Eveniment interaktiv mbi veprimin klimatik dhe edukimin mjedisor në Parkun e Qytetit të Shkupit

21 Mars 2024
Interactive Event on Climate Action and Environmental Education in the Skopje City Park
UNICEF North Macedonia / 2024

Shkup, 21 mars 2024: Në ditën e parë të pranverës, fëmijët, të rinjtë dhe edukatorët e gjallëruan Parkun e Qytetit të Shkupit në një ngjarje interaktive, në të cilën kishin mundësi t’i shfaqin veprimet klimatike dhe iniciativat e edukimit mjedisor, të cilat zbatohen në vend. Ky eveniment u organizua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe UNICEF-i me mbështetjen e Suedisë dhe partnerëve tjerë, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i mirëpret iniciativat, të cilat e mbështesin edukimin mjedisor dhe përpjekjet e udhëhequra nga të rinjtë. Ne besojmë fuqishëm se adresimi dhe zgjidhja e krizës klimatike, mbrojtja e mjedisit dhe ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme dhe rezistente kërkojnë edukimin e brezave të rinj. Kjo përfshin rritjen e ndërgjegjësimit të tyre mjedisor dhe nxitjen e kureshtjes për shkencën”, tha Kaja Shukova, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ajo theksoi se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë agjencitë ndërkombëtare si UNICEF-i, për të krijuar korniza thelbësore strategjike dhe ligjore siç është Ligji mbi veprimin për klimën, ndërsa se veprimet klimatike duhet t’i mishërojnë përpjekjet e partneritetit kolektiv në dobi të komuniteteve lokale, të bazuara në njohuri dhe qasje të sakta. Shukova theksoi gjithashtu se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e mbështet në mënyrë aktive programin GLOBE. Ky program ofron mundësi të jashtëzakonshme për të mësuarit nga përvoja rreth natyrës dhe ekosistemeve, duke e nxitur interesin e nxënësve rreth shkencës. Për më tepër, programi i pajis mësuesit dhe profesorët me një burim të çmuar arsimor.

Rreth 250 fëmijë nga i gjithë vendi u angazhuan në punëtoritë interaktive të organizuara nga Rrjeti i të mësuarit përmes përvojës, Laboratori i bioteknologjisë së Qytetit të Shkupit dhe Programi GLOBE. Këto seminare, të sajuara për ta nxitur kureshtjen shkencore dhe ndërgjegjësimin mjedisor, shpalosën eksperimente praktike për nxënësit dhe mësuesit. Rrjeti i të mësuarit përmes përvojës u nis në vitin 2023 si pjesë e një nisme të UNICEF-it të financuar nga Suedia për t’i fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë për t’i adresuar sfidat e ndryshimeve klimatike. Që nga fillimi, rreth 1300 nxënës kanë marrë pjesë në punëtori dhe aktivitete jashtëshkollore, të cilat vazhdojnë të jenë të disponueshme për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme përmes sistemit të regjistrimit. Së fundmi, Laboratori i bioteknologjisë i menaxhuar nga Qyteti i Shkupit dhe Drislla, kanë rëne dakord që t'i bashkohen Rrjetit të mësimit përmes përvojës.

“Ne si ministri, jemi të përkushtuar për ta rritur ndërgjegjësimin e nxënësve për ekologjinë. Në kuadër të reformës së vazhdueshme të sistemit arsimor, synimi ynë është ta rrisim cilësinë e arsimit në fushën e të kuptuarit të ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë. Përmes aktiviteteve brenda programeve mësimore dhe atyre jashtëshkollore, nxënësit fitojnë dhe i thellojnë njohuritë e tyre mbi mjedisin, resurset natyrore, jetesën në harmoni me natyrën dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës. Ai shtoi se shkollat i zbatojnë në mënyrë aktive praktikat mjedisore dhe organizojnë evenimente për ta rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e një mjedisi të shëndetshëm, duke vënë në dukje se këto përpjekje synojnë të promovojnë midis nxënësve sjellje miqësore ndaj natyrën. Shaqiri theksoi gjithashtu se ngjarjet si ajo e sotme luajnë rol vendimtar në krijimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për planetin tonë dhe në formimin e brezave të kujdesshëm, që e vlerësojnë dhe mbrojnë mjedisin ku jetojnë.

Në Innovation Expo, mbi 60 novatorë të rinj dhe aktivistë të klimës i promovuan iniciativat e tyre lokale për klimën dhe mjedisin, të zhvilluara përmes UPSHIFT dhe Kampeve të novacionit rinor. Gjatë takimit, të rinjtë u përfshinë në konsultim për t’i identifikuar fushat prioritare, që do të përfshihen në strategjinë e UNICEF-it për klimën.

“Është vërtet e mrekullueshme t’i shohësh të gjitha aktivitetet mbi veprimin klimatik dhe edukimin mjedisor, të cilat prezantohen gjatë këtij evenimenti interaktiv. Evenimenti në fjalë i demonstron mundësitë e të rinjve në këtë vend, meqenëse trajtimi i çështjeve komplekse si kriza klimatike kërkon partneritete dhe ndërhyrje sistematike, krah për krah me veprimin e komunitetit lokal. UNICEF-i ka punuar në të gjitha nivelet, duke filluar nga mbështetja e Rrjetit për të mësuarit përmes përvojës; integrimin e të mësuarit nga përvoja në sistemin arsimor dhe pajisja e mësuesve dhe nxënësve të rinj me aftësi praktike; puna me novatorët e rinj dhe aktivistë të klimës për t’i promovuar iniciativat e tyre lokale për klimën dhe mjedisin. Së bashku, ne nuk po mësojmë vetëm për veprimin klimatik dhe edukimin mjedisor - ne po e formojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe rezistente,” tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani.  

Evenimenti u përmbyll me një takim të mësuesve mbi çështjen e të mësuarit nga përvoja mbi ndryshimin e klimës dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Gjatë aktivitetit, 60 edukatorë parashkollor dhe mësues të ciklit fillor nga i gjithë vendi u mblodhën për të mësuar rreth aktiviteteve jashtëshkollore, të cilat ofrohen nga Rrjeti i të mësuarit përmes përvojës dhe mjeteve dhe doracakëve të rinj, të hartuara për t’i ndihmuar ata ta integrojnë në arsim mësimin nga përvoja dhe edukimin mjedisor. Deri më sot, afro 6000 mësues janë përfshirë përmes mundësive të ndryshme të zhvillimit profesional në të mësuarit nga përvoja.

Evenimenti ofroi një mundësi për t’u shfaqur disa nga rezultatet e punës që po bëhet nga partnerët në programin e mbështetur nga UNICEF “Fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve për të vepruar si agjentë ndryshimi me qëllim të zvogëlimit të cenueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike për komunitetet”, i cili financohet nga Suedia. Programi zbatohet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Fondin për Novacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe partnerët tjerë, duke përfshirë Qytetin e Shkupit, Shoqërinë ekologjike maqedonase, LEAD, Qendrën e resurseve për mjedisin jetësor dhe Eco Logic.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.