë punëtore.

Shpresoj se këto rekomandime do të përfshihen në Strategjinë nacionale të imunizimit. Qeveria e SHBA-së mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Angazhimi ynë kolektiv është jetik për mbrojtjen e atyre më të cenuarve”, tha Xheri Dible, përfaqësues nga USAID në Maqedoninë e Veriut.

“Pandemia ka shkaktuar tendosje të madhe në sistemin shëndetësor dhe i ka ndërprerë shërbimet rutinë të imunizimit. Ndonëse është shënuar rikuperim i caktuar, megjithatë ka nevojë për investime të shtuara për t’i adresuar boshllëqet e sistemit, të cilat u zbuluan gjatë përpjekjeve për ta ndërtuar një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm. Tani më nuk mjafton vetëm prokurimi dhe shpërndarja e vaksinave cilësore. Vendi duhet t’i rishqyrtojë dhe riorganizojë kapacitetet, që i nevojiten për të ofruar programe të integruara të kujdesit preventiv, në mënyrë që shërbimet t’i përgjigjen ndryshimeve masive demografike dhe rritjes së hezitimit ndaj vaksinave, duke shfrytëzuar njëkohësisht mundësi të reja si digjitalizimi,“ tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it dhe shtoi se çdo fëmijë meriton fillimin sa më të mirë të mundshëm në jetë dhe kujdes shëndetësor preventiv, gjë që është komponent kritik i përmbushjes së këtij qëllimi.”

Ndër çështjet e diskutuara ishin shpërndarja e pabarabartë e ekipeve të vaksinimit në krahasim me numrin e popullsisë që ata e shërbejnë, mungesat e stafit dhe mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit me infermieret e patronazhit, mjekët familjarë dhe pediatër. Mes tjerash, këto elemente, si mungesa e pajisjeve, i parandalojnë ekipet e imunizimit ta ofrojnë të njëjtin nivel shërbimesh dhe shtrirje në komunitet, por gjithashtu e vështirësojnë punën e ekipeve të imunizimit për t’i mbajtur të azhurnuara të dhënat digjitale. Po ashtu, u diskutuan edhe mungesat e stafit në sektorin e mbrojtjes primare dhe preventive në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sfidat tjera lidhur me kapacitet.  

Për më tepër, dialogu u fokusua në shërbimet e vizitave në shtëpi, për ta identifikuar një rast investimi për mbështetjen e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së shërbimit, me një fokus të veçantë në zhvillimin e lidhjeve dhe koordinimit me shërbimet e imunizimit. Infermieret e patronazhit janë pikë e rëndësishme hyrëse për marrjen e vaksinave, duke adresuar keqinformimin për vaksinat dhe shqetësimet që kanë familjet, duke ua përkujtuar kalendarin e vaksinimit familjeve me fëmijë dhe duke u siguruar që ata të kenë informacione të nevojshëm se si t’i marrin vaksinat. Megjithatë, aktualisht nuk ekziston një sistem për ta koordinuar dhe integruar mbështetjen e imunizimit, andaj nevojitet më shumë punë për ta forcuar shërbimin e vizitave në shtëpi në komunitetet rurale, në komunitetet rome dhe ato shqiptare. Për më tepër, ekziston nevoja për rritjen e alokimeve vjetore të buxhetit për vizitat në shtëpi, me qëllim të sigurimit të shërbimit cilësor, si dhe futjes së stimujve për zhvillimin e karrierës për të ruajtur fuqinë punëtore ekzistuese dhe për të tërhequr profesionistë të rinj.  

Evenimenti arriti në përfundimin se rekomandimet kryesore medoemos duhet të pasqyrohen në Strategjinë nacionale të imunizimit, që është duke u zhvilluar dhe në dokumente tjera përkatëse të politikave të qeverisë. Rekomandimet kryesore përfshijnë: përmirësimin e shpërndarjes gjeografike të ekipeve të vaksinimit për të mbuluar më mirë popullatën e fëmijëve; përfshirja e stimujve për ekipet e imunizimit për ta arritur mbulimin e rekomanduar të vaksinave dhe për ta mbajtur bazën e të dhënave digjitale të përditësuar mbi vaksinimet, me çka do të sigurojnë planifikim të thuktë të aktiviteteve në terren; fuqizimi i mëtejmë i planifikimit dhe monitorimit të imunizimit; dhe zhvillimi dhe zbatimi i programit nacional për shtrirje në komunitet dhe edukim të publikut.

Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjes më të gjerë të UNICEF-it të mbështetur nga USAID. Projekti “Parandalimi dhe reagimi ndaj KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut” synon ta pajisë më mirë sistemin nacional shëndetësor për përgjigjen efektive ndaj KOVID-19, për ta forcuar atë dhe për ta rritur qëndrueshmërinë e tij ndaj çdo pandemie apo shpërthimi të ardhshëm, kur bëhet fjalë për imunizimin rutinë.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.