HealthBuddy+: Partner i ri në luftën kundër dezinformatave në lidhje me KOVID-19

29 Mars 2021
HealthBuddy+
UNICEF/2021

Shkup, 24 mars, 2021: Sot, UNICEF-i dhe OBSH-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e USAID-it, e prezantuan aplikacionin e ri për celularë HealthBuddy+, i cili ofron qasje në informacionet më të reja dhe verifikuara në lidhje me KOVID-19.

Aplikacionin e kanë përgatitur OBSH-ja dhe Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, me qëllim që t’iu ndihmohet vendeve të rajonit, që të kenë qasje në fakte për KOVID-19 dhe t’iu ndihmohet bashkësive të ndërmarrin rol aktiv, duke i paraqitur thashethemet dhe dezinformatat. Ky aplikacion është i disponueshëm në gjuhët lokale në të gjitha vendet e rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore.

“Ne duhet që të ndërtojmë besim, me qëllim që të mundemi të luftojmë kundër pandemisë dhe infodemisë. Dezinformatat kanë pasoja të vërteta, për shkak se ndikojnë ndaj sjelljes së njerëzve, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë janë në veçanti vulnerabil ndaj tyre. Dezinformatat i shfrytëzojnë dobësitë e shoqërisë, e cenojnë besimin në shkencë dhe mjekësi dhe mund të rezultojnë me humbje të jetëve njerëzore,” deklaroi Patricia Di Xhovani, Përfaqësuesja e UNICEF-it. “Patjetër duhet t’i bashkojmë forcat, që të luftojmë kundër dezinformatave, por edhe duhet t’i promovojmë rekomandimet shkencore për shëndetin publik,” përfundoi ajo. 

Në vitin e kaluar dezinformatat për KOVID-19 e kanë penguar përgjigjen e duhur ndaj pandemisë. Të dhënat më të fundit të UNICEF-it bëjnë me dije që fëmijët dhe të rinjtë janë jashtëzakonisht vulnerabil, me çka tre të katërtat e të rinjve anekënd botës nuk janë të sigurtë që mund ta verifikojnë, nëse janë të vërteta informacionet e dhëna në internet. 

“Përgjigja e autoriteteve publike shëndetësore të pandemisë cenohet nga një sërë dezinformatash në internet dhe rrjete sociale. OBSH-ja, së bashku me UNICEF-in, dëshiron që çetbotin HealthBuddy+  ta bëjë burim të sigurt të informacioneve dhe këshillave në lidhje me KOVID-19. Nuk ka arsye që njerëzit të mos marrin informacione të sakta. Ne i inkurajojmë punonjësit shëndetësor dhe publikun, që ta shfrytëzojnë këtë vegël inovative, e cila mundëson porosi të sakta, në kohë të duhur dhe të përshtatura për KOVID-19, të mbështetura në faktet të grumbulluara mbi bazë ditore,” deklaroi Xhihane Tavilah, Përfaqësuesja e OBSH-së.

“Përdorimi i dezinformatave si mekanizma për destabilizim të qeverive dhe të procese demokratike ka arritur përmasa alarmante anekënd botës. Përhapja e informacioneve të paverifikuara dhe të gabueshme për KOVID-10 shkakton pasoja jashtëzakonisht serioze, duke kontribuar që në nivel global të rritet numri i rasteve të vdekjes nga virusi, si dhe të rritet skepticizmi ndaj vaksinave. Pandemia e ka theksuar seriozitetin e nevojës së ekzistimit të kanaleve të sigurta dhe të besueshme, të mbështetura në fakte, qoftë në vend, po ashtu edhe në rajon dhe gjithandej në botë,” theksoi Ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, E.S. Kejt Mari Bërns.

Në kuadër të evenimentit Simon van Voerden, zyrtar për komunikim gjatë gjendjeve të krizës nga Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, dhe Serxhiu Tomsa, specialist për sjellje dhe ndryshime shoqërore nga Zyra rajonale e UNICEF-it, i shprehën mendimet e tyre lidhur me këtë iniciativë. Po ashtu i prezantuan përparësitë unike të HealthBuddy+ dhe e veçuan mbështetjen për përdorimin e aplikacionit në vend. Atyre iu bashkëngjitën edhe Zhaneta Trajkovska, drejtore e Institutit për Studime të Komunikimeve, gjegjësisht Biljana Petkovska, drejtore e Institutit Maqedonas të Mediave në kudër të panel diskutimit në temën “Dezinformimi dhe pandemia KOVID-19”. Panelistët në fjalë i potencuan çështjet kyçe lidhur me sigurinë nga dezinformata në kontekst të KOVID-19, rëndësinë e ndjekjes dhe kuptimit të dezinformatave në drejtim të përgatitjes së strategjive të mirëfillta për komunikim gjatë rrezikut, si dhe rolin e marrjes së informacioneve të duhura mbi mediat.

Aplikacioni HealthBuddy+ i ka disa veçori funksionale në favor të përdorimit sa më të mirë dhe mundësisë, që përdoruesit t’i gjejnë përgjigjet, të cilat i kërkojnë. Përmes çetbotit përdoruesit marrin informacione për pyetjet në lidhje me KOVID-19; përmes anketave ndajnë mendime për aspektet e rëndësishme të përgjigjes ndaj KOVID-19, ndërsa me anë të veglës për raportim të thashethemeve, përdoruesit mund t’i paraqesin thashethemet. Ekipi i ekspertëve i kontrollon faktet në lidhje me thashethemet e raportuara dhe e  azhurnon aplikacionin me informacione të reja dhe të rëndësishme.

Përpos faktit që aplikacioni vazhdimisht azhurnohet me gjetje më të reja shkencore, të dhënat përkatëse dhe ato analitike të marra përmes HealthBuddy+ do të mund më tej të përdoren për informim të autoriteteve shëndetësore dhe për mbështetje të strategjisë për komunikim gjatë rreziqeve.

 

Kontakte me mediat

Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.