Është e lartë kostoja e dështimit, nëse kriza e mësimi nuk bëhet prioritet nacional

Patricia Di Xhovani, përfaqësuesja e UNICEF-it u bën thirrje të gjithë liderëve politikë të përkushtohen që reformën strukturore të arsimit ta bëjnë prioritet nacional ndërpartiak

07 Dhjetor 2023
Student writing in a notebook
UNICEF/North Macedonia/2022

Shkup, 7 dhjetor 2023:  “Vendi duhet të alarmohet seriozisht nga rezultatet më të fundit nga Programi i OECD për Vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (PISA), që tregojnë një ngecje në rezultatet e mësimit të nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë.    

“Rezultatet tregojnë se tre të katërtat (74%) e nxënësve 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut arrijnë rezultatet të dobëta në lexim; ndërsa dy nga tre nxënës tregojnë sukses të ulët në matematikë (64%) dhe shkencë (65%).

“Ka vite që shteti përjeton krizë mësimi. Ne e dinim gjithmonë se pandemia e përkeqësoi krizën e mësimit dhe se fëmijët në pothuajse çdo vend kanë ngecur në mësime. Rezultatet e reja të PISA-s tani japin prova të forta për të përcaktuar se sa pas kanë ngelë fëmijët e këtij vendi në mësimet e tyre.

“Të gjithë në vend duhet të shqetësohen seriozisht për këto rezultate. Kriza në mësim është rezultat i dekadave të trajtimit joadekuat të sfidave kryesore strukturore, mungesës së vazhdimësisë në proceset e reformës nga qeveri të ndryshme dhe dështimit për ta fokusuar arsimin në nevojat reale dhe individuale të nxënësve.

“Përballja me krizën e të mësuarit është përgjegjësi e të gjithëve.” Kuvendi, Qeveria duke përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por edhe Ministrinë e Financave, komunat, drejtoria i shkollave, mësuesit dhe prindërit duhet të veprojnë menjëherë. Tani është e nevojshme që të gjitha partitë politike të bashkohen dhe menjëherë të fillojnë me përkushtim t'i zgjidhin këto probleme të kamotshme.

“Ligjvënësit në Kuvend duhet ta dallojnë urgjencën e kësaj situate dhe t’i japin prioritet rishikimit të ndryshimeve në Ligjin për arsimin fillor.

Gjatë rishikimit të buxhetit, Kuvendi duhet t’i kërkojë Ministrisë së Financave ta rrisë financimin e arsimit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe përafrimit të shpenzimeve publike të vendit në arsim me mesataren e BE-së, që është 4.9%.

“Formula e re për financimin e arsimit fillor është ende në pritje të miratimit nga Qeveria. Formula e financimit synon t’u sigurojë komunave burime të mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat bazë të nxënësve dhe për ta përmirësuar cilësinë e mjedisit mësimor në shkolla. Qeveria duhet t'i japë prioritet edhe procesit të miratimit të Ligjit të ri për arsimin e mesëm, me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsimin e mesëm.

“Komunat duhet të punojnë në konsolidimin e rrjetit të shkollave. Për shkak të ndryshimeve të gjëra demografike, të karakterizuara nga rënia e lindjeve, migrimi dhe rritja e urbanizimit, disa shkolla janë të mbipopulluara, ndërsa disa të tjerat janë të pashfrytëzuara, gjë që ndonjëherë rezulton që disa shkolla të kenë më shumë mësues se nxënës.

Udhëheqja e shkollës ka rol kyç në ofrimin e një mjedisi mësimor optimal për të gjithë nxënësit. Është thelbësore që shkollat ​​të funksionojnë me një turn për të lejuar orë shtesë mësimi dhe aktivitete jashtëshkollore. Praktika ekzistuese e krijimit të më shumë klasave më të vogla si përshtatje ndaj numrit të shtuar të mësuesve duhet të zëvendësohet me angazhimin e tyre në aktivitete shtesë. Në këtë mënyrë, nxënësit do të kenë mundësi t’i përmirësojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kreativitetit. Çdo mësues është i nevojshëm, por kur merren vendime, udhëheqja e shkollës duhet të udhëhiqet nga interesi më i mirë i nxënësve. Fokusi i shkollave duhet të jenë gjithmonë fëmijët, gjegjësisht nevojat e tyre individuale, interesat dhe aftësitë e secilit fëmijë.

“Mësuesit duhet të krijojnë mundësi që nxënësit t’i ndërlidhin njohuritë teorike me përvojat praktike. Për ta arritur këtë, mësuesit duhet të organizojnë aktivitete praktike, eksperimente, projekte dhe të përdorin të mësuarit eksperimental për t’u siguruar nxënësve aftësi praktike dhe kuptim më të thellë të lëndës. Cilësia e mësimdhënies dhe ekspertiza e mësuesve janë faktorë që kanë ndikimin më të madh në rezultatet e nxënësve. Prandaj, çdo mësuesi duhet t’i ofrohet qasje në zhvillim të vazhdueshëm profesional për të vazhduar me qasjet dhe mundësitë e reja pedagogjike dhe për t’i përmirësuar aftësitë dhe praktikat e mësimdhënies.

“Prindërit kanë rol kyç në mbështetjen e fëmijëve të tyre në mësim. Ata kanë ndikim të madh në formimin e qëndrimit të tyre ndaj të mësuarit dhe inkurajimin e arritjeve më të mira arsimore. Hulumtimet tregojnë se rezultate më të mira arsimore kanë fëmijët, prindërit e të cilëve janë të përfshirë në aktivitetet e përditshme të fëmijës në shtëpi (p.sh. leximi, vizatimi, monitorimi i përparimit të tyre në shkollë) dhe janë pjesëmarrës aktivë në jetën shkollore të fëmijës (p.sh. komunikimi me mësuesit mbi përparimin e mësimit, sjelljen e fëmijës dhe përfshirjen në aktivitetet shkollore).

“Për një kohë të gjatë ne i kemi lejuar fëmijët të ngecin pas në lexim, matematikë dhe shkencë. Shumë prej tyre tani janë të rinj në moshë madhore, që futen në arsimin sipëror ose përfshihen në fuqinë punëtore, ndërsa boshllëqet në njohuritë e tyre do të dalin në shesh, andaj kjo gjendje e ka një kosto. Në fakt, do të ketë pasoja të rënda për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

“Situata kërkon që të gjithë të bashkohen tani.” Fëmijët mezi presin. Arsimi nuk mund të presë më. Trajtimi i krizës së mësimit duhet të jetë prioritet nacional. Këto humbje jo vetëm që kanë ndikim negativ te fëmijët sot, por do të ndikojnë edhe në të arriturat e jetës së fëmijëve dhe do ta pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit për dekadat në vijim.

“Aspiratat e Maqedonisë së Veriut për ta përmirësuar konkurrencën ekonomike dhe për ta përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian janë kyçe për arritjen e një të ardhmeje më të sigurt, më të rezistueshme, me të qëndrueshme dhe të prosperuar për qytetarët. Këto janë prioritete të rëndësishme nacionale, ndërsa arritja e këtyre synimeve në masë të madhe varet nga ndërtimi i një fuqie punëtore të shëndetshme, shumë të kualifikuar dhe nga zhvillimi i kapitalit njerëzor. Arsimi cilësor dhe i drejtë është një nga fushat më të rëndësishme për krijimin e mundësive të reja dhe për një cilësi më të mirë jetese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

“Liderët e partive politike së fundmi u mblodhën për të rënë dakord mbi zgjedhjet e ardhshme. U bëj thirrje të gjithë liderëve të partive politike që të bashkohen menjëherë për të arritur një marrëveshje për një agjendë ndërpartiake përmes së cilës arsimi do të bëhet prioritet. Prioritet, të cilin asnjë parti nuk do të mund ta përdorë për pikë politike. Një prioritet që do ta bashkojë vendin sepse është i rëndësishëm për të gjithë fëmijët.

“Fëmijët meritojnë arsim cilësor, tani! Shteti meriton zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët – po tani! E vetmja mënyrë për ta tejkaluar këtë situatë është që reformat strukturore në arsim të shndërrohen menjëherë në një prioritet nacional ndërpartiak."

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.