Miratohet rregullorja e re për vlerësimin funksional të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara
Rregullorja është pjesë e modelit të ri të vlerësimit, i cili ofron pikë hyrëse të vetme për fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që të kenë qasje në shërbimet mbështetëse në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 12 janar 2023 – Sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale znj. Jovanka Trençevska, ministri i Shëndetësisë z. Bekim Sali dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri e nënshkruan Rregulloren për vlerësimin funksional të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara, e cila synon ta lehtësojë qasjen e fëmijëve dhe të rinjve deri në 26 vjeç në shërbimet mbështetëse dhe përfitimet në para.
Rregullorja e re është pjesë e reformës së madhe të modelit të vlerësimit për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e UNICEF-it.
“Përfshirja dhe promovimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është prioriteti dhe përkushtimi ynë. Barazia është postulati jonë i punës, andaj e kemi vënë si prioritet njohjen e pikave të forta të personave me aftësi të kufizuara dhe dhënien e hapësirës për zhvillimin e plotë të potencialit të tyre”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
“Rregullorja është instrument i rëndësishëm për rritjen e nivelit të gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor. Do të bëhet më lehtë kirjimi i një plan arsimor individual dhe të zhvillohet programi i përshtatur, por edhe njëkohësisht do të jetë më lehtë të përcaktohet ekipi gjithëpërfshirës, gjegjësisht çfarë lloji i kuadrit profesional duhet të ofrojë mbështetje për nxënënsi dhe nëse do të nevojitet asistencë arsimore ose asistent personal”, theksoi ministri i Shëndetësisë Jeton Shaqiri.
“Organet profesionale të vlerësimit deri më tani kanë kryer mbi 2100 vlerësime dhe paralelisht kanë filluar të japin vlerësime të kontrollit. Me përfundimin e procedurës për hapjen e të gjitha organeve rajonale të vlerësimit, presim një numër shumë më të madh të vlerësimeve të kryera, të cilat duhet t’iu përgjigjen nevojave reale. Për sa iu përket shpenzimeve, vërejmë se prindërit janë të përjashtuar nga çdo pagesë për kryerjen e vlerësimit”, tha ministri i Shëndetësisë Bekim Sali.

“Është arritje e madhe që sistemet e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut punojnë së bashku për të përmirësuar njohjen e të drejtave dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Ka ngelë shumë punë për ta përfunduar reformën, veçanërisht për sigurimin e ambienteve dhe burimeve njerëzore për të gjitha organet rajonale të vlerësimit të aftësisë së kufizuar. Shpresoj se ky eveniment do ta nxisë përgatitjen e një plani veprimi që do t’i udhëzonte palët e ndryshme të përfshira në këtë proces. UNICEF-i mbetet i gatshëm ta mbështesë më tej këtë reformë mjaft të rëndësishem për të mirën e çdo fëmije në vend.”
Modeli i ri i vlerësimit e vë theksin në rolin aktiv të prindërve në vlerësimin e fëmijëve të tyre. Ai gjithashtu i fuqizon prindërit me këshilla profesionale se si ata mund t’i mbështesin më tej fëmijët e tyre. Kjo shënon një përmirësim të madh në krahasim me sistemin e mëparshëm, i cili bazohej rreptësisht në diagnozën mjekësore, ku mungonte një qasje e përqendruar te nevojat.
Modeli i ri i vlerësimit synon t’i identifikojë aftësitë e kufizuara zhvillimore te fëmijët dhe nevojat për mbështetje që do ta siguronin çdo fëmijë të ketë një mundësi për ta përmbushur potencialin e tij/saj të plotë.
Organet rajonale të vlerësimit në Manastir, Ohër, Gostivar, Veles, Kumanovë, Shtip, Strumicë dhe Shkup janë të pajisura për të ofruar udhëzime profesionale për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe për t’i lidhur ata me shërbimet mbështetëse në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale. Organet janë të pajisura jo vetëm me profesionistë shëndetësorë, por edhe me punonjës socialë, psikologë dhe edukatorë specialë. Ata do t’i zgjerojnë shërbimet e tyre për t’i identifikuar kufizimet në mjediset, që i pengojnë fëmijët me aftësi të kufizuara nga pjesëmarrja aktive dhe e plotë në shoqëri, si infrastruktura e paqasshme, paragjykimet dhe qëndrimet negative në komunitetet lokale.
Është krijuar gjithashtu një organ nacional për ta koordinuar dhe mbikëqyrur punën e organeve rajonale të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, për të mbledhur të dhëna mbi identifikimin e pengesave në ofrimin e shërbimeve mbështetëse për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe për t’i adresuar ato në partneritet me ministritë përkatëse. Në procesin e krijimit të organeve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe zbatimin e ndryshimeve legjislative, Trupi koordinues nacional për zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara luajti një rol kyç në ndërlidhjen me institucione të ndryshme.
Për nevojat e modelit të ri janë bërë ndryshime të gjera në kornizën ligjore me mbështetjen e UNICEF-it, si ligjet për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, ligji për arsimin fillor, ligji për kujdesin shëndetësor, të cilët e rregullojnë sistematikisht këtë çështje. Rregullorja e re e normon funksionimin e organeve eksperte për vlerësim, mënyrën e kryerjes së vlerësimit, por edhe mënyrën e ofrimit të mbështetjes shtesë në fushën e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.
Organet e vlerësimit të aftësisë së kufizuar do të financohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të akomodohen në Qendrën e Shëndetit Publik Shkup. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe komunat janë duke i siguruar disa nga ambientet për funksionimin e organeve.
Rregullorja e re është në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (KNF) të miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2001.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.