Fëmijët duhet të jenë në qendër të masave për uljen e varfërisë ushqimore dhe energjetike
UNICEF dhe partnerët prezantojnë të dhëna të reja mbi ndikimin e krizës ushqimore dhe asaj energjetike
- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 28 shkurt 2023 - Në evenimentin për prezantimin e gjetjeve të analizës së re mbi ndikimin e krizës së ushqimit dhe krizës së energjisë te fëmijët dhe familjet, përfaqësues të qeverisë, shoqërisë civile dhe partnerëve të zhvillimit i diskutuan rekomandimet e politikave për adresimin çwshtjes së rritjes së varfërisë.
Analiza e re e paraqitur nga UNICEF dhe Finance Think, thekson se rreth 33 mijë njerëz – dhjetë mijë prej të cilëve ishin fëmijë – janë shtyrë nën kufirin e varfërisë, për shkak të krizës së ushqimit dhe energjisë. Përderisa masat e qeverisë kanë qenë të suksesshme për të siguruar që numri i familjeve të prekura të mos jetë më i lartë, pjesëmarrësit e vunë në dukje nevojën për ndërhyrje më të synuara për t’i mbështetur familjet më të rrezikuara.
“Që nga fillimi i krizës energjetike, Ministria e Ekonomisë I ka zbatuar në vazhdimësi masat në mbështetje të qytetarëve. Krahas faktit që shteti subvencionon 80% të energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, edhe vitin e kaluar kur filloi kriza energjetike, krijuam një program të posaçëm në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, përmes të cilit u realizua masa për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për kategoritë e cenueshme të qytetarëve. Masa është zgjatur edhe gjatë këtij viti”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, indeksi i çmimeve të konsumit në Maqedoninë e Veriut u rrit për 14%. Çmimet e ushqimeve u rritën mesatarisht për 22%, madje disa kategori ushqimesh u rritën deri në 36%. Këto goditje të çmimeve i kanë prekur në mënyrë disproporcionale familjet me shumë fëmijë dhe me të ardhura më të ulëta, për shkak të barrës më të madhe të shpenzimeve për ushqim dhe energji në buxhetin e tyre familjar. Segmentet më të cenueshme të popullsisë kanë mbetur me pak fonde në dispozicion për t’i përmbushur nevojat e tyre tjera bazë.
Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Enver Husein theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ofron mbështetje financiare për përballimin e krizës energjetike për qytetarët e cenuar apo të përjashtuar nga shoqëria. Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, e hartoi Ligjin për mbështetje financiare të kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve për t'u përballur me krizën energjetike.
Vlerësimi në fjalë tregon se një në tre fëmijë ka përjetuar varfëri ushqimore në vitin 2022 – një rritje prej 9 pikë përqindje krahasuar me gjendjen para krizës. Gjendja është edhe më e keqe te familjet me tre ose më shumë fëmijë. 44% e tyre përjetojnë varfëri ushqimore.
“Me buxhetet e sektorit publik që janë janë të goditur për shkak të rritjes së kostove dhe uljes së pritshme të të ardhurave publike, autoritetet mund të kenë vështirësi në përmbushjen e të gjitha nevojave për masa shtesë të mbrojtjes sociale. Për më tepër, financimi i shërbimeve tjera bazë sociale, përfshirë arsimin dhe shëndetin, mund të jetë gjithashtu në rrezik, për shkak të rritjes së kostove të energjisë elektrike dhe ngrohjes për objektet, gjë që e rëndon në mënyrë thelbësore buxhetin nacional dhe atë komunal”, tha Patrizia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it.
“Masat nga dy pakot e masave të Qeverisë vlerësohen të jenë efektive nga 30 deri në 60%, varësisht nga norma specifike dhe grupi specifik i popullsisë. Gjegjësisht nëse nuk do të ishin masat, atëherë ndikimi krizës do të ishte 40 deri në 70% më intensiv ndaj mirëqenies së amvisërive në kuptimin negativ të fjalës”, tha Marjan Petreski nga Finance Think. “Në fakt, analiza tregon qartë se masat iu ndihmuan të gjitha kategorive me të ardhura të ndryshme, pra edhe atyre që mund ta përballonin vetë ndikimin e krizës, gjë që është e rëndësishme për shkak të hapësirës së ngushtë fiskale, e cila më pas ushtron shumë presion mbi nevojën për të marrë hua.”
Rekomandimet e politikave të diskutuara në këtë ngjarje, u fokusuan në nevojën për të ofruar mbështetje më të synuar për ta reduktuar barrën e fëmijëve, duke përfshirë:
- Zgjerimin e subvencionimit të energjisë për familjet më të cenueshme dhe lehtësimin e kritereve të përshtatshmërisë së asistencës minimale të garantuar për grupet kryesore të amvisërive të cenueshme.
- Rregullimet më të shpeshta të përfitimeve në para për t’i përafruar ato me çmimet në rritje, me qëllim që ato ta ruajnë vlerën e tyre.
- Mbrojtja e shërbimeve shëndetësore bazë, mbrojtja sociale dhe arsimi duke rritur efikasitetin, efektivitetin dhe barazinë në shpenzimet sociale në proporcion me rritjen e presioneve buxhetore në nivel nacional dhe komunal.
- Përfshirja e programit të ushqimit falas në shkollë, i cili jo vetëm që do ta përmirësonte qasjen në ushqim të shëndetshëm dhe me vlera ushqyese për fëmijët e shkollës, por gjithashtu do ta reduktonte varfërinë.
Vlerësimi i ri u realizua nga Finance Think në partneritet me UNICEF si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të Kombeve të Bashkuara për t’i identifikuar rrugët sistematike si përgjigje ndaj krizës globale të ushqimit dhe energjisë. UNICEF së bashku me UNDP dhe FAO, kanë punuar së bashku me partnerët nacionalë dhe ndërkombëtarë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata që do t’i përgjigjen nevojave të grupeve vulnerabël dhe në të njëjtën kohë do ta mbështesin rritjen dhe zhvillimin, në kushtet e inflacionit të lartë dhe burimeve financiare modeste.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.