“Fëmijët e marrin përsipër Kuvendin – eveniment i nivelit të lartë me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve

UNICEF-i dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e organizuan një eveniment të titulluar “Fëmijët marrin përsipër Kuvendin”, ku fëmijët dhe të rinjtë i prezantuan para deputetëve çështjet, nevojat dhe pikëpamjet e tyre më urgjente.

20 Nëntor 2023
WCD2023_KidsTakeoverAssembly_MKD
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2023

Shkup, 20 nëntor 2023: Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, UNICEF-i dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e organizuan një eveniment të titulluar “Fëmijët marrin përsipër Kuvendin”, ku fëmijët dhe të rinjtë i prezantuan para deputetëve çështjet, nevojat dhe pikëpamjet e tyre më urgjente.

Mbi 50 fëmijë dhe të rinj të moshës 14 deri në 19 vjeç nga i gjithë vendi e morën drejtimin e seancës parlamentare, ku u diskutuan tre tema të cilat fëmijët i zgjodhën si më të rëndësishmet. Ndër to ishin çështjet e arsimit cilësor; gjendja e shëndetit mendor; dhe pjesëmarrja e fëmijëve në marrjen e vendimeve që ndikojnë në jetën e tyre.

Para fillimit të mbledhjes, fjalë hyrëse kishin Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Xhovani.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se i vjen keq që të rriturit nuk e ndërtuan një botë më të sigurt për të gjithë fëmijët, një botë në të cilën asnjë fëmijë nuk do të privohet nga ngrohtësia familjare, nga gjumi i qetë në shtëpinë e tyre, nga një vakt i nxehtë dhe kujdes shëndetësor cilësor.

“Sot, ne të rriturit do të dëgjojmë me kujdes atë që do ta ndani me dhe do të fokusohemi në përmirësimin e kushteve në arsim, në shëndetin mendor dhe pjesëmarrjen në hartimin e politikave. Asnjë fëmijë nuk duhet të lihet jashtë sistemit arsimor. Mendoj se pjesëmarrja juaj në hartimin e politikave do të sjellë freski. Ju mbështes në realizimin e qëllimit tuaj, për themelimin e një Kuvendi nacional rinor, i cili do të jetë motori i krijimit të politikave rinore në mënyrën më të mirë”, tha Xhaferi.

“Ndoshta njëri ndër hapat më të rëndësishëm të progresit që ne si vend mund të bëjmë është t’u japim fëmijëve hapësirë për të qenë pjesë e zgjidhjes dhe pjesë e debatit demokratik për temat që i prekin ata. Sot avancimi i të drejtave të secilit fëmijë – pavarësisht se ku jeton dhe kush është ai/ajo – është i domosdoshëm për fëmijët, madje është mënyra më e mirë për ta ndërtuar një botë më paqësore, më progresive dhe më të drejtë për të gjithë”, tha përfaqësuesja e UNICEF-it. Patricia Di Xhovani.

Ky evenimenti ishte një mundësi për Kuvendin që t’i ripërtërijë zotimet ndërpartiake për të punuar në drejtim të avancimit të të drejtave të fëmijëve, si dhe për shqyrtim të disa rekomandimeve nga Vëzhgimet e fundit përmbyllëse të Komisionit për të drejtat e fëmijëve. Për fëmijët, prania në Kuvend përfaqësonte njoftim në rolin legjislativ të Kuvendit dhe funksionimin e tij të përgjithshëm.

Në fund të mbledhjes, fëmijët i prezantuan konkluzionet që ishin produkt i punës së tyre në grupe tematike.

Në fushën e arsimit, fëmijët arritën në përfundimin se nevojiten investime të shtuara në infrastrukturën shkollore, trajnimin e mësuesve dhe sigurimin e mjeteve moderne mësimore.

Fëmijët e theksuan rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës dhe mbështetjen e stileve të ndryshme të mësimit bazuar në nevojat e nxënësve, si dhe mundësimin e të menduarit kritik dhe kreativitetit në mësimdhënie. Në segmentin për mbështetjen dhe aftësimin e mësimdhënësve, ata kërkuan që theksi të vihet në stimulimin e krijimtarisë së tyre gjatë angazhimit në mësim, si dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të nxënësve në procesin arsimor, në të cilin do të dëgjohet mendimi i tyre, do të akomodohen interesat e tyre individuale, si dhe do të nxitet të menduarit kritik i nxënësve.

Në Konkluzionet mbi gjendjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve, fëmijët kërkuan ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe më shumë informacione për shëndetin mendor në shkolla dhe ndërmjet prindërve; avancimin pedagogjik të mësuesve dhe punësimin e më shumë profesionistëve në çdo shkollë, integrimin e më shumë orëve të detyrueshme mbi shëndetit mendor në kuadër të programit mësimor. Ata kërkuan gjithashtu një linjë të përhershme për mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve dhe ofrimin e një psikologu familjar për të rinjtë.

Njëri nga konkluzionet kryesore në fushën e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në hartimin e politikave ishte nevoja për ndryshime në Ligjin për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore, i cili do ta detyrojë çdo institucion arsimor t’i njoftojë nxënësit me të gjitha mënyrat e organizimit rinor dhe se plotësisht do të zbatohet Ligji në pjesën e themelimit të Kuvendit nacional rinor. Gjithashtu fëmijët erdhën në përfundim se duhet të harmonizohet ligji për arsimin e mesëm, me çka nga secila shkollë do të kërkohet formimin e një organizate rinore/parlamenti i nxënësve. Ata kërkuan gjithashtu një rritje të përqindjes së akorduar nga Prodhimi i Brendshëm Bruto për projektet që iu dedikohen të rinjve; themelimin e Zyrës rinore në Kuvend dhe vendosjen e kuotës së të rinjve në Kuvend.

Këtë vit vendi shënon 30 vjet nga ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe 30 vjet nga puna e UNICEF-it.

Dita Botërore e Fëmijëve është një ditë veprimi nga fëmijët për fëmijët në mbarë botën, që mbahet çdo vit më 20 nëntor, në përvjetorin e miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.