Shkollat të hapen të parat dhe të mbyllen të fundit për të ruajtur shëndetin mendor dhe fizik të fëm

UNICEF dhe partnerët e tij po bëjnë thirrje që shkollat të hapen të parat dhe të mbyllen të fundit gjatë pandemisë

UNICEF Mali i Zi
djevojčica u učionici
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2020
09 Prill 2021

PODGORICË, 8 PRILL 2021 - Unioni i Shoqatave të Prindërve të Fëmijëve dhe të Rinjve me Aftësi të Kufizuara “Naša iniciativa” (Iniciativa Jonë), Shoqata Kombëtare e Prindërve të Fëmijëve dhe të Rinjve me Aftësi të Kufizuara “Nardos” si dhe shoqatat lokale të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara i bashkohen UNICEF-it në thirrjen që shkollat të hapen të parat dhe të mbyllen të fundit gjatë pandemisë.

Raporti global i UNICEF-it dhe UNESCO-s me të dhëna nga 191 vende tregon se deri tani nuk është vërejtur asnjë lidhje shkakësore mes hapjes së shkollave dhe transmetimit të COVID-19. Për më tepër, të dhënat për transmetimin e COVID-19 në Mal të Zi, në lidhje me nivelin parashkollor dhe shkollat fillore dhe të mesme që janë në dispozicion në uebfaqen e Ministrisë së Arsimit mbi COVID-19 http://www.covid19.edu.me/, tregojnë që numri më i madh i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar është në komunat që kanë shkallën më të lartë të infektimit. Këto të dhëna tregojnë se shkollat janë vende të sigurta të cilat nuk kontribuojnë në rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19, nëse funksionojnë në përputhje me të gjitha masat parandaluese. Për këtë arsye, UNICEF bën thirrje që të gjithë të respektojnë masat #DistanceMaskHands dhe që shkollat të mbyllen të fundit dhe të hapen të parat gjatë mbylljeve.

Përveç kësaj, ka gjithnjë e më shumë të dhëna në nivel global që tregojnë se mbylljet e zgjatura të shkollave kanë ndikuar negativisht në të mësuarit e nxënësve. Dekada të kërkimeve dhe përvojave tregojnë se kur fëmijët janë jashtë shkollës për një periudhë të zgjatur kohore, shëndeti i tyre mendor përkeqësohet dhe ata janë në rrezik më të madh nga të gjitha llojet e dhunës. Për fëmijët nga grupet e cenueshme, humbja e mësimit, humbja e kontaktit me bashkëmoshatarët e tyre dhe humbja e gjithë mbështetjes tjetër që sigurohet rregullisht nga shkollat - edhe nëse zgjat vetëm për disa javë - mund të çojë në rezultate negative që zgjasin gjatë gjithë jetës.

Kostoja e mbylljes së shkollave ka qenë e rëndë jo vetëm për arritjet akademike të nxënësve, por edhe për shëndetin e tyre mendor. Ne e dimë nga krizat e mëparshme që kur arsimi ndërpritet, fëmijët më të varfër dhe ata më të cenueshëm preken më shumë. Prandaj mbyllja e shkollave duhet të jetë masa e fundit, pasi të jenë marr në konsideratë gjitha opsionet e tjera dhe shkollat duhet të jenë të parat që rihapen.

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Sipas Shoqatës Kombëtare të Prindërve të Fëmijëve dhe të Rinjve me Aftësi të Kufizuara të Malit të Zi “Nardos”, mbyllja e shkollave ndikon negativisht tek nxënësit me aftësi të kufizuara.

Ne besojmë se dëmi është më i madh nëse mbyllen shkollat, veçanërisht për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, sepse ndjekja e mësimeve online, pavarësisht teknologjisë në dispozicion, është problem i madh për ata, veçanërisht për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale.

Savo Knezeviq, kryetar i “Nardos”
A boy with disabilites at school.
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2017

Përfaqësuesit e Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve dhe të Rinjve me Aftësi të Kufizuara “Nasa iniciativa” (Iniciativa Jonë) tregojnë se shkollat duhet të hapen të parat dhe të mbyllen të fundit, sepse të gjitha institucionet arsimore janë duke respektuar masat e përshkruara për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe se vitin e kaluar shkollat nuk janë identifikuar si vende ku është përhapur infeksioni.

Ne jemi të mendimit se përfitimet e arsimimit në shkollë janë disproporcionalisht më të mëdha se rreziqet e mundshme të infeksionit për nxënësit që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e rrezikut. Përveç kësaj, arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore përmes aplikacioneve online nuk po jep rezultatet e pritura në praktikë, prandaj fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara duhet t'u jepet mundësia e arsimimit në klasa, sepse vitin e kaluar socializimi dhe integrimi i tyre është ngadalësuar dhe ndërprerë ndjeshëm. Ne bëjmë apel, para së gjithash, për rihapjen e qendrave burimore për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe për rihapjen e shkollave në të gjitha qytetet.

Natasa Anastasov nga “Nasa iniciativa” (Iniciativa Jonë)

UNICEF dhe shoqatat e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara dakordohen që arsimi është pjesë e planit të rimëkëmbjes nga COVID-19 dhe se duhet të bëhen investime shtesë për të fuqizuar sistemin arsimor gjatë pandemisë.

Ne bëjmë thirrje që sa më shpejtë të bëhet një zgjidhje sistematike afatgjate për financimin e qendrave të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara që ofrojnë shërbime mbështetëse shtesë të nevojshme për këta fëmijë dhe familjet e tyre dhe që përbëjnë një mbështetje të rëndësishme për arsimin dhe socializimin gjithëpërfshirës të kësaj popullate.

Savo Knezeviq, kryetar i ‘Nardos’

UNICEF-i, “Nasa iniciativa” (Iniciative Jonë), “Nardos” dhe shoqatat lokale të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara bëjnë thirrje që vendimet për mbylljen dhe rihapjen e shkollave të bazohen në një analizë të thellë të situatës në secilën shkollë, që do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët shëndetësorë, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, sepse situata dallon nga njëra shkollë në tjetrën dhe rrjedhimisht duhet të dallojnë edhe zgjidhjet.

Sistemi arsimor nuk është ndërtuar që të funksionoj gjatë krizës së koronavirusit. Për këtë arsye, është e nevojshme që vazhdimisht të dëgjojmë zërat e të gjitha palëve të interesit, që së bashku me ata të bëjmë përshtatjen e sistemit në mënyrë që t'u përshtatet më mirë nevojave të tyre gjatë pandemisë. Ky vit shkollor mund të përfundohet me cilësi më të lartë vetëm përmes dialogut gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrjes aktive të të gjitha palëve të interesit dhe viti tjetër mund të përgatitet që të jetë dukshëm më i mirë për secilin nxënës.