Një vit nga ekzistimi i portalit digjital Eduino

21 Mars 2021
Graphic design
SmartUp Innovation Lab

Shkup, 17 mars 2021: UNICEF-i së bashku me partnerët tjerë e shënojnë një vit nga ekzistimi i Eduino -ueb portalit digjital për arsim, bashkëpunim dhe zhvillim profesional, i hapur në mars të vitit 2020, si përgjigje ndaj nevojës për burime arsimore digjitale për ta vazhduar mësimdhënien dhe mësimin nga distanca në kushte pandemie.

Pas mbylljes së shkollave për shumicën e nxënësve në Maqedoninë e Veriut, Eduino ofroi burime të pasura, të përgatitura nga arsimtarët anekënd vendit, që ofronin përmbajtje digjitale për arsimtarët dhe nxënësit, si dhe mjete edukative dhe lojëra për prindërit e fëmijëve të moshës parashkollore, për ta inkurajuar zhvillimin e fëmijëve të tyre në shtëpi.

“Sot, falë mijëra mësuesve të cilët me vetëmohim investuan kohë dhe njohuri, Eduino ka zhvilluar një bibliotekë digjitale me mbi 3,400 video mësime. Të gjitha video mësimet kanë përmbajtje në përputhje me programet mësimore për arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm dhe janë të aprovuara nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Kjo bibliotekë ka një vlerë të qëndrueshme për sistemin tonë arsimor, andaj përdorimi i këtyre burimeve mund të vazhdojë edhe në kushte të mësimdhënies së rregullt me ​​prani fizike,” deklaroi Milla Carovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

“Portali Eduino ka krijuar një hapësirë ​​ku edukatorët dhe prindërit mund t’i përdorin idetë e tyre kreative dhe të krijojnë materiale edukative dhe lojëra që mund të përdoren si në hapësirat për aktivitete, po ashtu edhe në shtëpi. Në këtë mënyrë është arritur qëllimi dhe është siguruar edukim dhe animim cilësor i fëmijëve. Vetëm për një vit janë postuar mbi 300 video mësime për arsimin parashkollor. Përveç kësaj, 220 aktivitete arsimore janë zhvilluar për përdorim në shtëpi, ndërsa 440 të reja do të publikohen deri në prill të këtij viti,” deklaroi Jagoda Shahpaska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

“Përmes procesit të krijimit të Eduino-s, përveç burimeve dhe mjeteve digjitale të krijuara, është zhvilluar një bashkësi e arsimtarëve për krijim dhe inovacion në arsim. Të gjitha materialet që krijohen kalojnë përmes një sistemi të verifikimit dhe miratimit, i cili e siguron cilësinë e përmbajtjes, që e ofron Eduino, si dhe bën pajtueshmërinë e tyre me programin mësimor,” shtoi Zekirija Hasipi, u.d. drejtori i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.

Në këtë takim, pjesëmarrësit shprehën mirënjohje për arritjet e përbashkëta të bashkësisë Eduino dhe diskutuan për gjetjet e hulumtimi gjithëpërfshirës mbi përvojat e mësimit nga distanca, të realizuar me mbështetjen e UNICEF, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Reaktor-Hulumtim në Veprim. Ky hulumtim është zhvilluar në dy faza gjatë vitit shkollor 2019/2020 dhe atij 2020/2021.

Sipas më shumë se 16,000 të anketuarve, drejtorë shkollash, arsimtarë, prindër dhe nxënës, më shumë se gjysma e të gjithë stafit mësimor i kanë përdorë rregullisht burimet digjitale arsimore të portalit Eduino.  

“Meritat e suksesit të Eduino-s duhet t’u takojnë personave, që ne sot i quajmë ambasadorë të Eduino-s. Ne i shohim qartë rezultatet e jashtëzakonshme të profesionistëve energjikë, krijues, të përkushtuar dhe të vendosur, të cilët nuk lejuan që pandemia t’i parandalonte ata nga edukimi dhe arsimimi i fëmijëve tanë,” deklaroi Rejçell Gallovej, Ambasadore e Britanisë së Madhe. 

Nëse i krahasojmë gjetjet nga hulumtimi në fazën e parë, që e mbulon vitin shkollor 2019/2020, me gjetjet nga viti shkollor 2020/2021, është e qartë se edhe arsimtarët edhe nxënësit janë përshtatur më mirë në përdorimin e mjeteve digjitale për mësim në distancë dhe komunikim. Po ashtu hulumtimet tregojnë se me kalimin në mësimdhënien virtuale, shkollat, nxënësit dhe arsimtarët janë përballë me vështirësi dhe sfida të reja.

“Me kënaqësi mund ta konstatoj përshtatjen jashtëzakonisht të shpejtë të sistemit arsimor në mësimin nga distanca dhe përpjekjen e jashtëzakonshme për krijimin e Platformës nacionale për mësim nga distanca dhe të portalit Eduino,” theksoi Patricia Di Xhovani, Përfaqësuesja e UNICEF. “Eduino erdhi në kohën kur ishte më se e nevojshme. Edhe pse ne i konfirmojmë rezultatet e shkëlqyera të arritura në një vit, megjithatë duhet të kujtojmë se për shumicën e fëmijëve shkollat ​​ngelën edhe më tej të mbyllura. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë në mënyrë që të gjithë fëmijët të kthehen të sigurt në shkollë. Pra ne duhet të sigurojmë më shumë sesa thjesht një hapësirë për t’i mësuar lëndët, gjegjësisht duhet të sigurojmë një vend për lojë, shoqërim dhe zhvillim të aftësive për shekullin 21,” shtoi znj. Di Xhovani.

Edhe para KOVID-19, vendi vazhdoi të përballet me krizën arsimore, mirëpo mbyllja e shkollave e përkeqësoi problemin. Fëmijët më të rrezikuar kanë ngelë prapa bashkëmoshatarëve të tyre, madje shumë prej tyre rrezikojnë plotësisht ta braktisin shkollën. Hulumtimet tregojnë se hendeku digjital e ruan pabarazinë, ndërsa arsimi për personat që nuk kanë qasje në internet është mundësi e paarritshme.

Në kuadër të reformës së vazhdueshme të arsimit në vend propozohen zgjidhje të ndryshme, siç janë qëndrimi/orët më të gjata në shkollë, autonomia më e madhe e shkollave, mësim i nivelit më të lartë dhe më shumë lëndë zgjedhore dhe aktivitete me jashtëmësimore. 

Qëllimet e tilla burojnë nga gjetjet e rishikimit të OECD-së, me të cilat mund të mbështeten rezultate më të mira të mësimit te fëmijët dhe të krijohen shtigje të diferencuara të mësimit, të bazuara në interesat dhe aftësitë e tyre.

“Krijimi i bashkësive profesionale dhe inkurajimi i frymës së ndarjes dhe shkëmbimit të ideve, mendimeve dhe burimeve është një nga qasjet kryesore të nevojshme për përmirësim të arsimit. Ne jemi me të vërtetë krenarë për bashkësinë tonë EDUINO, e cila bashkërisht krijon burime të reja, që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për gjeneratat e ardhshme,” deklaroi Aleksandar Lazovski, menaxher i programit SmartAp - Laboratori për Inovacione Sociale. 

Portali Eduino tani ka një bashkësi prej 22,700 përdoruesish, të cilët ndjekin risi javore për uebinar dhe burime të hapura. Mbi 6,000 prindër, arsimtarë, mësues dhe profesionistë tjerë të arsimit kontribuojnë në pasurimin e burimeve dhe për bashkësinë dinamike.

Si pjesë e Programit të kohezionit social dhe dialogut kulturor Bazat për të ardhmen, të mbështetur financiarisht nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup, iniciativa Eduino zbatohet nga UNICEF-i në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa menaxhohet nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe SmartApi - Laboratori për Inovacione Sociale. 

Kontaktet e medias

Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.