Tani më shumë se kurdoherë kemi nevojë për veprim për t’i ofruar çdo fëmijë një fëmijëri dhe të ardhme më të mirë, si dhe mundësi të drejtë

Deklaratë nga Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it mbi përgjigjen, rindërtimin dhe rimendimin e së ardhmes për çdo fëmijë që nga viti 1946

13 Dhjetor 2021
UNICEF 75
UNICEF

Shkup, 11 dhjetor 2021: “Sot UNICEF-i shënon 75 vjet, që kur u krijua për t’i përmbushur nevojat kyçe të fëmijëve, jetët e të cilëve ishin shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Përderisa ne e përkujtojmë të kaluarën, sfidat me të cilat përballen fëmijët sot na shtyjnë ta rimendojmë të ardhmen në mënyrë që çdo fëmijë të ketë një fëmijëri më të mirë, të ardhme më të mirë dhe një shans të drejtë.

Përgjatë dekadave, së bashku me partnerët qeveritarë, donatorët, përkrahësit dhe mbështetësit tjerë, UNICEF-i ka ofruar shërbime për fëmijët anekënd botës. Nga lehtësimi afatshkurtër gjatë krizës deri te programet afatgjata të zhvillimit, ne e kemi rimenduar se çfarë është e mundur për t’i avancuar të drejtat e fëmijëve dhe mirëqenien e tyre.

  • Dërgesa e parë globale e UNICEF-it me veshje, këpucë, sapun dhe furnizime të tjera emergjente, në gusht 1947, ishte në fakt dërgesë për fëmijët e këtij vendi, kur ishte pjesë e ish Jugosllavisë.
  • Në vitet 50-ta UNICEF-i punoi me qeverinë për ta përmirësuar furnizimin me qumësht. UNICEF-i importoi pajisje për ta mbështetur një plan nacional të ruajtjes së qumështit – si rezultat i kësaj, u vu në dispozicion falas qumështi i sigurt dhe i shëndetshëm ose me një kosto shumë të ulët për mbi 800,000 fëmijë dhe nëna.
  • Në vitin 1957, UNICEF-i e inicioi formimin e Institutit Nacional për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Shkup. Në atë kohë shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve ishte deri në 138.6 për mijë lindje të gjalla.
  • Në vitin 1963, UNICEF-i mbështeti përpjekjet për ndihmë pas tërmetit tragjik në Shkup.
  • Që nga viti 1993 - kur UNICEF hapi një zyrë në vend, pasi shpalljes së pavarësisë- UNICEF ka qenë gjithmonë ndër të parët, që ka ofruar mbështetje për fëmijët në kohë krize dhe ka punuar me partnerë për të siguruar që fëmija të gëzojë çdo të drejtë. 

Gjatë gjithë historisë sonë, UNICEF-i ka ndihmuar në formimin e mjediseve më të shëndetshme dhe më të sigurta për fëmijët, kudo në mbarë globin, përfshirë edhe në këtë vend. Ne i kemi mbështetur reformat për fuqizimin e sistemit, të cilat kanë kontribuar në vdekjen e më pak fëmijëve para moshës pesë vjeçare, përfshirjen më të madhe të më shumë fëmijëve në shkollë, çdo fëmijë brenda vendit të jetojë në një ambient familjar, si dhe e kemi mbështetur zbatimin e reformave premtuese ndërsektoriale për t’i dhënë fund përjashtimit dhe mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca.  

Këto përfitime janë vënë në rrezik për shkak të pandemisë KOVID-19. Në këtë vit, kur duhet të shohim përpara, ne rrezikojmë që të kthehemi prapa. KOVID-19 i ka prekur fëmijët në një shkallë të paparë, duke e bërë atë krizën më të keqe për fëmijët, që e ka shënuar UNICEF-i në historinë e vet 75-vjeçare. Pandemia e ka ndryshuar thellësisht jetën e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe shëndetin e tyre mendor, madje në një fazë të jetës së tyre, ku ata duhet të zhvillohen për ta përmbushur potencialin e tyre optimal.

Por kjo nuk është e vetmja krizë që i prek fëmijët sot. Fëmijët gjithashtu përballen me krizën e mësimit, me ndryshime klimatike, sfidat e përhapura sociale dhe ekonomike dhe rritja e varfërisë dhe pabarazisë. Ne ende shohim shumë fëmijë të lënë pas, thjesht për shkak të vendit ku jetojnë, pasurisë së familjes, përkatësisë së tyre etnike ose paaftësisë. Këto sfida na prekin të gjithëve, por ato i godasin më së shumti fëmijët më të cenueshëm.

Këtë javë, UNICEF-i filloi një studim të ri mbi Varfërinë Shumëdimensionale të Fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se privimet në arsim, zhvillimin e fëmijërisë së hershme, ushqimin, sigurinë, dashurinë dhe kujdesin janë ndër 5 faktorët kryesorë të varfërisë shumëdimensionale të fëmijëve.

Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për veprim në mënyrë që çdo fëmijë të ketë një fëmijëri më të mirë, të ardhme dhe një shans të drejtë. Ashtu siç kemi rindërtuar nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, synimi ynë sot mbetet ta sigurojmë rimëkëmbjen nga pandemia, duke iu dhënë përparësi investimeve për fëmijët.

Investimet për përmirësimin e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës, zgjerimin e qasjes në shërbimet parashkollore, sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve; mbështetja për shëndetin mendor dhe futjen e shërbimeve dhe programeve të reja për t’i mbështetur prindërit në mënyrë, që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar të dashur; sigurimi i drejtësisë së duhur për fëmijët duhet parë si investime për ta luftuar varfërinë e fëmijëve dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e vendit. Ne kemi nevojë për investime për t’i përfshirë ata që kanë ngelë pas, duke përfshirë fëmijët nga familjet rome, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e komuniteteve rurale.

Derisa ne punojmë me qeveritë, donatorët dhe organizatat e tjera për ta rimenduar rrugën tonë kolektive për 75 vitet e ardhshme, ne duhet gjithnjë t’i vëmë fëmijët në radhë të parë të investimeve dhe veprimit.”

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.