NDËRTIMI I BESIMIT NË VAKSINA

SISTEMI I MENAXHIMIT TË KEQINFORMIMIT DHE RAPORTIMI CILËSOR I MEDIAVE

14 Dhjetor 2022
Panel discussion on misinformation management
©UNICEF/2022

Shkup, 12 dhjetor 2022: Në konferencën Rritja e besimit në vaksina përmes menaxhimit strategjik të keqinformimit dhe raportimit cilësor të mediave, UNICEF dhe partnerët e saj rishikuan aktivitetet e zbatuara së bashku me Institutin Maqedonas për Media duke u fokusuar në krijimin e një sistemi për menaxhimin e keqinformimit dhe mbështetjen për raportimin cilësor të mediave mbi vaksinat rutinë të fëmijërisë dhe vaksinimin kundër KOVID-19.

Instituti Maqedonas për Media paraqiti një projekt-strategji për krijimin e një sistemi që ndjek dhe përgjigjet ndaj pyetjeve që aktualizohen lidhur me vaksinat dhe keqinformimi mbi vaksinat rutinë për fëmijët dhe vaksinat e KOVID-19. 

“Nuk duhet të lejojmë që keqinformimi të vërë në pikëpyetje besimin dhe sigurinë në efikasitetin e vaksinave.  Neduhet të japim informata në të cilat mund të mbështeten dhe të besojnë prindërit dhe bashkësia dhe t'i ndihmojmë ata të kuptojnë rreziqet e vonesës së vaksinimit," tha Artur Ajvazov, Zëvendës Përfaqësues i UNICEF-it. “Por ne gjithashtu duhet të gjejmë mënyra për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t'iu përgjigjur atyre”.

Sistemi i propozuar i menaxhimit të keqinformimit është projektuar për t'u mbështetur në dëgjimin social si në internet, duke përfshirë mjetet e dëgjimit të mediave sociale dhe jashtë tij (offline), duke përfshirë njohuri të marra nga mekanizmat e informatat kthyese nga bashkësia. Pjesëmarrësit në konferencën e sotme diskutuan mënyrat për të çuar përpara përfshirjen e sistemeve të dëgjimit social brenda strukturave shëndetësore kombëtare për të mbështetur autoritetet shëndetësore dhe palët e tjera të interesit për t'iu përgjigjur keqinformimit dhe ngurrimit për vaksinim.

“Sipas përvojave në shoqëritë moderne, qasja për të adresuar keqinformimin shpesh nënkupton krijimin e aleancave midis institucioneve shëndetësore, rrjeteve sociale, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë përgjegjës, në mënyrë që publiku të ketë qasje në informacion të vërtetë dhe të besueshëm.” tha Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali. “ Informimi i saktë dhe në kohë është çelësi për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve, si dhe të gjithë popullsisë.”

Zëvendëspërfaqësuesi i UNICEF-it Artur Ajvazov theksoi gjithashtu se ka kaluar koha kur organet zyrtare janë burimi i vetëm i informacionit shëndetësor dhe mund të çojnë në përhapjen e mesazheve nëpërmjet një qasjeje nga lart-poshtë. “Sot, për fat të keq, nuk ka më monopol në kanalet e komunikimit dhe as mbi atë se cilët lajmëtarë konsiderohen të besueshëm dhe të sigurt”, tha ai.

Prandaj, për të qëndruar relevante, Qeveritë dhe institucionet duhet të takojnë njerëzit aty ku janë, të kuptojnë interesat dhe nevojat e tyre dhe të përfshihen në biseda në platformat dhe kontekstet ku ato tashmë po ndodhin.

Duke njohur rëndësinë e medias në formimin e diskursit publik, nisma gjithashtu mbështet forcimin e kapacitetit të gazetarëve për t'u angazhuar në raportimin faktik mbi imunizimin rutinë të fëmijërisë dhe vaksinat e KOVID-19.

Si pjesë e këtij komponenti, profesionistët e medias morën pjesë në një punëtori dhe katër informime tematike të gazetarëve dhe patën një mundësi për t'u angazhuar në dialog me autoritetet shëndetësore nga Komisioni Kombëtar për Imunizimin, Komisioni për Sëmundjet Infektive dhe me mjekët e përgjithshëm. 

Ata diskutuan aspekte të ndryshme të raportimit faktik, qasjen në informacionin e përditësuar mbi vaksinat, duke inkurajuar shkëmbimin aktiv të informacionit dhe komunikimin efektiv midis gazetarëve, përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore dhe aktorëve të tjerë relevantë dhe rolin e mediave në ndërtimin e besimit në vaksina. 

Bazuar në hulumtimin më të fundit të UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, 1 në 4 prindër deklarojnë se "mungesa e informacionit rreth vaksinave rutinë është një arsye që shkakton dilemë nëse duhet të vaksinohen fëmijët"; rreth 30% e prindërve e perceptojnë informacionin në lidhje me vaksinat e fëmijërisë si konfuze (ata e perceptojnë atë si të paplotë ose kontradiktore). 

Rezultatet nga hulumtimi gjithashtu tregojnë për nevojën për informacion të qëndrueshëm dhe të bazuar në fakte rreth imunizimit rutinë në fëmijëri. 

Nisma për rritjen e besimit në vaksina përmes menaxhimit strategjik të keqinformimit dhe raportimit cilësor të mediave financohet nga populli amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe mbështetet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.