Nuk kanë të gjithë fëmijët qasje në shërbimet vitale për shkak të pandemisë KOVID-19, gjë që i vë ata në rrezik të vazhdueshëm

Rezultatet e hulumtimit të azhurnuar mbi ndikimin social dhe ekonomik të KOVID-19 ndaj fëmijëve

01 Qershor 2021
Two boys watching TV classroom at home and doing exercises
UNICEF/2020/Klincarov

Shkup, 1 qershor 2021: Përderisa masat socio-ekonomike të qeverisë ndaj KOVID-19 e kanë zbutur ndikimin në varfëri ekstreme të fëmijëve, prapëseprapë më shumë fëmijë jetojnë nën standardin mesatar të jetesës. Për më tepër, me vazhdimin e pandemisë, ndërprerjet në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe arsimit si dhe ulja e kërkesës në shërbimet shëndetësore, i vënë fëmijët në rrezik të mëtejshëm. Kjo u konstatua nga analizën e azhurnuar të efekteve sociale dhe ekonomike mbi fëmijët, të botuar sot nga UNICEF-i dhe partnerët e tij.

“Fëmijët nuk janë imazhi i kësaj pandemie, por ata janë ndër viktimat më të mëdha të saj. Me mbi një vit bllokime, klasa zbrazura, shërbime të ndërprera, humbje të mjeteve jetësore familjare, jeta e fëmijëve ka ndryshuar në përmasa të thella. Të gjithë fëmijët e të gjitha moshave janë prekur, por në rastin e fëmijëve më vulnerabil pandemia dhe pasojat e saja socio-ekonomike i kanë përkeqësuar dobësitë dhe vështirësitë e mëparshme. Pa investime shtesë në masa për ta rivendosur qasshmërinë në shërbimet vitale të mbrojtjes, arsimit dhe shëndetësisë, pandemia mund të ketë një ndikim të përjetshëm tek fëmijët,” deklaroi Patricia Di Xhovani, Përfaqësuesja e UNICEF-it.

Qeveria e SHBA-ve siguroi mbi 6.7 milion dollarë për ta mbështetur qeverinë në Maqedoninë e Veriut, me qëllim që t’iu përgjigjet sfidave ekonomike, sociale, arsimore dhe shëndetësore. Kjo gjithashtu përfshin mbështetjen e USAID-it për UNICEF-in për të punuar në mbledhjen dhe analizën e të dhënave për përmirësimin e përgjigjes së përgjithshme ndaj KOVID-19 dhe parandalimin e krizës në mbrojtjen e fëmijëve, duke u siguruar që gjatë pandemisë KOVID-19 t’iu dëgjohet zëri fëmijëve dhe të rinjve më vulnerabil.

Hulumtim i azhurnuar i UNICEF-it mbi efektet sociale dhe ekonomike të KOVID-19 ndaj fëmijëve, i realizuar nga Fajnans Think dhe i financuar nga USAID-i parqet vazhdimësi të analizës së realizuar në vitin 2020.

  • Relaksimi i kritereve të pranimit të ndihmës minimale të garantuar dhe dy pagesat e përkrahjes financiare të njëhershme kontribuuan fuqimisht në uljen e numrit të fëmijëve që jetojnë në varfëri ekstreme për një të tretën (me më pak se 1,9 dollarë amerikan në ditë, sipas përllogaritjes së fuqisë ditore blerëse). Megjithatë, është shqetësuese që më shumë se një e katërta [27%] e familjeve që kanë të drejtë të përfitojnë nga ndihma minimale e garantuar nuk e shfrytëzojnë këtë ndihmë. Për më tepër, parashikimet tregojnë se përqindja e fëmijëve që jetojnë në familje, standardi i jetesës i të cilave është dukshëm nën mesataren e vendit është rritur nga 27.8 për qind para pandemisë në 32.4 për qind. Kjo i vë 19,000 fëmijë shtesë në Maqedoninë e Veriut nën kufirin relativ të varfërisë – gjë që është më i lartë krahasuar me vlerësimin e 16 korrikut të vitit 2020.
  • Numri i rasteve të raportuara të dhunës ndaj fëmijëve është rritur menjëherë pas shpërthimit të pandemisë për 14.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2020. Gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2020, numri i rasteve të raportuara në qendrat e punës sociale në raport me ato të raportuara në polici ka rënë ndjeshëm. Hulumtimi thekson se ndonëse kjo ulje mund të ketë të bëjë me zbutjen e kufizimeve të lëvizjes, ka të ngjarë që ajo gjithashtu të shfaqet për shkak të ndërprerjes së ofrimit të shërbimeve të parandalimit nga punonjësit socialë gjatë pandemisë.
  • Një sondazh i realizuar me pediatërit shënoi një rënie të vëllimit të punës gjatë KOVID-19 kryesisht për shkak të frikës së prindërve dhe fëmijëve nga infektimi me KOVID-19 gjatë vizitës në entet shëndetësore. Kjo çoi në një reduktim të ndjeshëm të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të fëmijëve në fushat e diagnostikimit, mjekimit të sëmundjeve kronike, kujdesit primar shëndetësor dhe shëndetit mendor.
  • Ndikimi i kufizimeve të lëvizjes, karantina, kalimi në mësimin në distancë dhe shoqërimi i reduktuar ka ndikuar negativisht në mirëqenien mendore të fëmijëve. Arsimtarët kanë vërejtur te 25 për qind të nxënësve në shkollat e mesme dhe 18 për qind të atyre në shkollat fillore ankth dhe stres në rritje si rezultat i kalimit të mësimit në distancë.
  • Platforma nacionale e mësimit në distancë ka kontribuar në sistemimin dhe unifikimin e procesit arsimor për nxënësit, që e ndjekin mësimin onlajn. Sidoqoftë, vazhdon problemi i qasshmërisë në arsim, veçanërisht për grupet vulnerabile, si fëmijët në rrezik të varfërisë, fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.
  • Hapja e enteve parashkolloreve u ka mundësuar shumë prindërve dhe fëmijëve që të marrin mbështetje të organizuar të mësimit të hershëm. Sidoqoftë, shumë fëmijë ende qëndrojnë në shtëpi, andaj mbështetja prindërore duhet të jetë e vazhdueshme për të ofruar mbështetje të hershme me cilësi të lartë.
  • Përderisa shpenzimet qeveritare për fëmijët kanë shënuar rritje gjatë pandemisë, ato janë rritur me një normë më të ulët nga rritja e shpenzimeve totale të qeverisë.

“Ndonëse qeveria ka hartuar gjashtë pako masash për t’u përballë me pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë, ato rrallë janë përqendruar te fëmijët. Kjo është reflektuar në planifikimin e buxhetit në vitin 2021. Megjithëse fëmijët kanë marrë mbrojtje shtesë përmes mbështetjes me kusht për ruajtjen e vendeve të punës dhe të ardhurave të prindërve, përvoja e KOVID-19 na tregon se duhet të rishqyrtohet rregullimi i sistemit në mënyrë që ai t’i mbrojë fëmijët më vulnerabil nga goditjet në të ardhmen”. tha Blagica Petreski nga Fajnans Think, njëra prej autorëve të hulumtimit.

Gjetjet në hulumtimin e ri bëjnë thirrje për zhvendosjen e përpjekjeve të politikave për ta rivendosur qasjen në shërbime, me qëllim që të zvogëlohet rreziku që fëmijët të jenë ndër viktimat më të mëdha të pandemisë:

Së pari, rihapja e shkollave duhet të jetë prioritet. Shkollat jo vetëm që ofrojnë hapësirë për të mësuar; por ato gjithashtu ofrojnë platformë shpërndarëse për mbrojtjen thelbësore dhe për shërbimet e shëndetit mendor. Duke i pasur në dispozicion vaksinat kundër KOVID-19, nevojiten përpjekje shtesë për të siguruar që arsimtarët dhe stafi i shkollës ta marrin vaksinën, në mënyrë që ata të mbrohen nga virusi dhe të jenë në gjendje ta mbajnë mësimin në klasa me prezencë fizike. Gjendja e tanishme gjithashtu lë të kuptohet se duhet të rriten investimet për ndërtim të kapaciteteve të shkollave për t'iu përgjigjur çështjeve që kanë të bëjnë me shëndetin mendor dhe për t’u siguruar që shkollat të jenë të qëndrueshme ndaj ndërprerjeve të mësimit në të ardhmen, duke i forcuar më tej sistemet e ofrimit të mësimit nga distanca dhe uljen e ndasisë digjitale veçanërisht për nxënësit më vulnerabil, përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Së dyti, gjendja e tanishme bën shtytje për përpjekje drejt rivendosjes së plotë të mbrojtjes sociale, përfshirë shërbimet e parandalimit të dhunës. Përkujdesja që punonjësit socialë ta marrin vaksinën kundër KOVID-19, do t’u mundësojë atyre të arrijnë shtrirjen e nevojshme në bashkësi dhe ta rivendosin qasshmërinë e plotë në shërbimet e parandalimit.

Së treti, për tejkalim të rreziqeve që ndërlidhen me shtyrjen e kontrolleve të nevojshme shëndetësore të fëmijëve, nevojitet të përfshihen masa plotësuese për ta rritur besimin e publikut dhe kërkesën për shërbime, duke përfshirë mbështetjen për shëndetin mendor; si dhe investime në ndërtimin e kapaciteteve për shërbimet tele-shëndetësore për të mundësuar efikasitet dhe për t’u siguruar që sistemi shëndetësor është i qëndrueshëm ndaj ndërprerjeve në të ardhmen.

Së katërti, për ta adresuar shfrytëzimin e ulët të përfitimeve në para të gatshme nevojiten përpjekje shtesë për ta përmirësuar informimin dhe mbështetjen për ta përfunduar procesin e aplikimit, në mënyrë që të sigurohet që të gjitha familjet e kualifikuara të përfitojnë nga ndihma.

Së pesti, mbështetja psikosociale duhet të ngelet e disponueshme, e përballueshme dhe e arritshme. Kjo përfshin ndërtimin e kapaciteteve të stafit profesional mbështetës brenda shkollave dhe përqendrimin e tyre në ofrimin e udhëzimeve dhe këshillimeve për nxënësit dhe prindërit, të cilët përjetojnë vështirësi emocionale dhe të shëndetit mendor.

 

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.