Çfarë duhet bërë për të krijuar kushte që secili fëmijë të rritet në një mjedis të dashur familjar?

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani e inkurajon shtetin të vazhdojë me kursin pozitiv për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në mjedis mbështetës familjar

18 Janar 2024
Blond women wearing orange blouse is smiling and hugging a child back turned towards camera, wearing a red headband
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2023

SHKUP, 18 janar 2024 – “Sot UNICEF-i e publikoi një raport të ri rajonal, i cili thekson se gati gjysmë milion fëmijë, ose 456,000 në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore jetojnë në ambiente të kujdesit institucional, duke përfshirë institucione në shkallë të gjerë dhe objekte tjera si shtëpitë e grupeve të vogla.

“Raporti vë në dukje se shkalla e fëmijëve që jetojnë në objektet e kujdesit institucional në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore është dyfish më e madhe nga mesatarja globale, gjegjësisht 232 në 100.000 fëmijë që jetojnë në institucione të kujdesit, krahasuar me 105 në 100.000 fëmijë në nivel global.  

“Nëse e krahasojmë gjendjen e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, duhet të pranojmë se vendi radhitet në vendet e para, për sa i përket përkujdesjes së fëmijëve, të cilëve për arsye të ndryshme iu mungon kujdesi familjar, ose janë të ndarë nga familja e tyre. Ky vend ishte në gjendje t’i transformonte të gjitha institucionet e përmasave të mëdha për fëmijë, andaj sot asnjë fëmijë nuk është i vendosur në institucione të përmasave të mëdha. Shkalla e fëmijëve në forma tjera të mjediseve të kujdesit institucional është 24 për 100,000, që është dhjetë herë nën mesataren e rajonit, pasi të gjithë fëmijët janë të strehuara dhe janë në përkujdesje në shtëpi të grupeve të vogla.

“Përparimi i vendit ishte një proces i gjatë dhe rezultat i angazhimit për disa dekada drejt reformës së deinstitucionalizimit. i mbështetur nga qeveri të shumta. Për më tepër, ishte rezultat i angazhimit të vazhdueshëm për ta forcuar dhe për të investuar në kujdesin alternativ të bazuar në familje. Tani rreth 82 për qind e të gjithë fëmijëve në përkujdesje shtetërore janë nën përkujdesjen e bazuar në familje, siç janë familjet kujdestare ose kujdesi farefisnor.

“Prandaj përderisa një mori vende në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë një rrugë të gjatë për të bërë, përpara se t’i japin fund dukurisë së trashëguar të institucionalizimit të fëmijëve, Maqedonia e Veriut ka një mundësi unike për të qenë një nga vendet e para në rajon, e cila do të arrijë që çdo fëmijë të rritet në mjedis familjar me plot dashuri.

“Pasi të gjitha partitë politike po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tani është koha për t’i marrë përsipër detyrimet për ta përmbyllur këtë agjendë të papërfunduar, në mënyrë që secili fëmijë - sot dhe në të ardhmen - ta gëzojë të drejtën e tij për t’u rritur në një mjedis familjar me plot dashuri.  

“Duhet të merret parasysh se që nga viti 2019, fëmijët të cilët janë nën kujdesin e shtetit janë të akomoduar në një nga gjashtëmbëdhjetë shtëpitë e grupeve të vogla në të gjithë vendin. Ndonëse shtëpitë e grupeve të vogla janë alternativë më e mirë se institucionet në shkallë të gjerë, siç janë shtëpitë për fëmijët pa prindër, megjithatë vendi i fëmijës është në mjedisin familjar. Hapat e radhës duhet t’i përfshijnë planet konkrete për mbylljen graduale të shtëpive me grupe të vogla dhe secili fëmijë nën kujdesin shtetëror të akomodohet në forma alternative të kujdesit të bazuar në familje. Për arritur këtë, mund të duhen disa vite, por angazhimi dhe puna duhet të fillojë që tani. Në këtë kontekst nevojitet investim në forcimin e të gjitha formave të shërbimeve të kujdestarisë, duke përfshirë familjet e specializuara kujdestare për fëmijët në rrezik, familjet kujdestare urgjente dhe vazhdimin e investimit në kujdesin tjetër të bazuar në familje.  

“Shteti duhet të fillojë me investime në sisteme dhe shërbime, të cilat do të ndihmojnë që familjet të ngelin së bashku. Planet konkrete përfshijnë investim në parandalimin dhe mbështetjen e familjes nëpërmjet vendosjes së mekanizmave të udhëzimit të familjeve në shërbime dhe kujdes sa më adekuat, si mbështetje për identifikim të hershëm dhe ndërhyrje të hershme për fëmijët në rrezik, nënkupton nevojën e fuqisë punëtore (të mirëpërgatitur dhe kompetente) të shërbimit social, shërbimeve mbështetëse të familjes për ta parandaluar ndarjen e panevojshme të fëmijëve nga familja. Po ashtu, kërkon investim në zbatimin e një strategjie nacionale të prindërimit, në mënyrë që të gjithë prindërit, dhe veçanërisht ata me nevoja komplekse, ta marrin mbështetjen e nevojshme në mënyrë që fëmijët të rriten në mjedisin e tyre familjar.

“Për fat të keq, do të ketë raste kur nuk është e mundur, nuk është e sigurt ose nuk është në interesin më të mirë të fëmijës që të jetojë me familjen e tij, kështu që gjithmonë do të ketë nevojë për forma alternative cilësore të kujdesit familjar. Shteti duhet ta sigurojë që interesi më i mirë i të fëmijëve të jetë boshti i të gjitha vendimeve të marra për fëmijët. Ndërkohë është me rëndësi fuqizohet procesi i adoptimit për ta harmonizuar atë me standardet ndërkombëtare dhe interesin më të mirë të fëmijës. Nevojiten ndryshime për përzgjedhjen e prindërve adoptues, rritjen e moshës maksimale të prindërve adoptues, futjen e opsionit për kujdestarët adoptues për të adoptuar një fëmijë që ka qenë nën kujdesin e tyre afatgjatë. Medoemos nevojitet angazhim për përshtatje me standardet ndërkombëtare dhe përmbushjen e të drejtës që fëmijët të jenë të informuar mbi adoptimin e tyre dhe ta njohin identitetin e prindërve të tyre biologjik, nëse ata dëshirojnë.

“Po ashtu ka nevojë për investim në përmirësimin e implementimit të mbështetjes së personave që kanë qenë nën përkujdesje dhe fillojnë jetë të pavarur. Fëmijët që largohen nga kujdesi shtetëror shpesh lihen pa mbrojtjen, udhëzimin dhe mbështetjen e duhur, duke i lënë ata vetë të marrin vendime ose madje duke u ekspozuar përsëri në rreziqet para se të futen nën kujdesin e shtetit. Patjetër nevojiten investime në programe dhe mbështetje në mënyrë që ata të mund ta planifikojnë të ardhmen e tyre, t’i kenë aftësitë dhe mjetet që u nevojiten për ta filluar një jetë të pavarur.

“Në fund, duke pasur parasysh se për dallim nga fëmijët që nuk kanë ndonjë paaftësi, fëmijët me paaftësi kanë shumë më tepër ngjarë të vendosen në entet e kujdesit institucional, medoemos  nevojiten angazhime për të investuar në një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Fëmijët me aftësi të kufizuara mund ta realizojnë potencialin e tyre të plotë, nëse shoqëria e ndryshon mënyrën se si i percepton ata, madje kjo përfshirje mund të përmirësohet vetëm nëse i heqim pengesat që i pengojnë ata nga pjesëmarrja. Këta fëmijë kanë nevojë për veprim shumë-sektorial për të qenë në gjendje ta përmbushin potencialin e tyre dhe ta zënë vendin e merituar në shoqëri.

“Mirëfilli janë të dokumentuara efektet negative të ndarjes nga familja dhe institucionalizimi ndaj  shëndetit, zhvillimin dhe mirëqenies së fëmijës. Fëmijët që nuk kanë mundësi të rriten në një mjedis stimulues të mbushur me dashuri, me mbështetjen e prindërve të kujdesshëm që u përgjigjen në mënyrë të përshtatshme nevojave të tyre, shpesh përballen me neglizhencë emocionale dhe një shkallë më të lartë të abuzimi dhe shfrytëzimit, gjë që i ekspozon ata ndaj problemeve të shëndetit mendor, stresit psikologjik dhe traumës. Nëse shteti e ruan përkushtimin e tij drejt përmbushjes së kësaj agjende, do të ketë mundësi të krijojë kushte që çdo fëmijë ta realizojë potencialin e tij më të lartë.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.