Fushata e re e imunizimit “Le të mos të luajmë me shëndetin!”

15 Dhjetor 2023
Campaign creative visual - Vaccines work
UNICEF/North Macedonia/2023

Shkup, 15 dhjetor 2023:  Nën moton “Le të mos luajmë me shëndetin”, Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i, me mbështetjen e USAID-it, nga sot e fillojnë një fazë të re të fushatës “Së bashku të mbrojtur – vaksinat funksionojnë”, me qëllim që të vazhdojnë t’u ofrojë qytetarëve informacione të sakta dhe në kohë për vaksinat dhe imunizimin.  

Fushata e komunikimit është pjesë e një sërë aktivitetesh të kryera nga partnerët për ta inkurajuar vaksinimin, pas ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia KOVID-19. Në veçanti fushata synon që t’u përkujtojë prindërve dhe kujdestarëve se kur huqet marrja e vaksinave ose kur vonohet, edhe fëmijët edhe bashkësia janë në rrezik të sëmundjeve të cilat në parim janë të parandalueshme nga vaksinat.

“Edhe pse ka një rritje të mbulimit të vaksinimit pas pandemisë KOVID-19, megjithatë është e nevojshme të sigurohet informacion i saktë dhe në kohë për vaksinat që shpëtojnë jetë. Në këtë drejtim, në fillim të vitit e krijuam ueb-faqen e-zdravstvo.mk me informacione të vërtetuara profesionale mbi rëndësinë e vaksinimit të rregullt dhe tema të tjera në fushën e shëndetësisë, si shëndeti digjital, aplikacioni “Shëndeti im”, ku shpalosen ekzaminimet aktuale dhe informacionet tjera të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit. Aty mund të gjeni informacione të besueshme për vaksinat e bëra në vend sipas kalendarit nacional dhe për sëmundjet që mund të parandalohen nëpërmjet vaksinimit. Gjatë vitit, kemi punuar në fronte të shumta që të mund ta arrijmë mbulimin e vaksinave me mbi 90-95 për qind në nivel shtetëror për të gjitha vaksinat rutinë. Kjo fushatë do t’ua kujtojë prindërve përgjegjësinë e tyre për t’i mbrojtur fëmijët e tyre në të njëjtën mënyrë që prindërit e tyre i kanë mbrojtur ata nga sëmundjet si fruthi dhe poliomieliti”, theksoi ministri i Shëndetësisë, dr. Fatmir Mexhiti.

Krahas kësaj fushate, Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i, me mbështetjen e USAID-it, po punojnë në integrimin e një sistemi për menaxhimin e informacioneve të pasakta brenda strukturave nacionale të vendimmarrjes. Së bashku me partnerët, dialogu i vazhdueshëm midis profesionistëve shëndetësorë, ekspertëve dhe mediave ka kontribuar në ndryshim pozitiv të qëndrimeve ndaj vaksinave. Informimi i bashkësisë dhe mbështetja për angazhimin e ekipeve të imunizimit në katër komunat me mbulim më të ulët të vaksinimit tregon gjithashtu rezultate premtuese, madje më shumë prindër janë përfshirë në nivelin e komunitetit lokal.  

“Gjatë gjithë vitit bashkëpunojmë me partnerët tanë për ta përmirësuar besimin në zbulimet shkencore rreth vaksinave. Vihet re se ka një rritje të opinionit pozitiv për vaksinat, i cili është premtues, pasi në botën e internetit qarkullojnë shumë informacione të pasakta për vaksinat. Keqinformimi është i rrezikshëm, krijon një terren pjellor për sëmundjet, andaj prindërit dhe kujdestarët kanë nevojë për qasje të vazhdueshëm në informacione të besueshëm. Vaksinimi i fëmijëve nuk është opsion por është përgjegjësi. Vaksinat i mbrojnë fëmijët, të rriturit dhe bashkësitë”, tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani.

Fushata “Le të mos luajmë me shëndetin!” do të realizohet anekënd vendit në muajt në vijim. Ajo paraqet një vazhdimësi të fushatës së fillimit të këtij viti, e cila përfshiu punonjës shëndetësorë, pediatër, mjekë nga qendrat e vaksinimit dhe gjinekologë, për të folur mbi rreziqet e vonesës së vaksinimit, si dhe për dobitë e vaksinimeve rutinë të fëmijërisë, si mënyra më efektive për ta mbrojtur shëndetin e fëmijëve. 

Pjesë integrale e fushatës është promovimi i vazhdueshëm i platformës digjitale E-shëndet, e cila filloi të funksionojë në fillim të këtij viti me një seksion të veçantë, kushtuar imunizimit dhe shërben si i vetmi vend për të marrë informacione të besueshme për vaksinat. Më shumë informacione rreth fushatës së re “Le të mos luajmë me shëndetin!” mund të gjeni në: www.unicef.mk.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.