Përderisa e rimendojmë një të ardhme më të mirë për çdo fëmijë, nuk duhet t’i lëmë pas fëmijët me aftësi të kufizuara

Deklarata e Përfaqësueses së UNICEF-it Patricia Di Xhiovani me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara

03 Dhjetor 2021
Jane Velkovski
Denica Velkovska

Shkup, 3 dhjetor 2021 – “Përderisa e rimendojmë një të ardhme më të mirë për çdo fëmijë, këtë vit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, duhet ta pyesim veten se çfarë mund të bëjë më shumë shoqëria për t’i rimenduar përpjekjet, që të jenë më të qëndrueshme dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët - pavarësisht nga aftësitë e tyre - të kenë baza të barabarta për ta përmbushur potencialin e tyre të plotë.

Të gjithë fëmijët kanë potencial të madh. Prandaj përqendrimi në paaftësinë e një fëmije pa e parë fëmijën paraprakisht, e kufizon ndjeshëm këtë potencial. Si çdo fëmijë, edhe fëmijët me aftësi të kufizuara e bartin premtimin e një jete të lumtur, kuptimplote, me pjesëmarrje jetësore të komunitetit dhe të dhënies së kontributeve për të ndërtuar shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Nuk mund të jetë e barabartë shoqëria, nëse nuk përfshihen të gjithë fëmijët, përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara, madje këta fëmijë nuk mund të përfshihen nëse nuk ndryshon mjedisi rreth tyre, në mënyrë që ta mbështesë pjesëmarrjen e tyre.

Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje të mëdha për të futur praktika gjithëpërfshirëse në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale. Përfshirja e modelit të ri të vlerësimit, të bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (KNF/ICF); ligji i ri për arsimin fillor që parashikon futjen e plotë të arsimit gjithëpërfshirës dhe shndërrimin e shkollave speciale në qendra burimore; përfundimi i vendosjes së fëmijëve në institucione banimi në shkallë të gjerë; përfshirja e ekzaminimit për zbulimin e hershëm të vonesave në zhvillim; dhe zgjerimi i shërbimeve të bazuara në komunitet për t’u ofruar mbështetje familjeve janë disa pikat nga kryesore për të siguruar që fëmijët me aftësi të kufizuara të mund ta zënë vendin e tyre të merituar në shoqëri.   

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i mbështesin këto përpjekje ndërsektoriale në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të mos ngelin pas. Këto reforma duhet të bëhen realitet në çdo komunitet të vendit, në mënyrë që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara ta marrin mbështetjen e nevojshme për të shkuar në shkollë me bashkëmoshatarët e tyre dhe për t’i gëzuar shërbimet shëndetësore dhe sociale që iu nevojiten. 

Një fëmijë që vlerësohet në bazë të asaj që mund të bëjë do të ketë më shumë vetëbesim, më shumë shanse për përfshirje në edukimin parashkollor, në shkollë dhe në jetën e përditshme. Njohja e aftësive të fëmijëve i ndihmon gjithashtu profesionistët e kujdesit të fëmijëve, që të hartojnë plane të individualizuara për ta mbështetur përfshirjen – duke filluar nga qasja në teknologjinë ndihmëse e deri te planet mësimore. Gjithashtu, përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara i ndihmon të gjithë fëmijët në klasë të mësojnë më shumë për ndjeshmërinë, drejtësinë, bashkëpunimin dhe solidaritetin social, madje këto vlera nga ana tjetër e rrisin suksesin në mësime dhe rezultatet shkollore në përgjithësi.

Në fund të fundit, shikimi i fëmijëve nga perspektiva se çfarë mund të bëjnë ata kur ua heqim barrierat, ndihmon në krijimin e një shoqërie ku aftësia e kufizuar shihet si pjesë e jetës dhe e diversitetit njerëzor, ku përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë fëmijët.”

Shënime për redaktorin:

 

  • UNICEF-i i ka vënë në dispozicion udhëzimet gjuhësore të OKB-së për aftësinë e kufizuar në gjuhën maqedonase. Më 3 dhjetor mësuesit e shkollave fillore në të gjithë vendin janë ftuar të mbajnë mësime interaktive me fëmijët për t’i angazhuar ata në ndryshimin e gjuhës së përdorur. Materialet përfshijnë një plan mësimi, prezantim dhe kuiz për aftësinë e kufizuar, të cilat janë zhvilluar në konsultim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Redaktorët inkurajohen ta ndajnë materialin me gazetarët dhe kolegët e tjerë të mediumit, për të siguruar që media të përdorë gjuhë, e cila e mbështet avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.   

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.