Të rinjtë nga Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina zgjidhin problemet së bashku
Të rinjtë nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina po punonin së bashku për zgjidhje inovative për problemet me të cilat përballen të rinjtë në komunitetet e tyre lokale

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Petrovac, Mali i Zi, 8 mars 2020 – Gjatë punëtorisë së dytë rajonale UPSHIFT, të organizuar në Mal të Zi me mbështetjen e UNICEF-it, të rinjtë nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina po punonin së bashku për zgjidhje inovative për problemet me të cilat përballen të rinjtë në komunitetet e tyre lokale.
Filip Grdinic nga Danilovgrad punoi me anëtarët e ekipit të tij për të zgjidhur problemin e mungesës së të rinjve që zgjedhin aftësimin profesional dhe zanatet në përgjithësi. Kur bëhet fjalë për UPSHIFT-in, atij më së tepërmi i pëlqeu puna në një ekip të përzier me të rinj nga vende të ndryshme të rajonit.

Para së gjithash, mësova se si të punoj në ekip, si të bashkëpunoj me të tjerët dhe si ta paraqes mendimin tim para një paneli gjyqtarësh. Mendoj se kjo përvojë do të më ndihmojë shumë si në jetë, ashtu edhe gjatë studimeve në universitet.
Ena Karagic, studente e psikologjisë nga Sarajeva ishte pjesë e një ekipi që punoi për gjetjen e zgjidhjes për problemin e orientimit profesional të të rinjve, i cili, sipas saj, prek shpesh të rinjtë që përfundojnë shkollën fillore ose të mesme.
Punëtoria rajonale UPSHIFT rezultoi në shumë inovacione, të cilat u bënë pjesë e projektit tonë, thjesht sepse kemi vërejtur ndryshime të shumta në sistemet arsimore, kështu që vendosëm ta përdorim atë në mënyrën më të mirë inovative.

Edhe mentorët e tyre vijnë nga pjesë të ndryshme të rajonit. Kristina Palic, njëra nga mentoret, beson se bashkëpunimi ndërmjet të rinjve nga sfonde të ndryshme në zgjidhjen e problemeve të ngjashme është njëra prej sfidave dhe avantazheve kryesore të punëtorisë rajonale UPSHIFT.

Një sfidë shtesë ishte lidhja e dy ekipeve të ndryshme për të planifikuar vetë zgjidhjen. Megjithëse ekipet kishin probleme shumë të ngjashme – pothuajse të njëjtat – ata vijnë nga vende dhe qytete të ndryshme. Ata u përpoqën të gjenin një zgjidhje që të dyja ekipet mund ta zbatonin në komunitetet e tyre.
UPSHIFT është një program i UNICEF-it që u zhvillua në Ballkan. Aktualisht është duke u zbatuar në më shumë se 20 vende të botës. Të rinjtë marrin pjesë në një punëtori treditore, gjatë së cilës ata kanë mundësinë të mësojnë se si t’i njohin, t’i analizojnë dhe t’i zgjidhin problemet në komunitetin e tyre. Pas punëtorisë UPSHIFT, ekipet marrin grante për t’i zbatuar zgjidhjet që kanë projektuar me mbështetjen e mentorëve.
Banka Botërore e ka njohur UPSHIFT-in si njërin prej 10 modeleve kryesore inovative për adresimin e çështjes së papunësisë së të rinjve. Ai gjithashtu është pranuar si model i praktikës së mirë për trajtimin e problemeve në kontekstin e iniciativës globale të të rinjve të OKB-së ‘Generation Unlimited’.
Qëllimi ynë është që edhe shkollat të përqafojnë metodologjinë UPSHIFT dhe ta bëjnë atë pjesë të kurrikulës së rregullt. Kjo është diçka për të cilën do të punojmë në periudhën e ardhshme.

Punëtoritë rajonale UPSHIFT janë duke u organizuar në kuadër të programit rajonal të quajtur “Dialogu për të Ardhmen: Nxitja e Dialogut dhe Kohezionit Social në dhe ndërmjet Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Republikës së Serbisë”, zbatuar nga UNDP-ja, UNICEF-i dhe UNESCO , dhe financuar nga Fondi i OKB-së për Ndërtimin e Paqes.