Ministria e Shëndetësisë e mbështetur nga OBSH-ja, UNICEF-i dhe USAID-i organizon një karvan për të sjellë më afër qytetarëve informacione për KOVID-19 dhe vaksinat përkatëse
Karvani i vaksinimit do të udhëtojë në 14 lokacione në të gjithë vendin

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Kejti Bërns, përfaqësuesi i OBSH-së dhe përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Xhovani e vizituan evenimentin e parë nga gjithsej 14 ngjarjet në komunitetet lokale, që do t’i vizitojë karvani i vaksinimit kundër KOVID-19 në dy javët në vijim. Karvani i vaksinimit do të udhëtojë në të gjithë vendin për t’i sjellë informacionet dhe vaksinat më pranë komuniteteve lokale.
Ministria e Shëndetësisë dhe partnerët e saj e kanë përsëritur faktin, që virusi korona është ende këtu dhe se pandemia ende nuk ka përfunduar. Pavarësisht numrit absolut të reduktuar të rasteve ditore, megjithatë gjatë javës së fundit vdekjet ditore si rezultat i KOVID-19 në vend ishin mesatarisht 5 në ditë. Bazuar në të dhënat e fundit rreth 41% e popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me dy doza dhe vetëm 7% janë vaksinuar me dozë përforcuese. Duke marrë parasysh se njerëzit e pavaksinuar janë më shumë në rrezik të vdekjes nga KOVID-19, sesa të tjerët që janë të vaksinuar, ende një pjesë e madhe e popullsisë ka ngelë e pambrojtur ndaj pasojave të mundshme të rënda të shkaktuara nga virusi.
“Dëshiroj të theksoj edhe një herë se vendimi për vaksinim nuk duhet të vonohet, ne si vend sigurojmë sasi të mjaftueshme të vaksinave, të cilat janë të sigurta dhe të disponueshme për të gjithë qytetarët në vend. Të gjithë qytetarët e interesuar mund të vaksinohen në 14 lokacionet e organizuara nga karvani dhe në çdo ditë pune në qendrën më të afërt shëndetësore. Vaksinat janë një mënyrë shumë më e sigurt për të zhvilluar imunitetin ndaj KOVID-19 sesa infeksioni me virusin, si dhe është vërtetuar se ofrojnë mbrojtje më të besueshme sesa vetë imuniteti natyror. Vaksinimi është gjithashtu shumë i rëndësishëm në kuadër të lehtësimit të masave parandaluese – sa më shumë njerëz të vaksinohen, aq më mirë do të jemi të mbrojtur si komunitet”, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Vaksinat kundër KOVID-19 janë përdorur në mënyrë të sigurt për të vaksinuar miliarda njerëz. Të gjitha vaksinat kalojnë nëpër prova rigoroze dhe vlerësime të pavarura për t’u siguruar që ato janë të sigurta dhe efektive.
"Unë jam vaksinuar kundër KOVID-19 sepse vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Në fakt provat shkencore janë të qarta në këtë drejtim. Siç tha ministri, pandemia nuk ka mbaruar dhe ne duhet të vazhdojmë ta përhapim mesazhin. Kjo është arsyeja pse unë isha shumë e kënaqur që të jem partner në këtë projekt dhe në këtë karvan, i cili do të ndihmojë në sjelljen jo vetëm të vaksinave në komunitetet, ku ata kanë nevojë, gjegjësisht për njerëzit që janë më të cenueshëm dhe në rrezik, por njashtu do të ndihmojë edhe në sigurimin e informacioneve, të cilat po ashtu iu nevojiten“, deklaroi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Kejti Bërns.
Omikroni duket të jetë më pak i rëndë në krahasim me variantin Delta, veçanërisht te personat e vaksinuar, ndonëse nuk duhet të shihet si virus i lehtë. Njerëzit e infektuar me Omikron mund të shtrohen në spital madje disa prej tyre edhe kanë vdekur. Pritet që personat që janë infektuar gjithashtu mund ta bartin KOVID-in për një kohë të gjatë. Dozat përforcuese mund të sigurojnë mbrojtje të vazhdueshme kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes nga KOVID-19 dhe mund t’i ndihmojnë njerëzit të zhvillojnë mbrojtje maksimale kundër të gjitha varianteve aktuale të virusit.
“Shumica dërrmuese e njerëzve që janë shtruar në spital ose që vdesin për shkak të KOVID-19 janë të pavaksinuar ose nuk janë të vaksinuar mjaftueshme – për këta persona KOVID-19 mbetet një sëmundje kërcënuese për jetën. Me këtë karvan, ne duam t’iu qasemi njerëzve, t’ua përcjellim informacionet që iu nevojitet nga njerëzit të cilëve iu besojnë dhe të sigurojmë që vaksinimi kundër KOVID-19 të jetë lehtësisht i qasshëm. Pse të rrezikoni jetën tuaj, kur duhen vetëm disa minuta për ta shpëtuar atë? Merrni një dozë, derisa karvani është në komunitetin tuaj!”, tha dr. Ane Johansen, Përfaqësuese e posaçme dhe Shefe e përkohshme e Zyrës së OBSH në Maqedoninë e Veriut.
Pandemia është larg përfundimit. Kjo do të thotë vazhdim të masave të shëndetit publik dhe mbrojtjes personale që ne e dimë se funksionojnë, duke përfshirë vaksinimin kundër KOVID-19. Në fakt, vaksinat janë krijuar për t’i parandaluar sëmundjet e rënda dhe vdekjen, pasi ato janë shumë efektive për këtë.
“Ngjarjet e këtilla na ndihmojnë t’i sjellim vaksinat dhe informacionet më afër komuniteteve lokale. Vaksinat janë vendimtare për shpëtimin e jetës së njeriut. Ato janë të sigurta dhe efektive dhe e zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të rënda dhe të vdekjes. Vaksinohuni për ta mbrojtur veten, fëmijët dhe komunitetet tuaja. Njashtu merrni dozat përforcuese për të siguruar mbrojtje të vazhdueshme kundër të gjitha varianteve,” tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it.
Përveç ngjarjeve të organizuara në kuadër të karvanit të vaksinimit, qytetarët mund të vaksinohen në qendrën shëndetësore më të afërt çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në orën 14:00. Pika e vaksinimit në Poliklinikën Bukuresht në Shkup është e hapur nga e hëna deri të premten në ora 20:00
Ministria e Shëndetësisë e ka nisur karvanin e vaksinimit kundër KOVID-19 me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondit të Kombeve Bashkuara për Fëmijët (UNICEF). Më poshtë është dhënë lista e orëve dhe lokacioneve, në të cilat karvani do t’i vizitojë komunitetet në të gjithë vendin.
- 21 mars, 11:00-15:00 – Shuto Orizarë te sheshi
- 22 mars, 12:00-16:00 – Kratovë te sheshi
- 23 mars, 12:00-16:00 – Radovish te sheshi
- 24 mars, 12:00-16:00 – Strumicë te sheshi
- 25 mars, 12:00-16:00 – Novo Sellë (Strumicë), te tregu
- 26 mars, 11:00-15:00 –Qendra tregtare “East Gate Mall” në Shkup
- 27 mars, 11:00-15:00 – Kumanovë te sheshi
- 28 mars, 12:00-16:00 – Likovë, parkingu në fshatin Mateç
- 29 mars, 12-00:16-00 – Haraçinë, te posta
- 30 mars, 12:00-16:00 - Çuçer Sandevë, Sh.F. “Partizanski Dom” në fshatin Sandevë
- 31 mars, 12:00-16:00 – Zelenikovë, shkolla “Marko Cepenkov”
- 1 prill, 12:00-16:00 – Vrapcishtë, Qendra e kulturës në fshatin Negotinë
- 2 prill, 11:00-15:00 – Kërçovë, Qendra e kulturës
- 3 prill, 11:00-15:00 - Strugë, shëtitorja e re
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.