Nxënës të shkollave të mesme nga Shkupi, Gostivari, Dellçeva dhe Makedonska Kamenica kanë krijuar zgjidhje innovative për reduktimin ndotjes së ajrit

Nxënësit e shkollave të mesme janë të aftë dhe të gatshëm për të qenë bartës të ndryshimeve në shoqëri përmes zgjidhjeve të tyre novatore ndaj problemeve dhe sfidave të ndryshme shoqërore, ishin konkluzionet e Bootcamp-it të programit UPSHIFT.

30 Nëntor 2022
Two adolescent girls participating in UPSHIFT bootcamp
LEAD - Leaders for Education, Activism and Development

Në kuadër të programit, nga data 2 deri më 4 nëntor, në Strugë u zhvillua një eveniment treditore-UPSHIFT Bootcamp për zhvillimin dhe mbështetjen e inovacioneve sociale në lidhje me AJRIN, ku 10 ekipe të shkollave të mesme u përzgjodhën si finaliste të thirrjes së hapur të programit.

Ekipet e shkollave të mesme nga Shkupi, Gostivari, Dellçeva dhe Makedonska Kamenica, të përbëra nga 5 nxënës, me mbështetjen e një mentori, i zhvilluan zgjidhjet e tyre mbi problemet që ndërlidhen me ndotjen e ajrit. Përdorimi i tepërt i lëndëve djegëse fosile, mosekzistimi i filtrave të pastrimit, trajtimi i pakujdesshëm i mbetjeve janë vetëm disa nga sfidat për të cilat gjimnazistët i ofruan zgjidhjet e tyre.  

Pesë ekipe u shpallën fitues nga një juri ekspertësh, bazuar në prezantimet dhe potencialin e zgjidhjes së prezantuar.

  • SHMQSH “Orce Nikollov” - Shkup do të punojë në krijimin e një kompanie që do ta përdorë blozën nga oxhaqet dhe filtrat ekzistuese për prodhimin dhe shitjen e bojës, fitimi i së cilës më pas do të investohet në vendosjen e filtrave të rinj.
  • SHQSH “Rade Jovçevski-Korçagin” - Shkup do të punojë në krijimin e një sistemi inovativ të filtrimit të ajrit, i quajtur Hexam filter, i cili do të vendoset në dritare, mjete transporti, fabrika dhe në ambiente të hapura.
  • Shkolla e mesme “Mile Janevski-Xhingar” - Makedonska Kamenicë do ta krijojë një kompani nxënësish, e cila do ta importojë dhe kultivojë mështekën, pemë e cila është e aftë të thithë më shumë se 3100 kilogramë dioksid karboni.
  • SHMK “Metodi Mitevski-Brico” - Dellçevë do të vendosë filtra elektrostatikë në oxhaqet e shkollës së tyre, shkollës fillore, kopshtit dhe qendrës për persona me nevoja të veçanta. Filtrat e instaluar do të pastrojnë 99% të grimcave të dëmshme.
  • SHMK “Gostivar” – nga Gostivari do ta ndërtojë një biodegradues “TTD”, i cili do t’i përdorë mbeturinat e biodegradueshme dhe do t’i transformojë ato në biogaz që do të prodhojë energji elektrike për përdorim shtëpiak. Kjo do ta parandalojë ndotjen e ajrit nga metani.

Fituesit morën 120.000 denarë dhe dhe një mentorim tre mujor për zhvillimin e iniciativave sociale në komunitetet e tyre.

Bootcamp-in e hapën përfaqësues të UNICEF-it, ambasadës së Suedisë dhe Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, me mbështetjen e të cilit zbatohet programi në fjalë.

“Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, si kudo në botë, kërkojnë të ndërmerren veprimi në mënyrë që të mund të thithin ajër të pastër dhe të jetojnë në një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm”, tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani. “Ne jemi të kënaqur që fëmijët dhe të rinjtë i janë përgjigjur me entuziazëm këtij cikli të UPSHIFT dhe kanë treguar sërish se, kur u jepet hapësira për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë, ata posedojnë kapacitet për të krijuar ide dhe zgjidhje novatore.”

“Më bën vërtet krenar që përmes programit UPSHIFT këtë vit kemi mundur t’i japim mundësinë një numri të madh të sipërmarrësve të rinj, të punojnë në zgjidhje inovative për një temë që na prek të gjithëve, veçanërisht të rinjtë dhe fëmijët, të cilët kanë të drejtën themelore për mjedis të shëndetshëm, ajër të pastër, ushqim dhe ujë. Ne në Fond përpiqemi të jemi vazhdimisht të hapur ndaj nismave dhe ideve të reja të mendjeve të reja të të rinjve, mendjeve kreative, të cilët kanë ambicie për të krijuar një brez të suksesshëm dhe të begatë, që do të krijojë ndryshime pozitive afatgjata për të gjithë shoqërinë. Besoj se të rinjve duhet t'u jepet mundësi dhe hapësirë, po ashtu besoj në potencialin dhe energjinë e tyre për të krijuar ndryshime të mëdha”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Duke folur në hapjen e evenimentit, ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Xhain, e theksoi rëndësinë e trajtimit të ndotjes së ajrit dhe falënderoi nxënësit e shkollave të mesme, të cilët i investojnë idetë dhe kreativitetin e tyre në krijimin e zgjidhjeve inovative për detyrën kolektive të luftimit të ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike.

“Ndotja e ajrit është sfidë pothuajse në të gjitha qytetet e vendit. Duke marrë parasysh këtë, nxënësit tanë të shkollave të mesme zhvilluan zgjidhje inovative, të cilat do të kontribuojnë në thithjen e ajrit më të pastër në mjediset e tyre. Ata kanë treguar se kur u jepet mundësia, dinë të aktivizohen dhe të mendojnë në frymën e sipërmarrësisë”. tha Ivan Jovanov, drejtor ekzekutiv i Shoqatës LEAD, implementues i programit. 

UPSHIFT është program i destinuar për nxënës (14-19 vjeç) nga shkollat ​​e mesme, të cilët kanë një ide për ta zgjidhur një sfidë/problem në komunitetin e tyre.

Programi zbatohet nga Shoqata e Liderëve për Arsim, Aktivizëm dhe Zhvillim (LEAD) në kuadër të projektit “Inkurajimi i fëmijëve dhe të rinjve në Maqedoninë e Veriut për t’u bërë shtytës të ndryshimit për ta zvogëluar cenueshmërinë e komuniteteve ndaj ndryshimeve klimatike”, të zbatuar nga UNICEF me mbështetje financiare nga Suedia dhe Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

 

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.